Do të rikthehet reklamimi qevetitar në media, paralajmëroi MSHIA

Në procedurë ndodhen ndryshimet në Ligjin për Media, i cili mes tjerash parashikon dhe reklamimin qeveritar nëpër media, njofton Portalb.mk.

“Një prej neneve që juve ju intereson është 101-a dhe b. Me këtë nen, ne si shtet garantojmë se 0,1% të Buxhetit do të definohet për fushata në interes të qytetarëve. Domethënë, ato nuk do të jenë politike dhe partiake të definuara, por do të jenë tema të cilat shteti definon si prioritet për vitin e ardhshëm dhe një nga këto fushata do të jetë e domosdoshme që të informojmë qytetarët dhe momenti i dytë është komisioni i cili krijohet për të ndarë këtë buxhet, duhet të jetë komision, i cili do të jetë tre anëtarë nga pozita dhe tre anëtarë nga opozita. Me atë që, prej tre anëtarëve, dy prej tyre janë prej partisë më të madhe me numër të deputetëve dhe një prej partisë së dytë që ka numër më të madh të deputetëve. E njëjta do të vlejë edhe për pozitën edhe për opozitën”, tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, pas brifingut të sotëm me gazetarët.

Forma e ndarjes së buxhetit, tha ministri, do të jetë 65% do të jenë për mediat nacionale, 25% për mediat rajonale dhe 10% për mediat lokale.

“Në këtë formë, kemi pasur shumë kujdes që ndarja të jetë në formë proporcionale që të mos ketë mundësi për abuzim në ndarjen e buxhetit”, shtoi Aliu.

Sipas përllogaritjeve, prej buxhetit të shtetit për reklamime qeveritare duhet të ndahen mbi 5 milionë euro në vit.

Reklamat qeveritare në periudhën e kaluar kanë qenë të diskutuara pasi që, LSDM kur erdhi në pushtet i shfuqizoi, për shkak se paraprakisht VMRO-DPMNE-ja në krye me Nikolla Gruevskin, e keqpërdori për të financuar media të afërta më partinë e tij.

Gjatë një takimi pune në qershor të këtij viti, mes organizatave mediatike të RMV-së dhe ndërkombëtare, Albana Shala nga “Free Press Unlimited” theksoi se shqyrtimi nga ana e Qeverisë për rikthimin e reklamave shtetërore duke paguar të ashtuquajturat fushata me interes publik në mediat private ata i shqetëson për të paktën katër arsye.

“Projekt-propozimi i rikthimit nuk është në përputhje me legjislacionin e BE-së për ndihmën shtetërore, është gjithashtu diskriminues ndaj mediave të vogla, reklamimi shtetëror përmes fushatave politike të paguara rrit rrezikun e ndërhyrjeve politike në media dhe destinimi i fondeve publike në këtë mënyrë nuk do të përmirësonte përmbajtjen mediatike”, tha Shala.