Dinamikat e çrregullimit të ri gjeopolitik

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po bëjnë përpjekje të mëdha që Ballkani Perëndimor deri në 2030-ën të bëhet pjesë e unionit, dhe Ukraina të ruajnë integritetin territorial. Nisma e vitit të kaluar me 6 bilion euro për të ofruar rajonin më afër BE-së, mori formë konkrete gjatë takimit në Shkup të zyrtarëve të lartë të BE-së dhe të SHBA-së me përfaqësuesit e shteteve ballkanike.

Pasi kërcënimet për luftëra të reja po bëhen gjithnjë e më aktuale dhe ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nuk janë përmirësuar, atëherë e vetmja rrugë mbetet unioni i integruar ekonomik. Ballkani në mungesë të ligjit dhe rritjes ekonomike, shumë shpejt mund të bëhet pjesë e një katastrofe tjetër para dyerve të BE-së. Pavarësisht lëshimeve në politikën e Uashingtont në Ballkan, duket se angazhimi i fundit i SHBA-së për një anëtarësim të shpejtë është më seriozi krahasur me nismat tjera. Zyrtarë të lartë të qeverive ballkanike janë shprehur se dëshirojnë të mos e humbin momentin gjeopolitik, andaj janë zotuar se do t’i zbatojnë reformat. Ndërkohë, BE-ja ka bërë të njohur se pa rezultate konkrete nuk do të ketë mjete financiare dhe as anëtarësim. Poqese reformat do të zbatohen shpejtë dhe pa ndërhyrje nga politika, anëtarësimi në union mund të përshpejtohet.

Ndërsa jemi duke menduar për integrimin e Ballkanit në BE, paraqitja e dinamikave të çrregullimit gjeopolitik dhe lufta në Ukrainë e kanë zgjeruar mjegullën e luftës hibride në të gjithë kontinentin evropian. Nuk ka vend të sigurtë për të gjithë qofshin shtete anëtare dhe jo anëtare. Dy vitet e luftës së rëndë në Ukrainë gjithashtu e kanë lodhur BE-në dhe SHBA-të. Zërat për ndërprerje të fondeve amerikane dhe evropiane që kanë për qëllim mbështetjen e Ukrainës po rriten në Kongresin Amerikan dhe në disa qeveri evropiane.

Zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA dhe në BE në qershor kanë shtuar frikën se një udhëheqje e re në Shtëpinë e Bardhë dhe një fitore e partive radikale evropiane do të mund të kenë efekte të drejtpërdrejta në kursin e luftës në Ukrainë, në vetë BE-në dhe në Ballkan. BE, Ukraina dhe qeveritë e Ballkanit po frikësohen se fitorja e mundshme e Donald Trampit në SHBA në zgjedhjet e nëntorit, do të minonte të gjitha përpjekjet për një integrim të rajonit në 2030-ën, dhe një fat i keq për të ardhmen e Ukrainës. Disa lëvizje të mjegullta të Donald Trampit gjatë mandatit të parë (2016-20), tregojnë se mandati evetual dytë nuk do të jetë më ndryshe se i pari. Përveç ankthit se Trampi mund të fitojë, dezinformimi brenda SHBA-së, shteteve të Evropës dhe të Ballkanit do të rritet.

Shtetet e Ballkanit vazhdojnë të mbeten në tehun e mpretë të “thikës” ruse dhe forcave radikale. Pasi rajoni i Ballkanit ka një përzierje të fortë etno-fetare, do të jetë e vështirë të parandalohen të gjitha sulmet hibride nga jashtë. Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut në prill-maj dhe ato lokale në veri të Kosovës që duhet të organizohen, kanë gjasa të mëdha të ndikohen nga jashtë. Nuk ekziston ndonjë zgjidhje magjike për të luftuar dezinformimin gjatë fushatave zgjedhore e në veçanti në Balkan dhe në hapësirat ku konfliktet janë ende të hapura.

Faza aktuale mund të quhet një çrregullim në kohë të ndryshimeve të mëdha në politikën ndërkombëtare, atë të rivendosjes së sferave të interesit në shumë fusha. Pasi Rusia nuk po mposhtet lehtë, dhe mbetet ende në Ukrainë me mundësi të sfidojë në vitet që vijnë Perëndimin dhe shtetet e Ballkanit, operacionet klandestine, narativat etnike- racore- fetare dhe dezinformimi do të shfrytëzohen mirë gjatë vitit zgjedhor nga SHBA-ja, BE-ja e deri në Ballkan. Duke folur për zhvillimet reale në Ballkan, dhe në Ukrainë, në vendet në të cilat SHBA-ja dhe BE-ja kanë premtuar më shumë se ndihma financiare, mund të ndodh të mbesin të parealizuara për arsye të vështirësive të përmendura më lartë, pra të kapaciteteve të instituconeve për të përballuar krizat e brendshme dhe kërcënimet hibride. Në këtë çrregullim gjeopolitik, secili aktor (shtet) synon të mbrojë veten dhe të rrisë fuqinë sulmuese.

Andaj viti zgjedhor në demokracitë e konsoliduara dhe të brishta nuk do të jetë aq i lehtë. Lufta aktuale mund të konsiderohet si angazhimi më i madh i Perëndimit pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas Luftës së Ftohtë për ndikim. Këtu sigurisht se do të ketë gabime në politikat e shteteve të Perëndimit në Ballkan dhe në zonat e luftës. Fitues dhe humbës të plotë nuk do të ketë. Duke e shfrytëzuar fuqinë e Inteligjencës Artificiale, rezulton se “sfidat ndaj demokracisë në rajonet kritike dhe implikimet e tyre gjeopolitike do të rriten në dy dekadat e ardhshme”.

Çrregullimi i paraqitur pas 2022-ës, për ndikim në gjeopolitikën e re do të ketë efekte serioze në të gjithë hemisferën perëndimore dhe jugore, e në veçanti mund të shkatërrojë ëndrrën e qeverive ballkanike dhe shteteve që janë në mes të konfliktit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.