Dy të vrarë me armë në një universitet në SHBA, i dyshuari ende në arrati

Dy persona janë vrarë dhe të paktën nëntë të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë në Universitetin Brown në Providence të Amerikës, raporton Portalb.mk.

Sipas zyrtarëve, të plagosurit janë në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme. Kryebashkiaku i Providence, Brett Smiley, e konfirmoi se i dyshuari është ende në arrati.

Policia njoftoi se sulmuesi hapi zjarr brenda një ndërtese ku zhvilloheshin mësimet e inxhinierisë dhe fizikës. Në këtë objekt ndodhen klasa dhe laboratorë.

Motivet e sulmit mbeten të panjohura.

Zyrtarët e universitetit thanë se të gjitha viktimat janë studentë. Incidenti ndodhi gjatë provimeve të fundvitit.

Mbi 400 oficerë policie, përfshirë edhe agjentë të FBI-së, janë angazhuar në vendngjarje. Kërkimet për kapjen e të dyshuarit vazhdojnë edhe sot.

Policia publikoi një video vonë të shtunën. Në të, i dyshuari shihet i veshur me rroba të zeza, por fytyra e tij nuk duket. Ai u largua nga kampusi në këmbë.

Dhunë me armë zjarri ndodh shpesh në Shtetet e Bashkuara. Raste të tilla regjistrohen në shkolla, vende pune, supermarkete, klube nate dhe ngjarje publike. Armët e zjarrit janë lehtësisht të qasshme.