Është arrestuar babai i të dyshuarit për masakrën në Mlladenovc të Serbisë

Është arrestuar babai i 21-vjeçarit U.B. i cili dyshohet për vrasjen masive në Mlladenovc, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Serbisë, raporton RTS.

Agjencia e lajmeve Tanjug raportoi se babait të vrasësit të dyshuar i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.

Disa nga mediat serbe dhe maqedonase kanë bërë të ditur këto ditë se babai i sulmuesit të dyshuar nga Mlladenovaci ka vdekur nga një atak në zemër një ditë pas masakrës së djalit të tij.

Por mesa duket bëhet fjalë për lajm të rremë.

Më herët janë ndaluar xhaxhai dhe gjyshi i vrasësit të dyshuar për shkak të dyshimit se sulmuesi 21-vjeçar fshihej në shtëpinë e tyre pas krimit.

Njëzet e një vjeçari U.B. dyshohet për vrasjen masive më 4 maj, e cila ndodhi në afërsi të Mlladenovcit. Tetë persona vdiqën në sulm dhe 14 u plagosën.

Pas arrestimit, i dyshuari pranoi se kishte qëlluar me një pistoletë automatike dhe pistoletë ndaj njerëzve që nuk i njihte për të trembur banorët. Për shkak të rrezikut të arratisjes, prokuroria i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.