Disa media serbe e paraqesin situatën politike në Kosovë si anti-serbe, gjuhë denigruese edhe ndaj deputetëve

Në përpjekjen e vazhdueshme për të diskredituar institucionet e Kosovës disa media serbe kanë publikuar tituj sensacional me terma fyes ndaj deputetëve të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, e cila nuk është konstituuar ende duke e paraqitur situatën politike në Prishtinë si tërësisht të dështuar, shkruan Sbunker.

Në artikujt e publikuar nga “Alo.rs” dhe “Kurir.rs” përdoret gjuhë e ashpër dhe terma denigrues për ta përshkruar situatën në organin ligjvënës të Kosovës, i cili prej 15 prillit nuk po arrin të konstituohet.

Pas vazhdimit të 15-të të seancës konstituive të Kuvendit në të cilën nuk u zhbllokua procesi për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, “Alo.rs” publikoi një artikull me titull: “BANDA NGA PRISHTINA NË KAOS TË PLOTË Kuvendi i të ashtuquajturës Kosovë nuk është konstituuar as pas përpjekjes së 15-të”.

“Banda” është epiteti që zakonisht u jepet një grupi njerëzish që bashkohen për një qëllim, shpesh kriminal.

Krejt çfarë ofrohet në përmbajtje të artikullit është mos kalimi i propozimit të kryesuesit të seancës Avni Dehari për votimin e fshehtë të kryetarit të kryeparlamentarit, tek përmendet mos pjesëmarrja në votim e deputetëve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike, Listës Serbe si dhe koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma.

Foto printscreen
Foto printscreen

Kjo lloj gjuhe përmes titullit sensacional jo vetëm që është fyese por edhe synon të minojë legjitimitetin e institucioneve demokratike të Kosovës.

Ndërkaq “Kurir.rs” ka raportuar se gjoja kriza në Kuvendin e Kosovës po e “dëmton më tej pozitën e serbëve”.

Në artikullin me titull: “Vakuumi i ndërmjetëm i konvenon vetëm Kurtit: mosfunksionimi i institucioneve në Prishtinë ka pasoja negative për komunitetin serb”, pretendohet se qëllimi është që serbëve tu vështirësohet jetesa në Kosovë. Kjo përshkruhet edhe me fjalinë e vendosur sipër artikullit: “Institucionet nuk funksionojnë, por terrori nuk ndalet”. 

Kjo narrativë përforcohet me deklaratën e Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri të Brendshme në Serbi, Milovan Drequn, që dramatizoi me kinse keqtrajtim të serbëve.

Për shkak të kësaj situate, praktikisht asgjë nuk funksionon, gjë që e ndërlikon më tej situatën tashmë të vështirë për popullin serb dhe, për fat të keq, nuk përbën pengesë për keqtrajtimin e mëtejshëm të serbëve”, ka thënë Drequn.

Foto printscreen
Foto printscreen

Tutje në artikull përmendet edhe takimi i së hënës mes kryeministrit Albin Kurti dhe Ambasadorëve të QUINT-it në Kosovë. Ata i kërkuan Kurtit formim sa më të shpejtë të institucioneve.

Por në artikullin e “Kuririt” është edhe deklarata e ish drejtorit të qendrës klinike në Mitrovicën e Veriut, Milan Ivanoviqit, që fajëson ndërkombëtarët për “ngërçin” në Kosovë tek i interpretoi afatet ligjore për konstituimin e institucioneve.

“Mendoj se ata as nuk e kanë përcaktuar, kështu që mund ta zvarrisin situatën aktuale sa të duan, dhe e gjithë kjo dikur ishte përgatitur në bashkëpunim me mentorët e tyre perëndimorë. Kjo është arsyeja pse ata tani po kërkojnë një votim të fshehtë, në mënyrë që në atë mënyrë të manipulojnë dikë, pra ta korruptojnë, sepse gjëra të tilla janë më të lehta për t’u bërë në errësirë. Ata do të bëjnë gjithçka që Vetëvendosja e Albin Kurtit t’i mbajë pozitat më të rëndësishme me çdo kusht“, thotë Ivanoviç.

Qëllimi i këtyre narrativave është krijimi i ndasive dhe diskreditimi i institucioneve të Kosovës si të paafta për të mbrojtur të drejtat e të gjitha komuniteteve. Veç përdorimit të gjuhës fyese dhe duke paraqitur situatën politike si tërësisht të dështuar, me narrative të tilla tentohet të krijohen ndasi mes komuniteteve dhe nxisin tensione ndëretnike.​

Kuvendi i Kosovës po përballet me bllokadë politike në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve, për shkak të mungesës së marrëveshjes mes partive politike. Në funksion të zhbllokimit të ngërçit Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të nis më 15 maj një seri konsultash me partitë që arritën të sigurojnë ulëse në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt 2025.