Deputeti dhe ish-ministri Ljupço Nikollovski u mor në pyetje nga policia me kërkesë të Prokurorisë
Prokuroria po zhvillon një çështje kundër deputetit të LSDM-së, Ljupço Nikollovski, ish-ministër i Bujqësisë. Ai u thirr në stacion policor për intervistë informative gjashtë ditë më parë, konfirmoi Ministria e Brendshme për “Skopje1”, pasi ky informacion u publikua dje në disa portale, transmeton Portalb.mk.
Ministria e Brendshme nuk zbulon se për çfarë bëhet fjalë në këtë rast. Dihet vetëm se Nikollovski është marrë në pyetje nga një inspektor i Njësisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion.
“Aktivitetet janë duke u zhvilluar, pas së cilës do ta informojmë publikun në përputhje me rrethanat”, tha Ministria e Brendshme.
Sipas informacioneve jozyrtare të cituara nga disa media, procedura është për një tender të supozuar dhe abuzimin e tij. Sipas të njëjtave informacione, ai kishte vlerë 800.000 euro.
Pas marrjes në pyetje reagoi Nikollovski, i cili tha se ky është një “rast i kurdisur”, me të cilin, sipas tij, qeveria aktuale po përpiqet të shpërqendrojë vëmendjen nga problemet në bujqësi dhe skandalet aktuale.
“Një rast i kurdisur. Kaq i duhej udhëheqjes aktuale për të mbuluar paaftësinë dhe krimin e vet, dhe duke sulmuar reformën më të suksesshme në bujqësi”, shkroi Nikollovski.
Ai vlerëson se rasti po hapet në një kohë kur, siç pohon ai, ka pakënaqësi të madhe midis fermerëve për shkak të vonesave në subvencione, çmimeve të ulëta të blerjes dhe thirrjeve të anuluara për zhvillim rural.
“Kur qeveria nuk mund të merret me problemet reale, makineria e propagandës vihet në punë për të shpërqendruar”, shton Nikollovski.
Në reagimin e tij, ish-ministri i referohet reformave që u zbatuan gjatë mandatit të tij, duke theksuar se u hapën mbi 270 verari të reja familjare, u legalizuan mbi 4,000 prodhues të vegjël ushqimorë dhe u krijuan rreth 1,000 etiketa të reja verërash maqedonase.
“Kjo është reforma për të cilën po sulmohem”, deklaron ai.
Nikollovski gjithashtu pretendon se rasti nuk ka të bëjë me shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik, as nuk rrjedh nga një ankesë nga fermerët.
“Ky nuk është shkelje e Ligjit për Prokurimin Publik, as ankesë nga fermerët. Ky është një rast i sajuar që synon të largojë vëmendjen nga problemet reale”, shkruan Nikollovski.
Në postim, ai përmend gjithashtu rastet aktuale që lidhen me institucionet në sektorin bujqësor, duke përfshirë, siç thotë ai, “drejtorin e arrestuar të Agjencisë së Pagesave”, “skandalin IPARD” dhe “drejtorin e arrestuar të Inspektoratit Bujqësor”.