Çdo i treti qytetar në Maqedoninë e Veriut ka dhënë ryshfet që t’i kryhet ndonjë punë, alarmoi raporti i QMBN-së

Çdo i treti qytetar në Maqedoni ka dhënë ndonjë lloj ryshfeti që t’i kryhet ndonjë punë. Këtë e tregojnë të dhënat e raportit të fundit për vlerësimin e korrupsionit të Qendrës së Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, një pjesë të vogël të së cilit sot prezantoi drejtori i QMBN-së, Aleksandar Kërzhalovski, në ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit – 9 dhjetor, dhe paralajmëroi se hulumtimi në tërësi do të publikohet në ditët në vijim, raporton MIA.

Kërzhalovski në fjalimin e tij para të pranishmëve në ngjarjen theksoi se ajo që matën në raportin e fundit është se ndryshe nga vitet e kaluara kur korrupsioni perceptohej si një problem kryesor në shoqëri, tani ai është në vendin e dytë.

Korrupsioni është një problem serioz, i cili është i përhapur gjerë dhe për fat të keq mjaft i pranuar, tha Kërzhalovski.

Është vënë re një përkeqësim i presionit për korrupsion krahasuar me raportin e mëparshëm, kur ai ishte në rënie. Sipas të dhënave në raportin e fundit, siç theksoi Kërzhalovski, 37 përqind të qytetarëve u është kërkuar ryshfet, e 31 përqind e tyre kanë dhënë ndonjë lloj ryshfeti që t’i kryhet ndonjë punë.

Gjyqtarët dhe prokurorët publikë si individë janë në fund të listës së besimit, ndërsa në fund është edhe gjyqësori-prokuroria si institucion, ndërsa këtu besimi te deputetët dhe politikanët nuk është shumë i lartë, por besimi te Parlamenti si institucion është në një nivel të lartë.

Lidhur me besimin në institucionet që luftojnë korrupsionin, Kërzhalovski tha se KSHPK-ja mbeti në të njëjtin nivel prej 32 për qind, ndërsa besimi në MPB-në është rritur në 50 për qind.

Ben Nupnau, Zëvendës Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian, theksoi mbështetjen e vazhdueshme që BE-ja i ofron vendit në luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit, por theksoi se pavarësisht mbështetjes evropiane, ata që janë kyç në këtë proces janë liderët politikë.