Debat: Tragjeditë në “Kolektiv” në Rumani dhe “Puls” në Maqedoni si një mësim për autoritetet

Në debatin kushtuar mësimeve të marra nga tragjeditë me zjarret në klubet e natës, si ai në klubin “Kolektiv” në Bukuresht dhe “Puls” në Koçan, përfaqësuesit nga Rumania dhe Maqedonia ndanë përvojat me të cilat u përballën dhe mënyrat se si institucionet reaguan pas këtyre fatkeqësive. Fokusi i ngjarjes ishte solidariteti, gatishmëria institucionale dhe ndërtimi i sistemeve më efikase për reagim emergjent, transmeton Portalb.mk.

Eventi i titulluar “Bukuresht – Koçan: Shërimi përmes unitetit – mësimet e marra dhe rruga drejt shërimit” u hap nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Michalis Rokas, i cili tha se procesi i shërimit duhet të udhëhiqet bashkërisht dhe kujtoi se edhe vendet anëtare të BE-së kanë përvoja të vështira me zjarre dhe fatkeqësi të mëdha.

“Ngjarjet e këtilla janë një moment kur duhet të identifikohen dobësitë në sisteme, të përforcohen kapacitetet dhe të sigurohen burime për përballje më efikase me krizat e ardhshme”, tha Rocas.

Në këtë aktivitet u drejtua edhe ambasadorja e Rumanisë, Adela Monica Axinte, e cila theksoi se qëllimi i debatit nuk është imponimi i modelit rumun, por shkëmbimi i qasjeve dhe mësimi i përbashkët nga krizat.

“Jemi këtu për ta ndarë perspektivën tonë dhe mënyrën se si në Rumani arritëm të ndërtojmë një sistem të integruar që kontribuon në shpëtimin e miliona jetëve”, tha Axinte, duke shtuar se në Rumani çdo vit me emergjenca përballen rreth tetë milionë njerëz.

Sekretari shtetëror i mbrojtjes civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rumanisë, Dr. Raed Afrat, mbajti një prezantim në të cilin i krahasoi në detaje dy aksidentet me zjarre. Ai theksoi se edhe shkaku i fatkeqësisë që ndodhi në një klub nate në Rumani në vitin 2015 ishte përdorimi i mjeteve piroteknike dhe se fatale ishte shkuma akustike nga poliuretani që është një material që ndizet shumë lehtë.

“Bëhej fjalë për një situatë të jashtëzakonshme të një shkalle të gjerë. Në ditën e parë vdiqën 27 persona, jo të gjithë u identifikuan, në ditën e dytë tre, në ditën e shtatë dhjetë. Gjithsej pati 64 të vdekur dhe 188 të lënduar”, tha ai.

Klubi “Kolektiv” që ndodhej në një fabrikë të vjetër në Rumani funksiononte me një dalje evakuimi të mbyllur, pa leje adekuate për mbrojtje nga zjarri dhe në një hapësirë ​​të projektuar për 80 persona. Në të ka pasur 400, tha Afrat, duke bërë një paralele me klubin “Puls” në Koçan.

“Shumë nga të mbijetuarit pësuan djegie në kokë kur shkuma akustike nga poliuretani ra nga çatia”, tha ai.

Ajo që e ndërlikoi më tej shpëtimin ishte mungesa e Mekanizmit evropian të mbrojtjes civile në atë kohë, i cili mundëson transferimin e shpejtë dhe të koordinuar ndërkombëtar të pacientëve dhe shpërndarjen e burimeve brenda Bashkimit Evropian. Afrat bëri një paralele me zjarrin në Crans-Montana ku u aktivizua ky mekanizëm, gjë që mundësoi një qasje më të mirë institucionale.

Një aspekt pozitiv i përvojës rumune është hapja e një linje telefonike të veçantë përmes së cilës të afërmit e të lënduarve mund të zbulonin se ku ndodheshin ato dhe si ishte gjendja e tyre. Afrat iu referua edhe zbatimit të të ashtuquajturit “Plan i Kuq”, një protokoll kombëtar emergjence që aktivizohet në fatkeqësi me viktima të shumta, me qëllim mobilizimin e shpejtë të shërbimeve mjekësore dhe të shpëtimit për të shpëtuar sa më shumë jetë. Të gjithë të mbijetuarit u transportuan në spitale falë automjeteve mjekësore, të cilat mund të akomodojnë deri në katër persona.

“Brenda një kohe sa më të shkurtër që ishte e mundur në vendngjarje u dërguan 42 ambulanca dhe 168 zjarrfikës, si dhe 56 persona nga shërbimi mjekësor i urgjencës. Kjo u bë e mundur sepse Bukureshti ka një numër të madh ekipesh, ndryshe nga qytetet më të vogla. Brenda një ore e gjysmë u evakuua edhe pacienti i fundit. Më lehtë të lënduarit, të cilët ishin në gjendje të ecnin, u drejtuan vetë në spitale”, theksoi Afrat.

Siç theksoi Afrat faza më e vështirë ishte transportimi i pacientëve të lënduar rëndë, ndërkohë që shtoi se kishte presion të madh nga familjet dhe media për një transferim urgjent edhe kur mjekët nuk ishin dakord.

“Presioni për t’i nxjerrë pacientët nga vendi ishte i madh, edhe pse kishte rrezik që disa të mos mbijetonin. Humbëm tre pacientë, njëri vdiq gjatë ngritjes së aeroplanit. Nuk ishte vendimi më i mirë dhe ne transferuam gjithsej 44 pacientë”, tha Afrat.

Ai tha edhe se në periudhën pas zjarrit tragjik u përhapën shumë dezinformata dhe lajme të rreme, përfshirë edhe të tilla ku thuhej se trupat e viktimave ishin fshehur në qese. Pastaj, siç shtoi ai, ra edhe Qeveria në Rumani.

Afrat tha se në fund në situata të tilla të rëndësishme janë tre mësime: sistemi funksional i thirrjeve emergjente dhe ekipe të gatshme për reagim të shpejtë, që nënkupton koordinim të fuqishëm midis institucioneve; krijimi i një mekanizmi të integruar ndërkombëtar për mbrojtjen dhe transferimin e të mbijetuarve; si dhe bashkëpunimi i qartë me sektorin e shoqërisë civile dhe median, me qëllim parandalimin e përhapjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme në momente të ndjeshme dhe traumatike.

Në fund të debatit ambasadori zvicerian në Maqedoninë e Veriut, Christoph Sommer, përcolli disa mesazhe. Ai theksoi se fatkeqësi të tilla mund të ndodhin në çdo kohë dhe në çdo vend, duke thënë se përgjegjësia ndahet edhe nga institucionet që e lejojnë funksionimin e objekteve pa i përmbushur plotësisht kriteret e sigurisë. Ai gjithashtu e theksoi solidaritetin si një lidhje kyçe midis vendeve që kanë përjetuar tashmë tragjedi të ngjashme dhe atyre që përballen me një krizë të re.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë.

Tetë muaj pas aksidentit, 37 të pandehur u ulën në bankën e të akuzuarve, nga të cilët 34 ishin individë dhe tre ishin persona juridikë. Pronarë baresh, menaxherë, inspektorë, roje sigurie, nëpunës civilë dhe ish-kryetarë komune janë të akuzuar.

Nga ana tjetër zjarri në diskotekën “Kolektiv” në Bukuresht të Rumanisë, ndodhi më 30 tetor të vitit 2015, ku si pasojë e një zjarri humbën jetën 64 njerëz dhe 146 kishin rezultuar të plagosur