Filipçe: Ndryshimet kushtetuese nuk mbartin asnjë rrezik, VMRO-DPMNE nuk dëshiron kontroll nga Zyra e Prokurorit Evropian

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, ka akuzuar se pas narratives së partisë në pushtet për rreziqet e supozuara nga ndryshimi i Kushtetutës qëndron qëllimi i VMRO-DPMNE-së për të sunduar pa një kontroll, për të kontrolluar gjyqësorin, për të ushtruar presion mbi mediat dhe për të kontrolluar të gjitha institucionet me kuadrot e tyre partiak, shkruan Portalb.mk.

“Arsyeja e vërtetë për bllokimin e rrugës evropiane nuk janë ndryshimet kushtetuese, por se VMRO-DPMNE nuk dëshiron kontroll nga Zyra e Prokuroreve Evropian”, tha lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, në intervistën e mbrëmshme për televizionin Sitel.

Kreu i opozitës, tha se ndryshimi i Kushtetutës nuk mbart rreziqe sepse nuk ka asgjë të keqe në përfshirjen e bullgarëve, kroatëve dhe pakicave të tjera në aktin më të lartë juridik të shtetit.

“Nëse ndonjëherë përballemi me disa kërkesa të pa baza, mund të tërhiqemi, por tani çfarë bëjmë? Ne po qëndrojmë në vend dhe gjoja kemi frikë se nesër Radev ose dikush nga Bullgaria do të bëjë diçka që do të na kërcënojë. Pra, kush mund të na kërcënojë nëse kemi një konsensus kombëtar se nuk do të vazhdojmë me disa gjëra. E vërteta është se VMRO-DPMNE nuk dëshiron që Zyra e Prokurorit Evropian të vijë këtu dhe të ketë kontroll mbi shpenzimin e parave. Nuk ka rrezik tjetër”, tha Filipçe në një intervistë për Sitel.

Sipas tij, diskurset e VMRO-DPMNE-së për rrezikimin e identitetit, janë pjesë e propagandës së tyre politike. Vetëm Zyra e Prokurorit Evropian, siç tha Filipçe, mund të rivendosë besimin në drejtësi dhe sistemin gjyqësor në vend. Rivendosja e besimit në sistemin gjyqësor, thotë kreu i LSDM-së, është e mundur vetëm përmes futjes së standardeve evropiane dhe institucioneve të pavarura.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.