Çarshia e Shkupit: Shumë probleme dhe vizitorë, pak punë dhe (mos) mirëmbajtje

Infrastrukturë e dëmtuar, biznese që nuk mund të riparojnë objektet e tyre, mjete transportuese të cilat qarkullojnë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Këto janë vetëm disa nga problemet e pazgjidhura të cilat mbeten peng i kompetencave dhe përgjegjësive të cilat institucionet i bartin nga njëra te tjetra për këtë aset socio-ekonomik. Portalb.mk sjell një pasqyrë gjithëpërfshirëse të problemeve për këtë trashëgimi kulturore.

Pavarësisht se është një nga atraksionet turistike më të mëdha në vend, Çarshia e Vjetër e Shkupit ballafaqohet me probleme të natyrave të ndryshme si: mos respektimi i orareve të paracaktuara për mjetet që transportojnë për nevojat e bizneseve që operojnë në Çarshi, motoçikletat, monopatinat, ndriçimi jofunksional në disa pjesë, (mos) mirëmbajtja dhe probleme tjera me të cilat përballet ky lokacion me vlerë të veçantë kulturore.

Për të mos u mjaftuar me këto, Çarshia e Vjetër e Shkupit vitin e kaluar u godit edhe nga krimi i organizuar për shkatërrimin e egër të trashëgimisë kulturore dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare për Çarshinë, për çka Prokuroria filloi hetimet për 11 persona.

Qytetarët duan Çarshi më të mirë

Qytetarët vendas që intervistoi ekipi ynë theksojnë se Çarshia po merr pamjen të mire kohëve të fundit, por ende ngelen shumë problem për tu zgjidhur.

“Kohët e fundit vërejmë se Çarshia po merr pamjen që meriton, dhe po shndërrohet në një lokacion të preferuar për rininë. Motoçikletat ngelen sfidë për sigurinë e kalimtarëve, por apelojmë edhe te bizneset të respektojnë oraret e paracaktuara në tabelë të cilat qëndrojnë në hyrje të Çarshisë, ngase të njëjtit dëmtojnë kalldrëmin, gjë që simbolizon këtë lokacion. MPB duhet të shtojë patrullat policore dhe të rrisë dënimet”, tha një qytetare.

Çarshia e Vjetër e Shkupit, foto nga Portalb.mk
Çarshia e Vjetër e Shkupit, foto nga Portalb.mk

“Mendoj se duhet t’i kushtohet kujdes të veçantë pastërtisë. Këto ditë pas reshjeve kemi akoma mbetje të zhavorrit dhe mbetjeve tjera që sjell era. Në disa rrugë mungon edhe ndriçimi, disa prej tyre lidhin direkt lagjet me Çarshinë. Do ishte mirë për sigurinë tonë dhe vizitorëve të rivendosen këto drita.” tha një qytetar.

Ngecje nga autoritetet

Nga Komuna e Çairit njoftojnë se Çarshia e Vjetër e Shkupit është e ndarë mes tyre dhe Komunës Qendër, ndërkaq kompetencat për ndërhyrje a ndërtime i përkasin Ministrisë për Transport dhe Lidhje dhe Ministrisë së Kulturës. Fari Hiseni, zëdhënës në Komunën e Çairit bën të ditur se vetë Komuna duhet të merr leje nga dy institucionet e lartpërmendura për të zhvilluar ndonjë projekt.

“Kjo nënkupton se edhe Komuna e Çairit si person juridik aplikon në marrjen e lejeve në këto dy institucione, nga ku edhe në vazhdimësi kemi ngecje në realizimin e projekteve infrastrukturore dhe ngjashëm”, tha Hiseni.

Fari Hiseni, foto nga Portalb.mk
Fari Hiseni, foto nga Portalb.mk

Hiseni më tej për Portalb.mk tha se Komuna e Çairit mbështet aktivitetet kulturore artistike si dhe ato infrastrukturore. Këto ditë po realizohen dy projekte, edhe atë Porta që lidh Tregun e Gjelbër me Çarshinë dhe rikonstruimi i kalldrëmës në rrugën “Papuxhiska”.

“Pavarësisht burokracisë së tepruar dhe labirinteve ligjore, Komuna e Çairit në vazhdimësi është në mbështetje të zhvillimit dhe promovimit të Çarshisë së Vjetër të Shkupit dhe gjithmonë ka qenë në dispozicion për tu dal në ndihmë esnafëve të Çarshisë si dhe qytetareve me kapacitetet me të cilat disponojmë”, shtoi Hiseni.

Pyetëm edhe Ministrinë e Kulturës, por nga atje nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Mirëmbajtje dhe buxhete të vogla për Çarshinë

Afed Jashari ekspert i fushës së Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore thekson se për mirëmbajtjen e Çarshisë buxhetet janë të pakta, por se duhet të kërkohen edhe nga fondet ndërkombëtare.

“Sa është bërë për Çarshinë e Vjetër, asnjëherë nuk është shumë. Buxhetet që korrespondon shteti ynë janë të pakta, ne do duhet të inicojmë e lidhim bashkëpunime me institucionet ndërkombëtare që të thithim fonde që i ndajnë për ruajtjen e autenticitetin e Çarshisë së Vjetër e Shkupit. Duhet një ri-konzervim i objekteve të dëmtuara, këtë e kërkon edhe vet BE, dhe kanë shprehur vullnet të ndihmojnë”, tha Afed Jashari.

Çarshia “magnet” për turistët

Çarshia e Vjetër edhe pse me shumë mangësi dhe problem, mbetet ndër atraksionet më të vizituara në vend.

Jashari theksoi se Çarshia ka shumë objekte të periudhave të ndryshme historike, si të tilla janë aset ekonomik për turistët që vizitojnë vendin tonë.

“Turistët janë të interesuar të shohin të vjetrën e asaj që ka qyteti i Shkupit dhe Maqedonia e Veriut si shtet. Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka dalje në det, dhe e vetmja alternativë është zhvillimi i vendeve të mbrojtura me ligj, siç janë çarshitë e vjetra, turizmin malor etj”, tha Afed Jashari.

Derisa ishim në Çarshi, takuam disa turistë nga Kroacia, ata theksuan se Çarshinë kanë ardhur ta vizitojnë për shkak të historisë, ata porositën se atraksionet e tilla duhet të ruhen me kujdes të veçantë, ngase të njëjtat janë autentike.

“Jemi turist kroat, vijmë nga një qytet bregdetar, por këto ditë vere vendosëm të vizitojmë Shkupin dhe Ohrin… Pjesën më të madhe të kohës e kemi kaluar në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Këtu gjen monumente dhe kulte me rrëndësi të veçantë dhe autentike, ndaj do doja që qytetarët vendas të kujdesen e t’i ruajnë të njëjtat”, thanë turistët.

Çarshia e Vjetër në Shkup
Çarshia e Vjetër në Shkup

Bizneset: T’i largojmë paragjykimet, ta duam Çarshinë

Së fundmi në Çarshi po hapen lokale të ndryshme dhe kafene, të cilat frekuentohen nga të rinjtë vendas por edhe turistët.

Një sipërmarrëse e një kafeneje në rrugën Salih Asim, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit tha se duhet t’i largojmë paragjykimet dhe murrët e ndërtuara në kokat tona, e të vizitojmë Çarshinë.

“Pa paragjykime dhe pavarësisht përkatësisë etnike, të gjithë ne e duam Çarshinë e Vjetër të Shkupit, dhe jemi pjesë e saj. Të gjithë ata që kanë ndonjë paragjykim i mirëpresim të vijnë të na vizitojnë, e t’i largojmë ato murre që kanë ndërtuar në kokat e tyre”, tha sipërmarrësja.

Sipërmarrëse në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, foto nga Portalb.mk
Sipërmarrëse në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, foto nga Portalb.mk

Mbrojtja dhe ruajtja e kulturës “sfiduese”

Bujar Dullovi kryetar i Shoqatës “Esnaf” të zejeve që ndodhen në Çarshinë e Vjetër, për redaksinë e Portalb.mk tha se ky lokacion me rëndësi të veçantë, u nda në disa institucione dhe kompetenca.

“Për një problem infrastrukturor apo në objektin ku zhvillon biznesin, një sipërmarrës duhet të marr leje nga disa institucione, gjë që mund të zgjat edhe me vite”, tha Dullovi.

Ai shtoi se si shoqatë bashkë me “Odën e Zejtarëve”, nëpërmjet organizimeve të ndryshme përpiqen të ringjallin zejet, ndërsa apeloi që edhe qytetarët dhe institucionet të kujdesen më shumë për Çarshinë.

Nga ana tjetër, Aneta Atanasovska nga “Oda e Zejtarëve” theksoi se Çarshia e Vjetër e Shkupit, duhet të jetë qendra e zejtarëve, siç ka qenë vitet e shekujt e kaluara.

“Për fat të keq, shumë prej zejeve nuk janë më në Çarshinë e Vjetër, të tjerat janë deficitare. Ne kemi dorëzuar deri tek organet kompetente iniciativa për t’i liruar zejtarët nga tatimet, në mënyrë që zejtarët që shkojnë drejtë pensionimit, të zëvendësohen nga familjarët që duan të ndjekin profesionet e njëjta”, tha Aneta Atanasovska.

Aneta Atanasovska, drejtoreshë e Odës së Zejtarëve, foto nga Portalb.mk
Aneta Atanasovska, drejtoreshë e Odës së Zejtarëve, foto nga Portalb.mk

Çarshia shërben edhe si urë bashkëjetese midis etniteteve dhe kulturave. Këtë na e dëshmoi Illço, kapelë punuesi i cili që nga mosha 6 vjeçare filloi me këtë profesion.

“Ne jemi gjenerata e tretë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në këtë zeje jam që nga mosha gjashtë vjeçare. Çarshia për mua është e bukur, dhe me njerëz të mirë. Poqë se doni të shihni se çka është bashkëjetesë ju lutem ejani te Illço dhe shihni me kë pi çaj e kafe në mëngjes”, tha Illço.

Illço Trajkovski, kapelë-punues (zejtar), foto nga Portalb.mk
Illço Trajkovski, kapelë-punues (zejtar), foto nga Portalb.mk

Ndërkaq Bashkësia Fetare Islame (BFI) kërkon që qiramarrësit të ruajnë autenticitetin e Çarshisë së Vjetër, Fidush Bajrami theksoi se e një pjesë e madhe e objekteve në Çarshinë e Vjetër e Shkupit, janë pronë e BFI-së, se kanë kërkuar nga qiramarrësit të respektojnë origjinalitetin e Çarshisë.

“Duke ditur vlerën e saj kulturore dhe historike dhe interesit në rritje për ta shndërruar Çarshinë në atraksion turistik, BFI nga qiramarrësit e saj gjithmonë në kontratë ka theksuar rëndësinë e mirëmbajtjes dhe kujdesit të objekteve me qëllim të ruajtjes së origjinalitetit dhe autenticitetit të Çarshisë së vjetër”, tha Ibraimi.

BFI apeloi që autoritetet përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe kujdesin ndaj Çarshisë së Vjetër dhe qytetarët ta ruajnë këtë trashëgimi dhe ta bartin në formën e saj autentike në gjeneratat e ardhshme.

Fidush Ibrahimi, drejtor i sektorit të informacionit dhe botimeve në BFI, foto nga arkivi personal
Fidush Ibrahimi, drejtor i sektorit të informacionit dhe botimeve në BFI, foto nga arkivi personal

Megjithatë ende ka shpresë

Në një nga argjendaritë e Çarshisë takuam një djalë të ri i cili ishte “çirak” në biznesin e të atit. Ai theksoi se në mënyrë vullnetare ka shprehur dëshirë të ndjekë profesion që ushtron babai i tij.

“Ky është viti i tretë me radhë që në mënyrë vullnetare vij në biznesin e babit dhe ndjek proceset prodhimit të stolive nga argjendi. Besoj se vitin e ardhshëm do të regjistrohem në një nga drejtimet profesionale që kanë të bëjnë me metalurgjinë, e pastaj ta trashëgoj si profesion dhe traditë familjare” tha i riu.

Zejtar riosh në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, foto nga Portalb.mk
Zejtar riosh në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, foto nga Portalb.mk

Pak histori

Çarshia e Vjetër e Shkupit si lokacion biznesi daton që nga shekulli XII. Me ardhjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, u shndërrua në qendër kryesore të tregtisë së qytetit. Në të ndodheshin xhami, karvansaraje dhe hane.

Gjatë periudhave të ndryshme historike e njëjta u godit nga fatkeqësi natyrore dhe dy luftërat botërore, por me iniciativë të sipërmarrësve që kanë bizneset aty pranë, u rindërtua duke ruajtur autenticitetin, deri në ditët e sotme.

Më 13 tetor të vitit 2008 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u miratua ligj i posaçëm për Çarshinë e Vjetër të Shkupit, si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë.