Duke u shtirur se është ministri i punëve të brendshme, i ka zhvatur rreth 1.500.000 denarë një personi, Prokuroria ngriti padi
Prokuroria Publike Shkup ka nisur hetim kundër një personi, i cili akuzohet për veprat penale “Mashtrim” dhe “Zhvatje”. Duke u shtirur një herë si ministri i Punëve të Brendshme, një herë tjetër si prokuror, ai dyshohet se në periudhën nga 15.07.2025 deri më 28.07.2025 i siguroi një personi se do të ngrihej procedurë ligjore kundër tij nëse nuk paguante rreth 1.500.000 denarë (mbi 24.000 euro), transmeton Portalb.mk.
I dëmtuari, në katër raste në lokacione të ndryshme në Shkup, i dha të dyshuarit paratë e kërkuara.
“Duke e njohur të dëmtuarin nga e kaluara, në disa raste nga numra të ndryshëm telefoni, duke u paraqitur si Ministri i Brendshëm dhe tre prokurorë publikë, ai e kontaktoi të dyshuarin përmes mesazheve dhe i kërkoi para në mënyrë që të lirohej nga akuzat, pra që të mos zhvillohej asnjë procedurë kundër tij. Prokurori publik vendosi të fillojë hetim për zhvatje, sepse veprimet e ndërmarra nga i dyshuari tregojnë se ai ka përdorur një kërcënim serioz për ta detyruar të dëmtuarin të bëjë diçka në dëm të pasurisë së tij. Kjo vepër penale dënohet me një dënim më të rreptë me burg prej të paktën një viti, dhe mund të shqiptohet edhe maksimumi ligjor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori Publik i Prokurorisë Themelore Publike Shkup, duke vepruar sipas kallëzimit penal të ngritur nga Ministria e Punëve të Brendshme kundër një personi për veprën penale Mashtrim, sot shqyrtoi pretendimet dhe provat e marra, pas së cilës vendosi të fillojë hetim kundër të dyshuarit për një vepër penale të vazhdueshme të Zhvatjes sipas nenit 258 paragrafi 1 në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal.
Prokurori Publik i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit për përcaktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.