Danimarka dhe Grenlanda propozuan mision të NATO-s në Arktik

Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, ka bërë të ditur se Danimarka dhe Grenlanda i kanë propozuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, krijimin e një misioni të Aleancës në Arktik, transmeton Portalb.mk.

Deklarata u bë pas një takimi në Bruksel me Rutten dhe shefen e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas. Në konferencë mori pjesë edhe ministrja e Jashtme e Grenlandës, Vivian Motzfeldt.

Poulsen konfirmoi se propozimi është diskutuar, por nuk tregoi se cili ishte reagimi i Rutte.

Ai tha se Danimarka do të vazhdojë dialogun me SHBA-në dhe nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për komunikim.

Poulsen paralajmëroi se një tërheqje e SHBA-së nga NATO do të krijonte sfida serioze për sigurinë evropiane. Ai shtoi se disa deklarata të Donald Trumpit janë “lënduese”.

Nga ana e saj, Motzfeldt tha se bashkëpunimi mes aleatëve mbetet i hapur dhe i përqendruar në mbrojtjen e përbashkët. Ajo theksoi se siguria e Grenlandës është e lidhur ngushtë me atë të SHBA-së.

Motzfeldt shtoi se Grenlanda synon të përfaqësojë interesat e popullit të saj dhe të kontribuojë në zgjidhje që janë në dobi të tyre.

Grenlanda, territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës, ka rëndësi strategjike për shkak të pozicionit gjeografik dhe burimeve të pasura minerale.

Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA-ja duhet ta blejë Grenlandën për arsye sigurie kombëtare, nuk e ka përjashtuar as mundësinë e aneksimit. Ai ka kërcënuar me tarifa ndaj aleatëve që e kundërshtojnë këtë ide.

Danimarka dhe Grenlanda kanë refuzuar çdo propozim për shitje.