Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve, psikologu Lulzim Murtezani me mesazh: Koha për të vepruar është tani!

10 shtatori njihet në botë si Dita e Parandalimit të Vetëvrasjeve, në ndërkohë që ky fenomen i shëmtuar është shumë i pranishëm te adoleshentët dhe jo vetëm. Profesori i psikologjisë Lulzim Murtezani jep këshilla për tu qëndruar pranë të rinjve duke u ndihmuar në tejkalimin e gjendjeve të rënduara mendore, njofton Portalb.mk.

Shkupi u trondit ditë më parë me rastin që ende po hetohet nga autoritetet për një i ri t’i ketë dhënë fund jetës. Profesori universitar, Lulzim Murtezani si psikolog shprehi shqetësimin e tij duke theksuar se njoftimi i fundit për humbjen e një të riu nga vetëvrasja e ka tronditur thellë.

“Jeta po bëhet gjithnjë e më e pasigurt, veçanërisht për shkak të ndikimeve të rrjeteve sociale, të cilat shpesh kanë pasoja negative për të.” shprehet ai.

Ai si njeri i fushës “median online” e sheh si një nga shkaqet që ka bërë të shkunden themelet e familjeve dhe të ndihet një pasiguri në mënyrën e funksionimit të tyre.

Këshillimi për të kërkuar ndihmë nga njerëz të shëndetit mendor si psikologu e psikiatri duhet të jetë mendimi i parë sipas Murtezanit, pasi vërejmë se fëmija shfaq ndryshime në sjellje.

“Në këto rrethana, është thelbësore të reagojmë me urgjencë. Prindërit duhet të raportojnë çdo rast të konflikteve brenda familjes dhe të veprojnë menjëherë kur vërejnë shenja shqetësimi te fëmijët e tyre. Kjo përfshin kërkimin e ndihmës nga profesionistë si psikologët dhe psikiatrit.”, thekson ai.

Ai me rëndësi e sheh dhe rolin e psikologut të shkollës që mund dhe duhet me patjetër të jetë njëri nga hetuesit e parë të problemeve të nxënësve duke këshilluar që: ” Shkollat duhet të formojnë grupe ekspertësh për të adresuar sjelljet e pazakonta të nxënësve. Psikologët e shkollës duhet të monitorojnë shenjat e sjelljeve problematike dhe t’i trajtojnë ato menjëherë, duke shmangur procedurat administrative që nuk u takojnë për nga profesioni.”

Trekëndëshi magjik prind- nxënës- mësues mund të ndihmoj shumë që fëmijët të ndihen të mbrojtur nga një sërë faktorësh që ndikojnë në ndryshime të sjelljes dhe humorit:” Prindërit dhe mësuesit, së bashku me shërbimet profesionale, duhet të punojnë për të mbrojtur fëmijët nga ndikimet negative që i rrethojnë.

KOHA PËR TË VEPRUAR  ËSHTË PIKËRISHT TANI ! ÇDO VONESË REAGIMI DO NA SFIDOJ ME REPRIZA TË TRAGJEDIVE FAMILJARE QË MUND TË TROKASIN NË SECILËN DERË!”, përfundon profesori Lulzim Murtezani i cili i shqetësuar për shëndetin e të rinjve me këto rekomandime të zbatuara nga të gjitha palët synohet të ndikohet drejtpërdrejt në parandalimin e numrit të vetëvrasjeve.