Debat “Cybershake”: Me rritjen e fuqisë së kompjuterëve, Deepfake do të bëhet përditshmëri

Deepfake do të bëhet përditshmëri. Me rritjen e fuqisë së kompjuterëve përsosen algoritmet. Nevojiten fushata për ta edukuar popullatën që të jetë e kujdesshme kur konsumon lajme, ndërsa në shkolla nevojitet edukim mediatik.Këto janë disa nga konkluzionet kryesore të diskutimit të sotëm me temën e eventit “Cybershake” – diskutim për të rinjtë “Deepfake ose realitet”, që u zhvillua sonte në lokalin “Kotur”, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Para audiencës së re folën zëvendëskryeredaktorja e Meta.mk, Meri Jordanovska, profesori nga FSHIIK, Ivan Çorbev, si dhe Bojan Stojkovski, kryeredaktor i portalit IT.mk. Ngjarja u moderua nga gazetarja e Meta.mk, Antonija Janevska.

Profesori Çorbev tha se deepfake është gjenerimi i përmbajtjeve të rreme multimediale – video, foto, tinguj, por theksoi se shumë video në fakt janë bërë me Photoshop-im.

“Lufta në Ukrainë është një shembull ku shumë shpesh të dyja palët postojnë foto të ndërtesave të shkatërruara nga tanket. Nuk është e lehtë të verifikohet nëse ai objekt është me të vërtetë ai që ata na bindin se është. Duhet të merren imazhe nga Google Maps, pastaj nga Google Street View. Duhet bërë përpjekje për të ditur nga një foto e thjeshtë nëse një raketë e ka goditur me të vërtetë atë ndërtesë”, tha profesori Çorbev.

Duke folur mbi atë se si të reagohet për ta hequr ndonjë përmbajtje të caktuar deepfake, ai tha se gjëja më e rëndësishme është të reagohet shpejt tek platforma që ta heqë atë video.

“Aktorët, kur janë viktima të pornografisë hakmarrëse (revenge porn), e kanë të vështirë ta gjurmojnë personin që e ka krijuar atë video. Më së shpeshti ata zgjedhin opsionin për ta hequr videon sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse ka një rast si ky me një reagim të shpejtë në rrjetet sociale ato përmbajtje hiqen, ata në fakt kanë obligim ligjor të veprojnë”, shtoi Çorbev.

Gazetarja Jordanovska tha se fatmirësisht kjo teknikë nuk është mjaft e zhvilluar në vendin tonë.

“Kam frikë se çfarë do të ndodhë kur të zhvillohet “deepfake”-u. Ne jemi vazhdimisht viktima të lajmeve të rreme, dezinformatave, fotove të vjetra të fotoshopuara. Është sikur ne jemi të prirur të luajmë me këto mjete të reja që na sjellin argëtim, por nga ana tjetër, pasojat mund të jenë të mëdha. Nga verifikimi i fakteve hasim në fotografi të fotoshopuara, apo një foto të vjetër të bërë për t’u dukur si e re”, tha ajo.

Sa i përket përmbajtjeve deepfake që i referohen pornografisë, Jordanovska tha se ato bëhen me qëllimin kryesor për ta diskredituar një grua, për të treguar se ajo është e pamoralshme dhe për ta denigruar.

“Konteksti fillestar i deepfake-ut është të shkatërrosh dikë, ta dëmtosh atë. Kjo është bartur edhe në politikë, sidomos tani që kemi zgjedhje në BE, në SHBA, edhe në vendin tonë dhe këtu kjo teknikë mund të bëjë shumë dëm”, thekson Jordanovska.

Stojkovski, nga ana tjetër, në fjalimin e tij theksoi se në media mund të vihet re se nuk është aspak e lehtë të dallohet se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është deepfake.

“Ka pasur media që publikuan drejtpërdrejt video deepfake. Pasi u mor vesh se ishin “deepfake” i hoqën ato video, por disa edhe i mbajtën”, tha ai.

Në debat, pjesëmarrësit patën mundësinë që nëpërmjet një kuizi t’i testojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre për t’i dalluar videot e rreme të krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale, të cilat shpërndahen masivisht në rrjetet sociale, madje edhe në media, e që kanë për qëllim përhapjen e dezinformatave. Ajo me të cilën u pajtuan të pranishmit është se është e nevojshme që fëmijët që nga mosha më e re të mësojnë për këtë dhe të rriturit përmes fushatave të edukohen për përmbajtjet e rreme.

Në kuadër të evenimentit u zhvillua edhe një kuiz me pyetje për deepfake, bazuar në atë që u tha në diskutim, ndërsa IT.mk ndau tre çmime – vendi i parë: vauçer 1500 denarë për IT dyqanin e tyre+ anëtarësim Premium për përmbajtjet e tyre, vendi i dytë: anëtarësim Premium për përmbajtjet e tyre, si dhe vendi i tretë: Anëtarësim Basic për përmbajtjet e tyre.