DREJT FETARISË A LA CARTE (II)

Është kjo koha e tregut të fesë, e cunamit të sekteve, shurdhësisë ndaj fesë (Weber), ateizmit digjital, e “fesë së dataizmit” (fesë së të dhënave), e tekno-feve që mund ta pushtojnë botën me një premtim shpëtimi të bazuar në algoritme dhe gjene, “e inteligjencës artificiale” (si “Way of the Future” [Rrugë e së Ardhmes]). Në kohën kur feja jep pamjen e një mbreti pa shtet, që në të vërtetë nuk sundon mbi asgjë, guru-të e teknologjisë po tharmojnë një fe të re, të guximshme dhe pa zot, të orientuar nga teknologjia, që ndërveprimin që dikur sillej rreth fesë e kanë kaluar te rrjetet sociale që disa i quajnë “agora ateiste”.

Si përfundim mund të thuhet se fryma e kohës tregon se fetë, cila më pak e cila më tepër, janë në defanzivë – individët fetarë dhe feja po fillojnë të shihen si të “tjerë”, duke u periferizuar – andaj duhet të rikuperohen, duhet të gjejnë metoda të reja për të tërhequr njeriun e ri të periudhës së Revolucionit të Dytë Kognitiv që ka pretendime për t’u bërë “Homo Deus” (Njeri-Zot) dhe për të jetuar në një shoqëri të “pas fesë”. Në kohët e lashta njerëzit e mësonin fenë pa pasur nevojë të arsyetonin. “Fakti që një doktrinë ishte joracionale, nuk e bënte atë të kontestueshme.” Sot konteksti ka ndryshuar radikalisht, edhe në familjet fetarisht të fuqishme, shtrohen pyetje sfiduese, dikur të “paimagjinueshme”. Qasja e recipientëve është shumë më ekzaminuese, më proaktive, me shumë racionalitet e pragmatizëm funksional. S’ka më “qepe”, Si mund të shtrohësh kësifarë pyetjeje?”, “Ne po e ndjekim rrugën në të cilën i kemi gjetur paraardhësit tanë.” Kultura e mileniumit të tretë e godet fuqishëm emocionalitetin konservator.

Tani feja po përballet me një mendje të re, atë të “gjeneratës Beta” (2025-2039), të IA-së, dhe ajo si subjekt do të duhet të përpiqet t’i imponohet asaj. Ndryshe nga modelet tradicionale ku feja praktikohet fillimisht në objekte fizike, modeli fetar i Beta- është Digital-First, pika e parë e kontaktit me Zotin, dijen dhe komunitetin është ekrani apo display. Pra skena e predikimit po revolucionarizohet, kalon nga tempujt në rrafshin digjital, në Zoom Teams, podcast, në TikTok, Instagram ose mesazhet e drejtpëdrejta (DM). Në epokën e internetit dhe të krizave shpirtërore “kujdesi teologjik digjital”, mbështetja shpirtërore, emocionale dhe komunitare janë një segment tjetër i pashmangshëm. Shpërfillja e tendencave teknologjike të kohës e zbeh frymën fetare dhe prezencën e saj në agorën e vlerave.

Ky libër e pasuron literaturën e shkencave sociale, në veçanti të sociologjisë së fesë. Mendojmë se kjo vepër duhet të lexohet në veçanti nga qarku i teologëve në mënyrë që të skanojnë kontekstin e fetarisë në periudhën që Max Scheler do ta kishte quajtur të “përmbysjes së vlerave” (Die Wertumkehrung) dhe kur shënohet fluiditet feje dhe fetarie.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.