Filmi “Krejt e thirrin Rexhon” do të prezantohet në Kroaci

Pas suksesit në disa festivale ndërkombëtare, filmi “Krejt e thirrin Rexhon” do të udhëtojë këtë verë drejt brigjeve të Adriatikut. Rexho, personazhi që e duan të gjithë, do të jetë pjesë e edicionit të 11-të të Braç Film Festival, i cili mbahet nga 6 deri më 9 gusht 2025 në qytetin Supetar, në ishullin Braç, Kroaci, shkruan Portalb.mk.

Bračç Film Festival zhvillohet çdo vit në qytetin Supetar në ishullin Braç, një nga perlat e Adriatikut. Festivali i këtij viti do të mbahet nga 6 deri më 9 gusht 2025, dhe do të mbledhë kineastë të rinj, studentë, profesionistë të industrisë dhe publik vendas e ndërkombëtar në një atmosferë miqësore, të hapur dhe buzë detit.

Përveç shfaqjes së filmit në kinemanë verore në Supetar, të ftuarit do të jenë pjesë e aktiviteteve të shumta shoqëruese që përfshin festivali: masterklasa, punëtori për studentët, forume diskutimi, prezantime publike, dhe një atmosferë të gjallë me koncerte, quiz filmi dhe rrjetëzim ndërkombëtar.

Ibër Deari regjisor i filmit “Krejt e thirrin Rexhon”, për Portalb.mk bëri të ditur se Braç Film Festival ka krijuar emër si një platformë që mbështet dhe promovon filmbërësit e rinj nga Evropa dhe rajoni i Mesdheut, dhe shpesh herë ka qenë vendi ku prezantohen zërat e rinj më premtues të kinemasë evropiane.