E drejta qytetare për antikorrupsion!

Qeveria në ikje e humbi luftën ndaj problematikës kryesore në vend, korrupsionit, njëlloj si qeveritë paraardhëse. Premtimet e qeverisë në ikje, për të luftuar krim-korrupsionin mbetën retorikë e programeve partiake dhe korridoreve qeveritare. Dështuan mekanizmat e reformave në drëjtësi, ndërsa kriminaliteti vazhdoi duke gjetur forma të reja veprimi. Çka mund ti njihet meritë qeverisë në ikje, madje si një meritë historike, mbetet zhbllokimi i kontestit me fqinjin jugor, dhe anëtarsimi i shtetit në Aleancën me të madhe ushtarako-politike të botës, NATO.

Për hir të së vërtetës, krahasuar me atë çka është dakorduar deri tani në qeverinë e re, shqiptarët në qeverinë në ikje kishin një përfaqësim më domethënës në ekzekutiv, kjo si rezultat i fuqisë më të dobët politike të partnerit maqedonas në koalicion dhe i një qasjeje më të avancuar të saj në konceptin qytetar qeverisës, për çka u krijua edhe një klimë më pozitive mes dy etnive më të mëdha në vend.

Megjithëse ky përfaqësim i shqiptarëve në ekzekutiv, nuk zgjidhi problematikat e përditshme të sigurisë publike, shëndetësisë, arsimimit, korrupsionit metastazik, me pasojë migrimin e hovshëm, veçanërisht tek etnitë joshumicë (si pasojë e dikriminimit të hërshëm), pasi kriminaliteti evident në administratën shtetërore dhe administratën publike (pa mos përjashtuar ndikimin global të rënies ekonomike, pandeminë dhe luftërat që po zhvillohen), boshatisi edhe më shumë xhepat e qytetarëve.

Ndryshimet kushtetuese dhe kontesti me fqinjin lindor, fjalimet pompoze nacionaliste, ishin një karrem zgjedhor i partisë më të madhe maqedonase, fituese e zgjedhjeve, por që pashmangshëm në post-zgjedhje do të marrë një drejtim krejt tjetër, kjo edhe nga trysnia e faktorit ndërkombëtar si dhe unifikimi i faktorit politik shqiptar për këtë çështje. Pa mos haruar se tashmë kemi një opozitë të fortë shqiptare, me të cilën pushteti do duhet të jetë më i kujdesshëm gjatë qeverisjes, sidomos në tema të ndjeshme etnike apo të integrimit të vendit.

Andaj qytetari e ka legjitimitetin e plotë të kërkojë nga qeveria e re, organizimin dhe krijimin e makanizmave të vërtetë për reforma në drejtësi, me krijimin e strukturave të vetingut, me ekspertë dhe monitorim ndërkombëtar, në filtrat e së cilës do të kalonin funksionarët publik, për tu rigjeneruar sistemi në funksion të shtetit të së drejtës. Pa këto mekanizma reforme, dështimi në këtë aspekt është i garantuar dhe do të jetë një fasadë boshe e ndrimit të Këshillit prokurorial dhe atë Gjyqësor, për të vazhduar gjuetinë e shtrigave me shantazhimin, frikësimin dhe joshjën e prokurorëvë dhe gjykatësve të dëgjueshëm/padëgjyeshëm pushteti, ashtu si në qeveritë paraardhëse.

Qytetari e ka të drejtën e plotë morale të kërkojë nga qeveria e re, luftimin e krimit të organizuar, korrupsionin në sektorin privat, evazionim fiskal, kontrabandën e mallrave, luftë kundër sipërmarrësve që zhvasin pasuritë publike pa ja kthyer koston ligjore të mirës publike – buxhetit shtetëror, korrupsionin e thellë në shoqëritë aksionare, kriminalitetin në qeverisjen lokale, uzurpimin e hapësirave publike dhe urbanizmin kriminal, e shumë sektorë të tjerë. Qytetari është në pikat e fundit të fuqisë së mbijetesës dhe ka të drejtë të kërkojë nga qeveria e re, krijimin e strukturave të posaçme anti-korrupsion (si SPAK-ku në shtetin fqinj) për ti ndjekur fundamentalisht këto krime. Në të kundërtën, qeveria e re, dështimin në këtë çështje e ka të garantuar, ashtu si qeveria në ikje.

Në anën tjetër, në këto rrethana të një pushteti të gjatë dhjetëra-vjeçar, partia më e madhe shqiptare, pjesë e koalicionit që po kalon në opozitë, me dorëzimin e pushtetit (edhe pse me vota zgjedhore më shumë), t’ja lejojë vetes ekzspozimin para drejtësisë të gjithë partiakëve të kriminalizuar dhe korruptuar, të gjithë biznesmenëve që fshiheshin dhe zvarriteshin rreth trungut politik për të shpëtuar nga ndëshkimi i drejtësisë, qoftë nga brenda partisë apo së fundmi nga koalicioni i formuar parazgjedhor, për të mos amnistuar figura politike që i kanë bërë vetëm dëm çështjes shqiptare.

Kështu organizata politike bëhet më e fortë në garën zgjedhore të së nesërmes. I thua qeverisë, ja ku jam, i pambrojtur nga politika, më heto dhe gjyko kriminalitetin e akuzuar për shumë vite, me gjasë më pastro nga pjesa e panevojshme dhe e dëmshme që nuk mund ta pastroja ndryshe dhe për të cilën paguan kosto elektorale shumica e pastër partiake. Ja edhe një mundësi për tu shëruar trupi politik nga toksinat dhe viruset, me agjërimin e kalimit në opozitë, pasi kriminelët nuk do të kenë mbrojte politike nga sistemi i politizuar i drejtësisë.

Eshtë e kuptueshme nga praktika se shumë zvarranikë interesash korruptive, do të tentojnë dhe lëshojnë anijen që po kalon në ujërat opozitare, për të kaluar tek anija e pushtetit, që përsëri të përfitojnë pandershëm dhe shpëtojnë veten nga ndëshkimi i drejtësisë, nga dosjet kriminale që ju flejnë me vite në prokurori e gjykata. Andaj koalicioni i qeverisë vijuese kërkohet të tregohet vigjilent, që kategorisë së tillë t’ju tregohen dyert e drejtësisë dhe jo të mbrojtjes nga pushteti, nëse me të vërtëtë dëshirohet të zbatohet vullneti qytetar mbi drejtësinë.

Për më shumë, aspak tolerencë ndaj së keqës, sepse toleranca ndaj së keqes është krim edhe më i madh se vetë krimi. Nëse me të vërtetë koalicioni që i ngjitet pushtetit, dëshiron të jenë konkurentë seriozë e së nesërmes politike, me një parti dhe koalicion shqiptar të fuqishëm që kalon në opozitë, e cili do ta rrezikonte qeverisjen, në gabimet më të para serioze ndaj interesave shqiptare në rradhë të parë, integrimit, por edhe për mos-mbajtjen e premtimeve elektorale të qeverise së re, për anti-korrupsion dhe reforma në drejtësi.

Shkruan:

Alpin Ollogu