Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut: A është gruaja njeri?

Portalb.mk me rastin e 16- ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës ndaj Gruas që kulmon sot me Ditën e të Drejtave të Njeriut ju fton të ecim bashkarisht nëpër burimin që ka ushqyer këtë lloj dhune.

“Unë nuk jam feministe” them shpesh. Qëndroj te thelbi, jam njeri që ka të drejtën të lindet i lirë, i tillë të jetoj dhe të respektoj e të respektohet nga të tjerët pa kurrnjë dallim. Sado që ngjyrimet ‘’feministe” duken dhe feministet konsiderojnë se praktikat e mia më nxjerrin të tillë, sërish them jam për të drejta të barabarta njerëzore. Por, në vendet ku thuhet ” vjen një grua me një njeri ” a duhet si në mesjetë ta shtrojmë debatin “a është gruaja njeri?”

Photo by christian-lue-unsplash
Foto nga Christian Lue në Unsplash

E thotë dhe kënga “Kjo është një botë burrash”. Në pikturat që zbukurojnë kishat, Zoti është një plak me mjekër: kurrë një plakushe me flokë të bardhë  thotë gazetarja dhe shkrimtarja Fallaçi. Dhe siç librat na e kanë mësuar gjenezën, fillesën krijesa e parë nuk është një grua, po një burrë me emrin Adam ose Adem. Eva ose Hava vjen më vonë për t’i krijuar telashe dhe për ta argëtuar. Dhe imagjinoni, ne krejt vuajmë gabimin e një gruaje. E humbëm parajsën shkaku i një djallushke?!

Që ta dini edhe dy fluturuesit e parë antik janë burra, Ikari dhe Dedari. Edhe ai që shpërndau zjarrin gjithashtu, Prometheu. Shikoni shkrimet e para, sa gra do gjeni, sa vonë me kronologji. Filozofet e para, piktoret, shkenctaret? Zoti merrte te gratë jepte te burrat si duket. Ju kujtohet që komisioni suedez në fillim nuk i ndau Mari Currit Nobelin vetëm pse ishte grua?

Në Indi, pas vdekjes së burrit, e veja digjej për së gjalli bashkë me trupin e bashkëshortit. Pse të gëzonte jetën pa burrin?! Pa le, mos të flasim për gratë që u pritet klitorisi që të mos ndjejnë kënaqësi, ato meritojnë veç vuajtje e ndëshkim, kanë ardhur në këtë botë të vuajnë denimin. Në disa kultura besohej se gruaja lindi në ditën që lindi dhe satana, ose është satana vet.

Kështu, në librin e shenjtë hebraik Midrash gjejmë : “Unë nuk do të të krijoj nga kafka (e Adamit) me qëllim që ajo të mos jetë mendjemadhe, as nga syri me qëllim që të mos jetë e ndërlikuar… as duke u nisur nga zemra, sepse ajo do të ishte xheloze… por duke u nisur nga një pjesë e trupit që është e fshehur, duke u nisur nga gjymtyra më modeste” dhe për secilën nga gjymtyrët që Ai krijoi, Ai i tha gruas: “Ji e turpshme, ji e turpshme!

Dëshmia e një gruaje vlen sa gjysma e dëshmisë së një burri sipas një sureje në kuran.

“Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burr e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. Dy gra në vend të një burri, po pra, se aq bëjnë dy gra.

Ka hadith që citon profetin të ketë thënë:

“Unë pashë gjithashtu flakët e ferrit dhe nuk kisha parë kurrë një pamje më të tmerrshme. Pashë se shumica e banorëve ishin gra”. Gratë mbi tokë janë të pabarabarta, ashtu siç janë edhe nën tokë, ndoshta sepse nuk kanë besimin se rrinë urtë atje poshtë. Ndiqeni tonin e ashpër të Shën Palit në Dhjatën e Re:

“Në kohën e mësimit gruaja le të dëgjojë në heshtje dhe me nënshtrim të plotë. Nuk lejoj që gruaja të mësojë në kishë as të sundojë burrin, por – të rrijë në qetësi. Sepse i pari u krijua Adami, pastaj Eva. Dhe nuk qe gënjyer Adami, por, gruaja e gënjyer, e theu urdhrin”.  Shën Tertuliani është më i ashpër se sa Shën Pali kur ai iu drejtohet “motrave të tij shumė të dashura” dhe thotė:

“A e dini që secila prej jush është një Evë? Gjykimi i Zotit për këtë gjininė tuaj vazhdon edhe në kohën e sotme: domosdoshmërisht që edhe faji gjithashtu. Ju jeni porta e Djallit, hëngrët nga pema e ndaluar. Ju jeni dezertueset e para të ligjit hyjnor. Ju jeni ato që e bindët atë, të cilin djalli nuk ishte aq i zoti sa ta sulmonte. Ju e shkatërruat kaq lehtë pamjen e Zotit, burrin. Për llogari të dezertimit tuaj deri edhe Birit të Zotit iu desh të vdesë”. Vini re, Zoti kishte ” birin”   jo ” bijën”.

Shën Agustini i shkruante një miku:

“Cili do të ishte ndryshimi i një gruaje apo një nënë, është e njejta Evë tunduese, së cilës ne duhet t’i ruhemi në çdo grua… Unë nuk e di çfarë e bën gruan të përdorshme nëse do të përjashtonim funksionin e të bërit fëmijë”.

Shekuj më vonë, Shën Toma Akuini vazhdonte ta konsideronte gruan të papërkryer:

“Siç i takon natyrës individuale, gruaja është e papërkryer dhe e keqnisur, për forcën aktive të mashkullit fara e tij përpiqet të riprodhohet me kënaqësi; ndërsa prodhimi i gruas vjen prej një difekti tė forcės aktive apo tė njė pamundėsie materiali, apo qoftė edhe prej ndikimesh tė jashtme”.

Dhe po, reformatori i mirënjohur Martin Luteri nuk shihte ndonjė pėrfitim nga gruaja por tė sjelli nė botė sa mė tepėr qė tė jetė e mundur fėmijė pa marrė parasysh asnjė efekt:

“Nëse ato lodhen apo edhe sikur të vdesin kjo nuk ka rëndësi. Lerini ato të vdesin gjatë lindjes, për këtë ato janë”

Rabini Epshtajn: “Tradita e pathyeshme dhe e vazhdueshme qysh në ditët biblike nuk i jep të drejtën anëtarit femër të njerëzve të shtëpisë, gruas dhe vajzës, të trashëgojë çifligun e familjes. Në një skemë më primitive të zëvendësimit, anëtaret femra të familjes u konsideronin si pjesë e çifligut dhe si të zhveshura nga personaliteti ligjor i trashëgimisë si skllevërit. Ndërsa nga dekretet moisike vajzat pranoheshin të trashëgonin në rastin kur nuk mbetej asnjë subjekt mashkull, gruaja nuk njihej si trashëguese edhe në kushte të tilla”

I kanë hedhur nga mali kur kanë qenë vajza. S’kanë qit pushkë për to askund. As hak nuk merret me kanun, s’konsiderohet gjak, do me thënë njeri. Për fatin e tyre ka vendos baba, më pas burri e në fund fëmijët. Kur s’ka qenë baba prapë vet s’ka vendos. Emrat e tyre janë tragjedi më vete Mjaftime, Shkurte, Helme,Keqe, Mbylle,Ndalime, Pafate, Pseerdhe, Spece, Sose, Sherre, Vajtime, Zehere etj.

Për fund, historia thotë se kisha ka djegur mbi 40 milionë gra në mesjetë në turrë drunjsh. Më falni, ka djegur “shtriga”. Ishte kohë e gjuetisë së shtrigave, gratë e pabindura akuzoheshin se janë nën ndikimin e demonëve, magjisë.

A kanë gratë shpirt pyeste mesjeta? Ne pyesim ende a janë gratë njerëz? A vlejnë të drejtat e njeriut edhe për gratë? Me gjak morën të drejtën për të votuar, me kokë paguajnë edhe sot për vendime që nuk ju pëlqejnë padronëve të tyre.

Imagjinoni tani, krejt këto burra sipër i ka sjellë në jetë një grua dhe krejt këto burra e më shumë kanë folur kundër saj, kanë ngritur dorë mbi të. Edhe filozofofi Niçe gratë i konsideronte si ara ku mbillet fara, madje porosiste ” shkon te gruaja, merr kamxhikun”. Ende sot predikime të tilla i gjen mes klerikësh, njerëz të këtij shekulli. E pse prisni mos vriten gratë, mos shihen si qenie inferiore, mos shtypen, mos dhunohen kur ideologji të tilla ende veprojnë.