Cipras: BE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar duhet t’i thonë qartë pasojat e mosrespektimit të Marrëveshjes së Prespës

Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të shprehin qartë pasojat që do të ketë mosrespektimi i Marrëveshjes së Prespës në rajon dhe veçanërisht në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Kështu deklaroi dje ish-kryeministri grek Aleksis Cipras i cili mori pjesë në Komitetin e Ballkanit Perëndimor të Këshillit të Evropës, ku fokusi i bisedimeve ishte rëndësia e Marrëveshjes së Prespës për paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, raporton media greke “Prototema”, transmeton Portalb.mk.

Në takim mori pjesë edhe ish-kryeministri grek Jorgo Papandreu, i cili theksoi se për sa kohë rajoni është i prekshëm nga konfrontimet nacionaliste, ai do të zhytet në destabilitet dhe konflikte të reja. Sipas tij, është e nevojshme që vendet të respektojnë parimin e fqinjësisë së mirë, duke theksuar rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës.

Sipas Ciprasit, duhet të bëhet një luftë aktive kundër nacionalizmit dhe destabilizimit në rajon, dhe kjo, siç theksoi, para së gjithash nënkupton mbështetjen e Marrëveshjes së Prespës, si dhe një rol dinamik diplomatik të Bashkimit Evropian në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fund, ai vuri në dukje nevojën që bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht BE-ja, të qartësojnë qartë pasojat që do të ketë mosrespektimi i Marrëveshjes në rajon dhe veçanërisht në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

Në takim morën pjesë edhe profesorët Konstantinos Filis nga Greqia dhe Kristijan Fidanovski nga Maqedonia e Veriut.

Ish-kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, më 17 dhe 18 qershor të këtij viti në Athinë organizuan Konferencën Ndërkombëtare për Paqe dhe Zhvillim të Qëndrueshëm me rastin e gjashtë vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës.

Ngjarja u organizua nga fondacioni “Zaev” dhe instituti “Aleksis Cipras”.

Kjo konferencë dyditore u paralajmërua më herët me një kolumnë të përbashkët të Zoran Zaevit dhe Aleksis Ciprasit, në të cilën ata i bënë thirrje BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë të qartë se respektimi i Marrëveshjes së Prespës është rruga e vetme e vendit drejt procesit të anëtarësimit.

Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë rritur tensionet midis tyre, të cilat erdhën pasi gjatë betimit që bëri presidentja e re e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, përmendi vetëm emrin Maqedoni në vend të emrit kushtetues të shtetit, Maqedoni e Veriut.