Ekspozitë “Etnofemina” e piktores Akime Nasufi Rexhepi: Gruaja shqiptare midis të kaluarës dhe të tashmes
Në Qendrën për Kulturë në Gostivari po qëndron e hapur ekspozita “Etnofemina” e piktores së Akime Nasufi Rexhepi. Ekspozita vjen me një laramani punimesh, ngjyrash dhe kombinimesh në mes të kaluarës dhe të tashmes, mes traditës sonë veshjeve tradicionale për gruan shqiptare nga vendet dhe zonat e ndryshme si në vendin tonë ashtu edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Ekspozita përbëhej nga 23 piktura të gjitha të pikturuara në teknikën e kombinuar, njofton Portalb.mk.
Në këtë ekspozitë janë nxjerrë detaje dhe zhvillim e krijim i një kulture “etnofemine”, që në filozofinë e piktores ajo e paraqet si identitet i përshfaqjes së ecurisë kohore nga e kaluara deri tek aktualja gruan shqiptare aty këtu duke kaluar nga natyralja në metamorfozë vizuale për nga stili, veshja, modeli, paraqitja, grimi dhe aksesoret që ndryshojnë ose i shtohen asaj që në esencë është etnofeminë për të tashmen tonë.
Me këtë ekspozitë sjell në kujtesën tonë vlerat folklorike, ngjyresën kombëtare, bashkon të gjitha veshjet në një ekspozitë, duke i pikturuar ato në mënyrë të jashtëzakonshme me idenë e autoktones, etno- shqiptares dhe etnofemines moderne.
Piktorja Akime Nasufi Rexhepi për Portalb.mk tha se me këtë ekspozitë sjellë në kujtesë vlerat folklorike, ngjyresën kombëtare, i bashkoj të gjitha veshjet në një ekspozitë.
“Nga e mërkura atë natë kur hapa ekspozitën, unë ndihem ende e emocionuar e njëkohësisht edhe shumë e lumtur, për atë që ekspozita ime u prit dhe u duartrokit fort bukur, ku akoma marrë mesazhe lëvdatash të shumta edhe tani. Më gëzon fakti që të gjithë që ishin prezent, por dhe miq të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova, gjithashtu kanë shpërndarë nëpër faqet e tyre punën time, e kjo më bën të ndihem shumë e privilegjuar”, tha piktorja Akime Nasufi Rexhepi.
Rexhepi shtoi se të gjitha pikturat janë të punuara në teknikën e përzier duke përdorur edhe materialet e tekstilit në ripërdorim.
“Zakonisht nuk më duhet shumë kohë e gjatë, por të themi se këto punime janë punuar për një kohë të shkurtë, sepse unë kam edhe angazhime të tjera përveç që pikturoj. Jam edhe profesoreshë e artit në shkollë të mesme profesionale këtu në qytetin ku jetojë në Kumanovë, prandaj këto 2-3 muajt e fundit ishin të mjaftueshme për ta përfunduar idenë time për realizimin e këtyre pikturave”, tha Rexhepi.
Nga e kaluara e deri te posmodernizmi ka një transformim të veshjes, kulturës së veshjes, me mendësisë së veshjes nga ajo që ne ndër shekujsh e determinojmë në kulturën tonë tradicionale, kulturë etnografike, burimore shqiptare veshjen e cila përfaqëson veshjen dhe kulturën tonë të pasur dhe te mirëfilltë për nga vlerat dhe e pasur për nga punimet, qëndisja, motivet, format, mënyra, ngjyrat, stili, ideja e ruajtjes së traditës dhe trashëgimisë kulturore në qasjen dhe kultivimin e vlerave tejet të rëndësishme dhe të vërtetësisë identitare kombëtare.
Kjo ekspozitë u realizua në Qendrën për Kulturë në Gostivar e mbështetur si projekt nga Ministria e Kulturës e RMV-së.
Për të gjithë artdashësit ekspozita do të jetë e hapur deri të mërkurën.