Distria e shkëlqyer, fitoi të artën në Paris

Për herë të tretë, Distria Krasniqi ka fituar garën më prestigjioze të xhudos, Grand Slamin e Parisit, raporton Koha.net. Të premten, Distria e mbrojti titullin e kampiones në kategorinë deri 52 kg. Pos në vitin 2023, Distria kishte fituar të artë edhe në vitin 2020. Ka edhe dy medalje të argjendta e dy të bronzta.

Në finale, para një numri të konsiderueshëm shikuesish, Distria e mposht britaniken Chelsie Giles.

Ndaj saj fitoi me uazari, ndërsa e kontrolloi gjithë luftën.

Me Giles, Distria tani ka katër fitore e një humbje.

28-vjeçarja Krasniqi ishte bartëse e parë, ndërsa pati një ditë të shkëlqyer. Nisi me fitore për nëntë sekonda ndaj francezes Leonie Gonzalez. Më pas e mposhti për 37 sekonda jugkoreanen Seyun Jang. Me fitore me Ippon vazhdoi në çerekfinale. Për 2:12 minuta e kaloi Khorloodoi Bishreltin, që përfaqëson Emiratet e Bashkuara Arabe. Pak më shumë i sfidua në gjysmëfinale, ku e kaloi japonezen Kisomi Omori. Ndaj saj fitoi me uazari në kohën shtesë.

Me të artën, Distria i fiton 1000 pikë në ranglistën botërore. Do të forcohet edhe më shumë në pozitën e parë në kategorinë deri 52 kg.