Çfarë thonë nënat për gjidhënien, sa e stimulojnë pediatrit ushqyerjen ekskluzive me qumësht gjiri?

Me temën “T’i kapërcejmë barrierat: mbështetja e ushqyerjes me gji në të gjitha situatat”, Java Botërore e Ushqyerjes me Gji 2024 nga OBSH fokusohet në rëndësinë e gjidhënies, pavarësisht nga rrethanat e ndryshme të secilës grua dhe çdo familjeje. Por, sa stimulohet gjidhënia? Flasin pediatrit, ndërsa sa e vështirë është të jesh nënë gjidhënëse na rrëfejnë për Portalb.mk dy nëna.

Kemi lexuar për përfitimet që sjellë për fëmijën dhe foshnjën ushqyerja me gji. Por, edhe përskaj këtyre leximeve shumica e nënave sado që insistojnë shpesh dështojnë në këtë proces i cili duket i lehtë por realisht, fakti që kohëve të fundit më shumë nëna i ushqejnë foshnjat artificialisht flet për një problem, a heqin dorë se kanë zgjidhje apo ku qëndron problemi.

Sipas pediatres Teuta Jakupi dhurata më e çmuar e natyrës është qumështi i nënës dhe gjidhënia, asgjë tjetër nuk mund ta zëvendësojë lidhjen e thellë që krijohet nëpërmjet gjidhënies.

“Çdo foshnjë e sapolindur ka të drejtë të ushqehet me qumështin e nënës. Pediatrit, të cilët i njohin në thellësi vlerat e qumështit të gjirit, i inkurajojnë nënat të ushqejnë foshnjet e tyre me gji. Kur një pediatër është i vendosur në këtë drejtim, nënat e reja ndihen të mbështetura dhe binden që t’i ushqejnë me gji foshnjën e tyre.’’ Sipas saj, gratë duhet të insistojnë pak më shumë që të japin gji”, thotë Jakupi.

Fotografi personale e pediatres Teuta Jakupi
Fotografi personale e pediatres Teuta Jakupi

Ajo thekson se vetëm në raste të veçanta, kur nëna ka ndonjë sëmundje ose merr ilaçe që mund të transmetohen te fëmija përmes qumështit të gjirit, ose në rastet kur nëna nuk ka fare qumësht, gjë që ndodh, atëherë është i justifikuar përdorimi i formulave të qumështit, të cilat janë të shumta në numër.

“Dihet që në të kaluarën, nënat u ndikuan nga reklamimi i formulave të qumështit dhe u larguan nga gjidhënia duke mos dashur të humbasin nga komforti dhe bukuria e tyre. Por, shkenca ka provuar se nuk ka zëvendësues për qumështin e nënës”, tha ajo,

Të njëjtin mendim e ndan dhe pediatri Gjylajdin Fetahu i cili për Portalb.mk thotë se nënat e reja duan te jenë nëna sa më të mira, që fëmija e tyre te jetë sa më i zhvilluar dhe gjidhënies i shtojnë edhe qumësht pluhur.

“Kjo sprovë e bart fëmijën kah qumështi artificial sepse aty nuk mundohet (unë them një herë thithën,10 herë rrjedh) e në gji thithet më vështire. Shpesh shtesën e qumështit e bëjnë edhe mjekët familjarë, bile edhe ca pediatër kur shohin se një fëmijë nuk zhvillohet mirë me parametrat e duhur.’’ Ai faktorët dështues i sheh te ‘’ Shpejtimi i nënës, këshillat e gabuara për gji dhënie, mos zhvillimi i duhur në peshë, sëmundjet e nënës, defekte të lindura të bebes kur pengohet thithja(p.sh. e çara e buzës etj.)”, tha Fetahu.

Fotografi personale e pediatrit Gjylajdin Fetahu
Fotografi personale e pediatrit Gjylajdin Fetahu

Sipërmarrësja dhe specializantja e dermatologjisë Elita Masha thotë se është gjithmonë pro gjidhënies.

“Janë disa raste që nënat kanë/prodhojnë me pak qumësht gjiri pas lindjes, Por mendoj që kjo ka të bëjë më shume me mungesën e informacionit dhe udhëzimeve tek nënat. Është proces i natyrshëm që pas lindjes vjen laktacioni ose qumështi, te nëna lehonë me qëllim të ushqej fëmijën. Janë shume të rralla rastet që një proces i tillë nuk ndodh, ndaj formulat janë një zgjidhje dhe zëvendësim i mirë”, tha Masha.

Ajo theksoi se është pro gjidhënies deri në moshën një vjet e gjysmë, sepse vazhdon të jetë ithtare e metodës së vjetër të të ushqyerit ku fëmijët duhet të fillojnë me konsum të ushqimeve të ndryshme në moshën 6 mujore.

“Ashtu kam bërë me të dy fëmijët e mi. Përveç vlerave të larta ushqyese për fëmijën që janë të njohura për te gjithë, proteina, minerale, karbohidrate, yndyrëra si dhe stimulimit të forcës mendore te fëmijët dhe rritjes së IQ, të gjitha këto shkencërisht të dëshmuara. Do të theksoj edhe disa përfitime që gji dhënia i ka për nënën : lidhje e fortë psiko- emocionale me fëmijën, forcim i instinkteve amnore, ushtrim i qetësisë dhe durimit, lehtë i transportueshëm dhe i sigurt si ushqim. Ajo thekson po ashtu se ‘’hormoni që prodhohen gjate këtij procesi, i njohur si ‘’oxytocina’’ ndihmon në përshpejtimin e rikthimit të mitrës në gjendjen e mëparshme si dhe reduktimin e gjakosjeve post- partum. Këto janë benefite shëndetësore shumë të rëndësishme, ajo që është jetike dhe me e pa çmuar është mundësia e mishërimit me fëmijën në një dimension të pa përsëritshëm ne jetë për një femër, nënë!’’ përfundon Masha.

Fotografi personale që stimulon gjidhënien Elita Masha, sipërmarrëse, specializante e dermatologjisë
Fotografi personale që stimulon gjidhënien Elita Masha, sipërmarrëse, specializante e dermatologjisë

Aktorja Mona Mustafa tregon se tre fëmijë i ka rritur me qumësht gjiri, gjegjësisht “prej 2019 e deri tash vazhdoj të jap gji”.

“Stimulimi për gjidhënie është me pak stres, gjumi, por këto janë më tepër luks, sepse ne si nëna s’ka shanse ta kemi këtë privilegj, nga faktorë të ndryshëm. Por, më e mira janë suplementet, multivitaminat, supa, mish, perimet, frutat, dhe numër një UJI, duhet të qëndrojmë të hidratuara! Gjidhënia është mirë, sepse lidh fëmijën me nënën, kontakti në sy, koncentrimi për fëmijën dhe fokusi në momentin që i flasim bebit, fëmijës, është mirë të mbahet deri në 2 vjet, përtej kësaj moshe fëmija rritet më shumë, dhe normalisht që është mundim për nënën, po flas duke u bazuar nga vetja kuptohet, fëmija duhet te hajë ushqime të llojllojshme që i ndihmojnë në rritje dhe zhvillim! Por, sido që të jetë, gjidhënia është procesi më i bukur që mund t’i ndodhë një nëne”, tha Mustafi.

Fotografi personale që stimulon gjidhënien, aktorja Mona Mustafa
Fotografi personale që stimulon gjidhënien, aktorja Mona Mustafa

Për nënat që nuk kanë arritur të përjetojnë këtë proces por kanë dashur, të mos ndihen keq, pasi kanë provuar. Askush nuk thotë që ushqyerja me qumësht formulë është e dëmshme, por gjithnjë duhet favorizuar dhe mbështetur ushqyerja natyrore.

Java Botërore e Ushqyerjes me Gji, e cila festohet çdo vit nga 1 deri më 7 gusht, është një fushatë globale e koordinuar nga Aleanca Globale për Veprimin e Ushqyerjes me Gji (WABA) për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të inkurajuar te nënat ushqyerjen me gji.