Bujqit e Maqedonisë së Veriut edhe një muaj do të kenë mundësi të aplikojnë për fondet IPARD 3

Afaristë, biznesmenë, bujq nga Struga dhe rajoni i Strugës kishin mundësi që të njoftohen me mundësitë dhe kriteret për aplikim dhe shfrytëzim të mjeteve nga programi i ri IPARD 3 në kuadër të fushatës “IPARD 3″ – mundësi të reja për bujqësinë e Maqedonisë së Veriut”, raporton MIA.

Viktor Mlladenovski nga sektori për menaxhim me IPARD pranë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave sqaroi se nga 1 shtatori është shpallur thirrje publike për masat 1 dhe 7, gjegjësisht për prodhimtari bujqësore primare dhe për diversifikim të prodhimtarisë bujqësore dhe zhvillim të bizneseve në mjedise rurale. Thirrja do të jetë e hapur deri më 15 tetor, me mundësi për vazhdim deri më 1 nëntor.

Jovanka Biljan partnere në NSHSHT “Biljanovi” Strugë ka përvojë shumëvjeçare me projektet IPARD. Deri më tani kanë realizuar tre projekte në kuadër të të cilave kanë blerë disa pajisje për industrinë ushqimore, ndërsa me masën 7 kanë kryer rekonstruim, mbindërtim dhe përmirësim të objektit – hotel dhe furnizim i tij. Për momentin informoi se punojnë në aplikimin e masës 3 dhe po përgatiten për furnizim të centralit fotovoltaik për industrinë ushqimore.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Agjencia Pagesore dhe Agjencia për Nxitje të Zhvillimit në Bujqësi janë në dispozicion të qytetarëve që t’i udhëheqin përgjatë gjithë procesit të aplikimit.