Çmimet e karburanteve ranë, biletat e transportit ndërurban mbetën të shtrenjta (Infografik)

Çmimet e derivateve të naftës nëpër stacionet e karburantit në vendin tonë u stabilizuan, por çmimet e biletave të autobusit për transport ndërurban, edhe përkrah uljes së çmimeve të karburanteve, mbeten të larta. Transportuesit privatë nuk tregojnë se pse nuk i ulin çmimet e biletave ashtu siç i rritën kur u shtrenjtuan në mënyrë marramendëse edhe karburantet, ndërsa shoqatat e tyre këtë gjendje e arsyetojnë me “rritjen e shpenzimeve të tjera”. Kërkojnë subvencione nga shteti, ndërsa Qeveria tani për tani nuk ka në plan t’i kufizojë çmimet e biletave të autobusit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Transporti ndërurban në Maqedoni tashmë disa muaj konsiderohet si posaçërisht i shtrenjtë dhe i bën shtypje buxhetit të qytetarëve.

Tre vitet e kaluara, nga fillimi i pandemisë së Kovidit, çmimet e karburanteve filluan të rriten, me çka në qershor të vitit të kaluar e arritën edhe rekordin, ku një litër Eurodizel atëherë kushtonte 110 denarë. Njëkohësisht, benzina Eurosuper BS – 95 arriti çmim më të lartë prej 111,5 denarësh për litër, ndërsa benzina 98 oktanësh arriti çmimin rekordi prej 113,5 denarësh për litër.

Mirëpo, çmimet e karburanteve tani janë stabilizuar dhe janë në nivelin në të cilin ishin në shkurt të vitit të kaluar. Për momentin karburanti dizel kushton 72 denarë për litër, benzina Eurosuper BS-95 ka çmim prej 83 denarësh për litër, ndërsa benzini 98 kushton 85 denarë për litër.

Edhe përkrah uljes së çmimeve të karburanteve, biletat e transportit me autobus nëpër vendin tonë i “ruajnë” çmimet e tyre të rritura në verën e kaluar dhe tani për tani nuk ka shenja se do të pësojnë ulje. Meta.mk në vitin që shkoi në disa raste shkruante për shtrenjtimin e biletave ndërurbane të autobusit dhe për ndikimin e tyre mbi qytetarët.

Ndër kategoritë më të prekura janë studentët që studiojnë jashtë vendbanimit të tyre. Ato posaçërisht janë të goditur nga çmimet “deri në tavan” që i imponuan transportuesit me autobusë, sepse më shpesh udhëtojnë në relacion prej shtëpisë së tyre deri te qyteti ku studiojnë dhe anasjelltas.

Shumica e transportuesve nuk ofrojnë zbritje për studentët, ndërsa disa as bileta kthyese

Nëse, për shembull, një student që udhëton nga Kumanova deri në Shkup para disa viteve ka paguar 100 denarë për biletë autobusi në një drejtim, vitin e kaluar kjo kushtonte 150 denarë, e tani edhe 170 denarë.

Studenti që studion në Shkup, e jeton në Tetovë, më parë ka paguar 120 denarë në një drejtim, ndërsa tani paguan nga 200 denarë.

Nëse doni të udhëtoni prej Gostivari për në Shkup ose anasjelltas, më parë për një biletë do të paguanit 250 denarë, ndërsa tani një biletë në një drejtim do t’u kushtojë 350 denarë, gjegjësisht çdo transportues i ka rritur çmimet për 100 denarë. Nga ana tjetër bileta kthyese, që ka kushtuar 400 denarë, tani kushton 550 denarë.  

E ngjashme është situata edhe në lindje të vendit, ku qendra universitare është Shtipi. Në këtë rajon, një nga transportuesit më të mëdhenj është “Strumica Ekspres”, që menaxhon me stacionet e autobusit në Strumicë dhe Radovish.

Bileta nga Strumica deri në Shtip që ka kushtuar 250 denarë, u shtrenjtua në disa raste – në fillim në 270, pastaj në 300, 320, e tani kushton 340 denarë në një drejtim. E njëjta biletë, por në drejtim anasjelltas është edhe më e shtrenjtë, për shkak të verifikimit që e paguajnë qytetarët në stacionin e autobusëve në Shtip.

Studenti që udhëton prej Velesi drejt Shtipit, nëse dikur ka paguar 170 denarë, tani për një drejtim paguan 210 denarë me “Strumica Ekspres”-in dhe 250 denarë me “Avto Atom”-in e Koçanit ose me “Galeb”-in e Ohrit. Njëherit, asnjëri nga këto transportues nuk ofron bileta kthyese për këtë relacion.

Transportuesi “Strumica Ekspres” nga fillimi i pandemisë së Kovidit i ka tërhequr biletat kthyese në shumicën e relacioneve ku operon dhe ende nuk i kthen. Për këtë arsye, studentët, por edhe qytetarët e tjerë të lindjes dhe juglindjes së vendit që nuk kanë zgjedhje dhe janë të detyruar t’i shfrytëzojnë shërbimet e “Strumica Ekspres”-it tashmë nuk mund ta shfrytëzojnë benefitin e biletës kthyese më të lirë, por janë të detyruar të paguajnë shuma të plota për bileta në një drejtim.

Bileta nga Shtipi drejt Shkupit me “Strumica Ekspres”-in kushton 360 denarë në një drejtim, nga Radovishi drejt Shkupit kushton 520 denarë, ndërsa nga Shkupi drejt Strumicës në një drejtim paguhet bileta deri në 680 denarë. Ky transportues është i vetmi në të cilin mund të hipni që të arrini nga kryeqyteti deri në Strumicë ose Radovish.

Infografik

Nëse para dy vitesh bileta kthyese nga Berova për në Shkup ka kushtuar 600 denarë, e njëjta tani kushton 930 denarë.

Ne raste të caktuara, te disa transportues bileta kthyese tani kushton njëjtë sa ka kushtuar bileta kthyese në relacionin e njëjtë para dy vitesh.

Pas qetësimit të pandemisë së Kovidit dhe stabilizimit të çmimeve të karburanteve, një pjesë e transportuesve, përsëri i vendosën ose i kthyen zbritjet për studentët nëpër biletat e autobusit.

Kështu, biletë kthyese midis Koçanit dhe Shkupit me transportuesin “Avto Atom” kushton 660 denarë, ndërsa me legjitimim studenti është më e lirë për 110 denarë dhe kushton 550 denarë.

Zbritje për studentët ofron edhe “Transkop” – Manastir. Nga ky qytet deri në Shkup, bileta kthyese kushton 950 denarë, ndërsa për studentët kushton 850 denarë.

Për relacionin Ohër-Shkup-Ohër, bileta kushton 1.240 denarë, por me zbritjen për studentë e njëjta kushton 890 denarë.

Infografik

Transportuesit heshtin, shoqatat i arsyetojnë

Meta.mk dërgoi pyetje deri te disa nga transportuesit më të mëdhenj në vend – “Rule Turs” – Shkup, “Strumica Ekspres”- Strumicë, “Euroturist” – Gostivar, “Transkop” – Manastir dhe “Galeb” – Ohër. Këto transportues i pyetëm se a i kanë ulur çmimet e biletave për transport ndërurban tani kur karburantet u liruan dhe nëse përgjigja është negative, pse nuk janë korrigjuar çmimet.

Deri në këtë moment, asnjëri nga këto transportues nuk e mori mundimin t’u përgjigjet pyetjeve për çmimet më të larta që i paguajnë qytetarët.

Nga Shoqata “Transport Legis” që i përfaqëson shumicën e transportuesve me autobusë në vend, thonë se karburantet nuk janë faktori i vetëm që e përcakton çmimin e biletave të autobusit.

“Nuk është vetëm çmimi i karburanteve, por janë shpenzimet e rritura edhe për materialet e tjera – gomat, vaji motorik, regjistrimi, pagesat rrugore që u vendosën në pjesën lindore të vendit”, tha në deklaratë për meta.mk kryetari i “Transport Legis”, Jovan Mateniçarski.

Mateniçarski thotë se kapacitetet e autobusëve, në krahasim me vitin 2019, tani kanë rënë në 40 përqind.

“Për këtë arsye, transportuesit nuk mund të përballojnë t’i qarkullojnë të gjithë linjat, të japin rroga, t’i regjistrojnë të gjithë autobusët”, thotë Mateniçarski.

Në pyetjen se pse disa transportues nuk ofrojnë bileta kthyese për transport më të lirë, Mateniçarski thotë se kjo gjë nuk është e paraparë me asnjë ligj dhe se transportuesit vetë vendosin se a do të ofrojnë bileta kthyese.

Kryetari i shoqatës “Transport Legis” thotë se kanë kërkuar ndihmë nga shteti në formë subvencionesh, sipas shembullit të subvencionimit të transportit hekurudhor edhe atij ajror.

“Ne kemi reaguar disa herë deri te Ministria e transportit dhe Qeveria që të na japin subvencione që të mund t’i ulim çmimet dhe të jenë linjat rentabile. Problem tjetër i madh me të cilin ballafaqohen transportuesit me autobusë janë edhe transportuesit jolegalë që qarkullojnë, nuk paguajnë tatim, ndërsa i marrin udhëtarët e transportuesve legalë. Prandaj janë çmimet e këtilla, autobusët qarkullojnë me kapacitet më të ulët, numër më të vogël të udhëtarëve, ndërsa transportuesit jolegalë ua marrin të ardhurat”, thotë Mateniçarski.

Meta.mk adresoi pyetje edhe deri te Qeveria se a planifikon shteti që të vendosë ose të ndërmarrë masa rreth çmimeve të biletave te transportuesit me autobusë, ndërsa prej atje thonë se për momentin nuk është sjellë vendim në lidhje me këtë çështje.

“Në lidhje me pyetjen tuaj ju themi se çmimet e biletave të autobusëve për transport ndërurban janë vlerë e tregut dhe i përcaktojnë vetë transportuesit. Ju informojmë se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ka sjellë vendim në lidhje me këtë çështje, nëse ka vendim publiku menjëherë do të jetë i njoftuar”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.  

Ndërkohë, shteti e ktheu transportin hekurudhor falas për studentët çdo të enjte dhe çdo të dytën fundjavë të muajit. Ne fakt transporti hekurudhor është më i liri në vend. Për dallim nga bileta e autobusit, bileta për udhëtim me tren kanë çmim të njëjtë për më gjatë se një dekadë.

Mirëpo, jo çdo qytet ose vendbanim është i lidhur më hekurudhë. Madje edhe atje ku ka hekurudhë, nuk qarkullojn më trena. Kështu, tashmë një periudhë më të gjatë nuk ka tren drejt Kërçovës dhe Koçanit, e nga janari i këtij viti u ndërpre qarkullimi i trenit midis Shkupit dhe Kumanovës, dy komunave më të mëdha në vend.

Për këtë arsye, studentet dhe të gjithë qytetarët që jetojnë nëpër qytetet që janë të çkyçur nga linjat hekurudhore janë të detyruar të paguajnë më shumë për biletat e autobusit. Zgjedhje tjetër kanë transportin personal, por edhe taksistët jolegalë që e shfrytëzojnë momentin e transportit marramendës të shtrenjtë me autobus.