Dergja e arsimit shqip në RMV po vazhdon

Shkruan: Syrja Etemi

Politika e papërgjegjshme arsimore në RMV, vazhdimisht po e eklipson profesionin tonë dhe arsimin në përgjithësi në të gjitha nivelet, veçanërisht në arsimin fillor dhe të mesëm dhe, për fat të keq, kjo praktikë, në mënyrën dhe formën më të sofistikuar, ende po vazhdon. Kur përmendim binomin: arsim dhe edukim, në këtë rast, menjëherë në horizont të shpërfaqet një nebulozë a mjegullnajë, e cila drejtpërdrejtë të asocon në “krizë”. Dhe, në këtë kontekst, Hannah Arend do të përgjigjej në vend: “ Një krizë kthehet në katastrofë, vetëm atëherë kur asaj i qasemi apo i përgjigjemi me gjykime të parakonceptuara, përkatësisht me paragjykime”.

Ajo që dua të them drejtpërdrejtë në këtë rast (nga përvoja ime mbi tridhjetë vjeçare në arsim), është fakti se, në këtë rrugëtim profesional kam arritur në një konstatim apodiktiv empirik, i cili indicon në faktin se: “Shkolla jonë e deritanishme ka synuar dhe po pretendon akoma – mbushjen e kokës së fëmijës e, jo formimin e tij.” Dhe, kur kësaj problematike i shtojmë edhe stereotipat predominante me primesa të ndasive ndëretnike të cilat reflektohen në këto përmasa dhe dimensione, në mënyrë të padiskutueshme dhe imediate “ndryshimet” apo reformat po ngulfaten në vend dhe, më në fund mbesin vetëm një dëshirë në letër.

…Të kridhemi in medias res apo në thelb të çështjes, duke filluar nga “gatuesit” e planeve dhe programeve mësimore, ku përgjithësisht, me ndryshimet e reja në kl.I dhe VI, madje, edhe me këto Materiale aktuale mësimore, po dëshmohet në mënyrë eklatante se edhe kësaj radhe nuk u respektua e s’po përfillet përfaqësimi adekuat i të gjithë participientëve në përpunimin dhe përgatitjen e dokumenteve të tilla, prandaj, si bashkëpunëtor profesional (pedagog shkollor) shumëvjeçar, në raport me tendencat dhe pretendimet e MASH për “reformimin” e sistemit arsimor (në arsimin nëntëvjeçar), i parashtroj këto pyetje të hapura:

  1. Pse mbi 90% e “autoriteteve” të arsimit (grupeve të punës) për ezaurimin dhe koncipimin e planeve dhe programeve arsimore i përkasin vetëm njërës bashkësi etnike, gjegjësisht-përkatësisë etnike maqedone?
  2. Pse nxënësit e bashkësisë etnike shqiptare (por edhe të bashkësive tjera etnike në vend) sipas planeve ekzistuese mësimore për arsimin fillor nëntëvjeçar, nuk kanë fond javor të barabartë të orëve mësimore dhe numër të barabartë të orëve ditore mësimore?
  3. Me faktin e mësipërm, autoritetet arsimore si lejojnë të cënohet e drejta për barabarësi të të gjithë fëmijëve pa dallim të përkatësisë etnike, fetare, gjuhësore, por pse jo edhe të proveniencës kulturore në shtet?
  4. Pse për një grup nxënësish, e njëjta lëndë mësimore është “lëndë e detyrueshme” nga klasa e katër, ndërsa për grupin e tjetër të nxënësve, nga klasa gjashtë nuk është e “obligueshme”, që do të thotë se ndryshon tretmani i lëndës me status: “Lëndë zgjedhore”?
  5. Pse dukuria e ashtuquajtur “mbingarkesë” tek nxënësit e bashkësive tjera etnike (përveç maqedonasve), të jetë me prevalencë më të madhe?
  6. Pse të mos suprimohet apo të hiqet ndonjë lëndë mësimore, qoftë nga ato të obligueshme apo zgjedhore, dhe të barazohet apo nivelizohet fondi javor i orëve mësimore për të gjithë nxënësit në RMV)?
  7. Kur dijmë që 40% e nxënësve në vend mësojnë në gjuhë tjetër nga maqedonishtja, pse të mos jenë, të paktën, 40% të hartuesve të teksteve – autorë jomaqedonasë?
  8. E,pse edhe pas mbi 30 vjet të tranzicionit të shoqërisë akoma, në vend të reformave në arsim, manifeston më tepër ekzibicionizëm sesa ndryshime të vërteta që do të avansonin kualitetin e mësimit dhe dijes në shkollën tonë të dergjur nën kthetrat e politikës gllabëruese e arogante?
  9. Pse lejohet që, ende të bëhet teatër e të luajë “majtap” politika me punën më të shenjtë të shoqërisë së përparuar?
  10. Pse hala po hesht MËSUESI ynë, PRINDI YNË, SHKOLLA DHE POLITIKA JONË E MEFSHTË, kur akoma nxënësit tonë të pafajshëm akoma i plasohen tekste të çoroditura dhe antikombëtare (të tipit të mëposhtëm)?
Foto: Syrja Etemi
Foto: Syrja Etemi

(Në materialet mësimore të Historisë për nxënësit e klasës VII të arsimit fillor nëntëvjeçar, të autorit, Mr. Dimitar Dimeski, vetëm ikonografia kishtare ortodokse-sllave nuk lë vend për komentim. Ndërsa në Materialet tjera mësimore nga Historia dhe Shoqëria për nxënësit e klasës V të arsimit fillor nëntëvjeçar, të bashkëautorëve: Valentina Angelkovska dhe Zhaklina Ristovska, botimi I këtij viti, përveç vërejtjeve të shumta, në faqen 18 dhe 19 arrin kulmi, ku, në leksionin me titull: PËRKATËSIA E GRUPEVE TË NDRYSHME, vetëm shembulli I nga përkatësia etnike shqiptare mungon. Shih SHEMBULLI 1 : … JAM NXËNËSE NË KLASËN V c. UNË MËSOJ NË SHKOLLËN FILLORE: “GOCE DELLÇEV”. UNË JAM MAQEDONASE. Shih SHEMBULLI 2: … JAM NXËNËSE NË KLASËN VI b. UNË MËSOJ

Foto: Syrja Etemi
Foto: Syrja Etemi

NË SHKOLLËN FILLORE: “TEFEYUZ”. UNË JAM TURK. Shih SHEMBULLI 3: UNË JAM MJEK. PUNOJ NË SPITALIN: “PRIMA”. UNË JAM ITALIAN.

VETËM SHEMBULLI I NJË SHKOLLE SHQIPE DHE I NJË NXËNSI I PËRKATËSISË ETNIKE SHQIPTARE MUNGON. KA MAQEDONAS, TURK, ITALIAN.

Shtrohet pyetja që, akoma nuk po gjen përgjigje: KU ËSHTË PRINDI E MËSUESI YNË, SHKOLLA JONË, PUSHTETI LOKAL, PUSHTETI “DEMOKRATIK” që “synon vlerat Europiane”?