Ekspozitë në Shkup: Modë e gjelbër dhe e qëndrueshme, një rrëfim Nordik‑Baltik
Nesër, në periudhën nga ora 17:30 deri në 19:30, në hapësirën Area në Diamond Mall, do të hapet ekspozita e veprave të krijuara nga gjashtë dizajnues Nordikë‑Baltikë dhe pesë dizajnues nga Maqedonia e Veriut , të cilët punuan së bashku në kuadër të programit rezidencial të projektit “Modë e Gjelbër dhe e Qëndrueshme – Një rrëfim Nordik‑Balltik”, transmeton Portalb.mk.
Në hapje do të marrin pjesë edhe vetë dizajnuesit, ndërsa programi do të pasurohet me diskutimet e hapura me titull #MadeWithSweden, të përkushtuara mënyrës se si markat Suedeze punojnë me qëndrueshmërinë dhe çfarë kërkojnë kompanitë Suedeze dhe Nordike në kapacitetet prodhuese, me fillim në orën 17:30. Më pas, nga ora 18:30, vijojnë Designers’ Voices, të fokusuara në procesin e bashkëpunimit, inspirimet dhe të ardhmen e modës së qëndrueshme.
Pas hapjes, ekspozita do të zhvendoset në katin përdhes të Diamond Mall, ku do të jetë e hapur për vizitorët nga 30 Marsi deri më 5 Prill.
Projekti mbështetet financiarisht nga këshilli Nordik i Ministrave dhe realizohet nga Ambasada e Suedisë në bashkëpunim me ambasadat e Danimarkës, Finlandës, Norvegjisë dhe Lituanisë, si dhe në partneritet me Shoqatën e Modës së Maqedonisë së Veriut.
Ekspozita është pjesë e programit zyrtar të fundjavës së modës në Shkup dhe është e hapur për publikun e gjerë.
