Buxheti i drejtësisë nuk është vetëm për pagat e gjykatësve dhe prokurorëve
Reduktimi i buxhetit të drejtësisë vetëm në paga për prokurorët dhe gjykatësve është e vërtetë e pjesshme dhe një lloj manipulimi. Sqarimi i dhënë më 24 shtator 2025 nga Mickoski se do të rriteshin pagat e administratës së drejtësisë, gjithashtu nuk i zgjidh problemet në tërësi. Sepse efikasiteti i drejtësisë nuk varet vetëm nga prokurorët dhe gjykatësit, por edhe nga plotësimi i tërësishëm i kuadrit, që nënkupton edhe fonde për hetues dhe ekspertiza pranë Prokurorisë, apo nëpunës gjyqësorë pranë gjykatave, si dhe sigurimin e kushteve materiale për funksionimin si të Prokurorisë, ashtu edhe të gjyqësorit. Përveç kësaj, duhet të sigurohet edhe pavarësia në shpenzimin e atyre parave, natyrisht me raportim të saktë për çdo denar të shpenzuar, si dhe për efikasitetin e tyre, që janë të obliguar ta paraqesin para Kuvendit dhe para opinionit publik, shkruan Vërtetmatësi.
Shkruan: Teofil Blazhevski
Opinionin publik dhe partitë politike sërish i ka trazuar një deklaratë e kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me reformat në drejtësi (më 23.09.2025), në të cilën ai i shpjegoi ato reforma si një grup prej 6 ligjesh, qëllimi përfundimtar i të cilëve është rritja e buxhetit për Prokurorinë dhe për gjyqësorin – para që do të shkonin për rritjen e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve, për të cilët kryeministri tha se “ka dilema nëse i meritojnë edhe këto paga që i marrin tani”.
E gjithë deklarata e kryeministrit Mickoski, dhënë si përgjigje ndaj një pyetjeje të medias për dënimin e mjekes në rastin “Onkologjia”, mund të ndiqet përmes agreguesve mediatikë si Tajm.mk, ose në tërësi, si deklaratë e shpërndarë nga Qeveria (shih pas minutës së 11-të në video, këtu).
Përveç reagimeve nga opozita – LSDM, si dhe reagimeve nga Shoqata e Gjykatësve, Shoqata e Prokurorëve Publikë dhe të tjerë, shumë i rëndësishëm është edhe konteksti kryesor – e ai është sqarimi i pyetjes pse është kaq i rëndësishëm elementi i buxhetit që u vihet në dispozicion gjyqësorit dhe prokurorisë.
Reagime fillestare nga fusha e drejtësisë
Fusha e drejtësisë, shoqatat e gjykatësve dhe të prokurorëve publikë reaguan menjëherë ndaj deklaratës së Mickoskit për pagat e gjykatësve dhe prokurorëve, duke theksuar dy momente. I pari është se pagat nuk janë edhe aq të larta krahasuar me vëllimin e punës që ata kanë, dhe i dyti është se pagat nuk lidhen vetëm me gjykatësve dhe prokurorët.
Sa i përket “temës së përjetshme” të pagave të gjyqtarëve në vend, Shoqata e gjykatësve do t’i bëjë publikisht të ditura faktet, të cilat janë të verifikueshme dhe të qasshme për opinionin, e ato janë se pagat e numrit më të madh të gjykatësve në Gjykatat Themelore në RMV, me të ashtuquajturin “rritje” prej 78 përqindësh, arrijnë deri në 86.000 denarë, ndërsa të ardhurat e nëpunësve gjyqësorë janë jashtëzakonisht të ulëta dhe nën pagën mesatare në RMV. Të tilla paga të gjykatësve dhe, sigurisht, të nëpunësve gjyqësorë janë absolutisht më të ulëtat në rajon dhe më gjerë, njoftoi Shoqata e Gjyqtarëve, sipas mediave.
Nga Shoqata e Prokurorëve theksojnë se me ndarjet aktuale, të cilat me ligj duhet të jenë 0.4 përqind e ribalancit të buxhetit të vitit paraprak, ndërsa çdo vit marrin vetëm gjysmën e kësaj shume, mezi arrijnë të funksionojnë:
Që nga viti 2020, kur për herë të parë në Ligj u parashikua të ndaheshin 0,4% e buxhetit shtetëror për Prokurorinë Publike, deri më sot prokuroria çdo vit merr vetëm rreth gjysmën e këtyre mjeteve, për shkak se tashmë përballet me një sfidë serioze për të mbuluar shpenzimet bazë për funksionimin e Prokurorisë Publike, thuhet në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve, sipas mediave.
Nga kjo Shoqatë sqarojnë se këto mjete, të cilat gjithashtu i konsiderojnë si më të ulëtat në rajon, nuk janë vetëm për pagat e prokurorëve, por edhe për administratën në prokuroritë publike, për ekspertiza si dhe për funksionimin e të gjitha sistemeve dhe objekteve të tjera.
Prokurorët publikë dhe nëpunësit e prokurorisë kanë pagat më të ulëta krahasuar me të gjitha vendet e tjera në rajon. Numri i prokurorëve dhe i shërbimit prokurorial është shumë nën mesataren evropiane, megjithatë prokuroritë arrijnë të përballojnë fluksin e lëndëve dhe të zgjidhin rreth 20 mijë raste në vit, raportojnë mediat duke cituar pjesë të reagimit të Shoqatës së Prokurorëve Publikë.
Probleme të nënvlerësuara të stafit, kompjuterë të vjetër
Pa qëllim të anashkalohet çdo dobësi subjektive në funksionimin e Prokurorisë Publike (PP) dhe të gjyqësorit në nivel të të gjithë vendit, shoqatat e prokurorëve dhe të gjykatësve kanë të drejtë kur theksojnë se thelbi nuk qëndron vetëm te pagat e tyre. Kjo shihet më qartë në raportet vjetore për punën e PP-së në RMV.
Në këtë Raport për gjendjen e PP-së në vitin 2024, së pari vërehet një diferencë e madhe midis numrit të nevojshëm dhe atij real të prokurorëve publikë. Sipas sistematizimit për funksionim normal në Maqedoninë e Veriut nevojiten 261 prokurorë publikë, ndërsa deri në fund të vitit 2024 ishin të plotësuara vetëm 169 vende, duke munguar 92 prokurorë.
Edhe 4 prokurori publike në vend në vitin 2024 mbetën pa asnjë prokuror – Resen, Delçeva, Berovë dhe Kriva Pallankë. (fq. 10 dhe 11 të Raportit Vjetor për punën e PP-së në RMV)
Edhe më e madhe është diferenca midis nevojës për staf prokurorial dhe administrativ dhe gjendjes reale në të gjitha nivelet. Në fakt, deri në fund të vitit 2024 ishte regjistruar një nevojë për 1.126 vende pune, ndërsa ishin të mbushura vetëm 371 vende pune. Por, problemi me plotësimin e vendeve kryesisht është bllokuar nga autoriteti qendror, çka tregohet edhe nga ky paragraf i Raportit:
Gjatë vitit 2023, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut paraqiti një Plan Vjetor për punësim në vitin 2024, për 100 nëpunës prokurorialë dhe 50 ngritje në detyrë të nëpunësve prokurorialë, por për Planin Vjetor për vitin 2024, PP-ja në RMV mori një mendim negativ pa arsye të sqaruara dhe për këtë nuk ishte në gjendje ta realizonte planin (fq. 11 e Raportit).
Mangësia e stafit dhe e burimeve materiale në të cilën funksionon PP-ja në RMV mund të pasqyrohet më së miri nga gjendja e pajisjeve informatike dhe nevoja për specialistë IT:
Sistemet e të gjitha prokurorive publike në vend mbahen vetëm nga 6 punonjës – specialistë të IT-së, ndërsa interesi për t’u paraqitur në konkurs për këto vende pune ka qenë jashtëzakonisht i ulët gjatë viteve të fundit (fq. 12 e Raportit)…
Prokuroria Publike zotëron rreth 200 kompjuterë desktop, të cilët aktualisht janë më të vjetër se 10 vjet dhe me sistem operativ për të cilin ofruesi nuk jep më mbështetje. Për këto arsye lind domosdoshmëria për ndryshimin e paisjeve të vjetëruara, gjë që në periudhën e ardhshme do të sjellë implikime financiare shtesë. Në vitin 2024, sipas mundësive të buxhetit të miratuar, Prokuroria Publike arriti të blejë vetëm 50 kompjuterë desktop të rinj për nevojat e prokurorive (fq. 16 e Raportit).
Në fund (shih fq. 16/17), duhet të përmendet se për vitin 2024 Prokuroria ka marrë 870.221.000 denarë (mbi 14 milionë euro), ndërsa ishte kërkuar 1.299.240.000 denarë (rreth 20 milionë euro) nga Buxheti i RMV-së.

Gjyqësori kërkon pavarësi në shpenzimin e parave
Probleme të ngjashme, kryesisht të stafit, mund të gjenden edhe në gjyqësor, dhe kjo shihet më qartë nga Raporti vjetor për realizimin e buxhetit gjyqësor për vitin 2024. Ky raport u paraqit nga kryetari i Këshillit Gjyqësor, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Këshillit të Buxhetit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
Në përmbledhje, së pari theksohen planet për plotësimin e gjyqësorit me stafin e nevojshëm dhe refuzimi i këtyre planeve nga autoriteti qendror:
Në Planin Vjetor Unik për punësime në gjykata për vitin 2024 ishin parashikuar 255 punësime me kohë të pacaktuar dhe 168 ngritje në detyrë, në të cilat nga Ministria e Financave u kërkuan miratime të veçanta për punësime dhe ngritje në detyrë për secilën gjykatë, por nga Ministria për të gjitha kërkesat u dha një përgjigje negative (fq. 3 e Raportit).
Megjithatë, në fushën e pajisjeve teknologjike, gjyqësori ka bërë një hap më të madh përpara se Prokuroria, megjithatë ende jo të mjaftueshëm:
Në vitin 2024, me buxhet u siguruan mjetet e nevojshme për përfundimin e aktiviteteve të përmirësimit, instalimit dhe konfigurimit të sistemit Femida True Records për regjistrimin e seancave gjyqësore në gjykatat e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe kjo përfshinte 89 sisteme audio dhe 8 sisteme audio/video për regjistrimin e seancave në 31 gjykata në RMV. Në 22 gjykata u blenë 459 kompjuterë të rinj për shkak të zëvendësimit të kompjuterave me sistem operativ të vjetëruar (po ashtu fq. 3 e Raportit).
Edhe pse me Ndryshimet në Ligjin për Buxhetin Gjyqësor në vitin 2010 buxheti për çdo vit përcaktohet si një përqindje e PBB-së së realizuar gjatë vitit të kaluar (fq. 4), ky detyrim ende nuk është zbatuar, për çka autoritetet shprehin shqetësim:
Këshilli i Buxhetit Gjyqësor thekson shqetësimin se refuzimi i vazhdueshëm i një buxheti që është shumë nën 0,8% rrezikon pavarësinë e gjyqësorit dhe mund të përbëjë një pengesë në negociatat e ardhshme për anëtarësim në BE (fq. 8 e Raportit).
Në Raport theksohet se (edhe në gjyqësor), gjatë planifikimit të Buxhetit të RMV-së, pushteti ekzekutiv vazhdimisht cakton shumë më pak mjete sesa parashikohen me ligj, kështu që për vitin 2024 ishte parashikuar si “buxhet i propozuar 4.365.560.000 denarë” (rreth 71 milionë euro), ndërsa viti përfundoi me “të miratuara 2.647.694.000 denarë” (rreth 43 milionë euro) si shpenzime nga buxheti bazë i RMV-së (fq. 31/32 e Raportit).
Sa para, aq muzikë
Këto gjendje dhe shifra në drejtësi, të cilat po ashtu janë të njëjta për vite me radhë sa i përket nevojave dhe “kursimit” të të gjitha pushteteve ekzekutive deri tani – gjë që shihet edhe nga studimet e kryera dhe publikuara nga Fondacioni Metamorfozis – tregojnë qartë se reduktimi i këtij buxheti vetëm te pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve është e vërtetë e pjesshme dhe një manipulim.
Sqarimi i dhënë sot (24.09.2025) nga Mickoski se do të rriteshin pagat e administratës së drejtësisë, gjithashtu nuk i zgjidh problemet në tërësi. Sepse efikasiteti i drejtësisë nuk varet vetëm nga prokurorët dhe gjykatësve, por edhe nga plotësimi i tërësishëm i kuadrit, që nënkupton edhe fonde për hetues dhe ekspertiza të Prokurorisë, apo nëpunës gjyqësorë pranë gjykatave, si dhe sigurimin e kushteve materiale për funksionimin si të Prokurorisë, ashtu edhe të gjyqësorit.
Për më tepër, duhet të sigurohet pavarësia në shpenzimin e atyre parave (të vendosin vetë për punësimet, pagat, ngritjet në detyrë, trajnimet…), natyrisht me raportim të saktë për çdo denar të shpenzuar dhe për efikasitetin e tyre, që janë të obliguar ta paraqesin para Kuvendit dhe opinionit publik.