Filipçe në kongresin e sotëm: LSDM-ja nuk është treg për pazare funksionesh, LSDM-ja është një armatë vlerash

Me duartrokitje në këmbë, delegatët e LSDM-së e përshëndetën liderin e partisë, Venko Filipçe, i cili u drejtua në hapje të Kongresit të 31-të partiak. Në fjalën hyrëse, Filipçe u ndal te situata aktuale në vend, gjendja në të cilën ndodhet pushteti, si dhe te përçarjet brenda partisë. Ai paralajmëroi se LSDM do të dalë në terren dhe theksoi se nuk do të lejojë që partia të minohet nga brenda”, transmeton Portalb.mk.

“Dyert e LSDM-së janë të hapura për çdo socialdemokrat të ndershëm, për çdo punëtor, për çdo intelektual që ia do të mirën shtetit, por më lejoni t’u dërgoj një mesazh atyre që mendojnë se mund të ulen në dy karrige, atyre që mendojnë se mund të jenë në LSDM dhe njëkohësisht të punojnë për interesat e pushtetit, ose të formojnë fraksione, lëvizje të reja, dhe të gjitha këto vetëm për interesa personale. Ajo kohë ka përfunduar, sot i vëmë pikë përçarjes. LSDM nuk është treg për pazare funksionesh, LSDM është një armatë vlerash. Kush dëshiron të luftojë krah për krah me ne – është i mirëpritur, sinqerisht, vëllazërisht, por kush planifikon të na minojë nga brenda, të jetë kalë troje i VMRO-së apo i grupeve të tjera të interesit, le të largohet menjëherë. Nuk kemi kohë për tradhti dhe nuk kemi luks për ego. Ose jemi bashkë në këtë betejë për jetë a vdekje të demokracisë – ose nuk jemi asgjë. Unë zgjedh luftën, të sinqertë, të fortë dhe të ndershme”, deklaroi Filipçe.

Ai theksoi se do të trokasin në çdo derë, por jo për të kërkuar vota, por për ta “zgjuar” Maqedoninë.

“LSDM është në terren, shkojmë në çdo qytet, në çdo fshat. Do të trokasim në çdo derë, jo për të kërkuar vota, por për ta zgjuar Maqedoninë. Do t’u tregojmë njerëzve për borxhin prej 2 miliardë eurosh, për kredinë e re prej 6 miliardë eurosh, do të flasim për izolimin nga Evropa dhe Amerika për shkak të korrupsionit dhe plaçkitjes, për tradhtinë e interesave kombëtare dhe të sigurisë me migrantët”, theksoi Filipçe.

Kreu i LSDM-së akuzoi se pushteti në dy vitet e fundit ka sjellë një zhgënjim brutal, se kanë premtuar krenari, por e kanë çuar popullin në varfëri të skajshme, se kanë premtuar reforma, por kanë bërë grabitje me përmasa epike. Ai pretendon se kryeministri nuk guxon të vendosë nënshkrim në asnjë vendim pa miratimin e “shefave” të tij.

“Planet për migrantët po hartohen larg syve të publikut. Për 10 mijë tashmë është miratuar ligj, nën petkun e punëtorëve të huaj. Duan ta shndërrojnë Maqedoninë në zonë tampon për problemet e të tjerëve, vetëm që të marrin një trokitje në shpatull dhe një kredi prej 6 miliardë eurosh. Duan ta shesin sigurinë e shtëpive tona dhe të fëmijëve tanë për pikë të vogla politike – ky është akti më i lartë i tradhtisë ndaj popullit të vet. Nuk do të lejojmë që Maqedonia të bëhet kamp për pazare gjeopolitike të huaja, ndërkohë që fëmijët po i mbushin valixhet për t’u larguar nga shteti”, deklaroi Filipçe.

Kujtojmë se, pas disfatës së thellë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025,  në një seancë të Bordit Qendror të mbajtur në dhjetor 2025, zgjodhi udhëheqjen e re të partisë që dha dorëheqjen pas zgjedhjeve lokale. Ish-ministrja e Punës dhe Politikës Sociale dhe deputetja aktuale e LSDM-së, Jovana Trençevska, dhe Aleksandar Trajanovski u zgjodhën  nënkryetarët e rinj të LSDM-së.