Dashuri fluide

“Love is a net cast on eternity.”

(Dashuria është një rrjetë e hedhur në përjetësi)

Zygmunt Bauman

Intervista e fundit e autorit të këtij shkrimi është ajo e javës së kaluar dhënë një TV-je nacionale lidhur me divorcet e shpeshtuara ndër ne dhe globalisht që po lëkundin individë, familje dhe shoqërinë çdo ditë e më tepër; 9.4 % më tepër divorce në vitin 2023 në RMV krahasur me vitin atë paraprak. Prishjet e lidhjeve martesore po ordinarizohen si fenomen, madje edhe shoqëritë “më pak të emancipuara”, me një kod të theksuar familjar. Ndërkohë jemi duke redaktuar një libër mbi Atësinë digjitale.

Gjatë leximit para na del një term, gjegjësisht libër i ri për ne: Dashuri e lëngët (Liquid Love), që mban firmën e sociologut me famë Zygmunt Bauman. Dhe me të analizuar pak veprën mësojmë edhe një dimension të cilin nuk e përmendëm në intervistë lidhur me këtë problematikë. Sintagma dashuri e lëngët ka të bëjë me ndikimin kulturor të mendësisë komsumatore të kohës sonë mbi sjelljet në marrëdhëniet interpersonale romantike. (Maximilian, 2017)

Termi i shpikur nga Bauman thotë se parimi i konsumit, apo më mirë me thënë kultura dhe ideologjia e konsumit shpien drejt faktit social novitet, risi: trajtimit të martesës si një lidhje romantike me përcaktues ekonomik, ku dashuria konsiderohet si mall ose produkt që është subjekt i rregullave të ekonomisë së tregut. Në këtë drejtim në funksion është “investimi”, mundësitë/alternativat e pasosura (webfaqet e “takimeve” virtuale, p.sh. Tinder) dhe “kthimi i investimit”. Pra marrëdhëniet mes dy gjinive që dikur janë dukur konstante, sot e humbin qëndrueshmërinë e vet, bëhen gjithnjë e më fluide, më labile, më të thyeshme.

Ky libër i Baumanit, që është si shtojcë veprës Jetë e lëngët (Liquid Life), përbën një përshkrim apokaliptik të fragjilitetit së raporteve ndërnjerëzore në këtë epokë që prodhon lidhje të fleksibile që kanë bile edhe akronimet e veta. Ndër kreaturat e kësaj lëngshmërie është edhe termi semi-detached couple (çift-gjysëm i ndarë), term absurd që shumë individë ua sugjerojnë partnerëve të vet si një udhë e mesme mes, nga njëra anë, “të pandashmive deri në frymën e fundit” dhe, nga ana tjetër, atyre që klithin “aman, sa më larg meje” ose “kurrë mos t’i pafsha sytë”, pra kompromis mes frikës nga vetmia dhe tmerrit nga të qenët në lidhje.

Shkencëtari në fjalë shprehet i gërditur nga një kontekst i tillë ku nuk është rrokur e vërteta e dashnisë, e cila nuk është gjë të cilës i vihet pikë, që kompletohet, përmbyllet dhe aq, por një diçka në ndërtim e sipër (Olivo, 2024), që kërkon këqyrje dhe kultivim.

Prishja e lidhjeve të natyrshme dhe afatgjata të dashurisë që janë tipike për shoqërinë tradicionale ose paramoderne është shkaktuar mes tjerash edhe nga globalizimi (shoqëria e lëngët), nga keqpërdorimi i internetit; brishtësia e marrëdhënieve të internetit dhe të emisioneve banale, të reality show-ve, të VIP magazinave të së dielave ku afirmohen “kërcimi lule më lule”, tradhtitë dhe dashuritë në prapaskenë apo jashtëmartesore.

Sot dashuria e komodifikuar apo e materializuar, reifikimi apo objektivizmi i estetikes dhe kënaqësisë/erosit human përmes medias rozë dhe rrjeteve sociale është shndërruar në model për lidhjet e jetës reale ku përkushtimi është bërë raritet. “E pas përkushtimit qëndron ndjenja e përgjegjesisë dhe e transcendencës personale që të rinjtë e sodit nuk janë të gatshëm ta bartin mbi supe.” (bebamur.com) Sot dashuria e cila është imperativ dhe e pakushtëzuar (unconditional) është reduktuar në një gjë që kallet e fiket si një monitor, si një dritë.

(Carlini, 2014) Sot njerëzit hyjnë në lidhje me dikë sikur janë duke bërë shoping, pra pajisjen apo mallin gjë të del qejfit pas një kohe të caktuar e ndryshon me një diçka tjetër, thjesht blen një gjë të re në vend të saj, duke mos çarë shumë kokën për gjënë e kaluar që e ke pasur.

Kjo është dashuri që mund të quhet sipërfaqësore (superficial love) apo antidashuri. Pra, në shoqërinë post-moderne apo të hiperglobalizuar shumicën e gjërave i perceptojmë si produkte; i marrim me ngazëllim, përfitojmë prej tyre dhe më pas i hedhim këtej.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.