BRICS- një aheng privat i Putinit

Javën që shkoi, duket se lajm më i eksploatuar në media botërore ishte ai për mbajtjen e takimit të liderëve të shteteve që proklamojnë formimin e një organizate të re botërore në sferën e tregtisë, financave, industrisë dhe disa komponentëve tjera shoqërore, si kundërvënie integrimeve të shteteve perëndimore, madje edhe vet OBT-së (Organizatës Botërore të Tregtisë).

Por, ky tentim për shumë vite mbetet vetëm një ëndërr e një kumarxhiu për të fituar shumë para, por që s’ka mbushur as tiketën! Pra, kjo strukturë e themeluar që në vitin 2009, akoma nuk ka arritur diçka konkrete në drejtim të liberalizimit të tregtisë së përbashkët, aq më pak afër formimit të tregut të përbashkët. Këta vende pak apo më shumë janë autoritare, disa madje të talentuar edhe për kaos ndërkombëtar. Atje duket se çdokush mund ta shpreh mendimin e vet që aspak s’e mendon!

Akronimi BRICS vjen nga shtetet iniciatore për themelimin e saj (Brazil, Russia, India, China, South Africa). Prej ku kanë filluar, aty edhe kanë mbetur. Për 15 vite, Bashkimi Ekonomik Evropian (sot BE), kishte të ndërtuar një treg tejet të zhvilluar të përbashkët, kurse BRIKS edhe pas aq vite as që ka filluar me integrimin. Jo, rastësisht në këtë samit nuk pat shkuar as Vuçiqi si një “aleat natyror” i Rusisë, që së paku do kënaqte do epshe boshe të një pjese të madhe të opinionit të brendshëm serb.

BRICS, madje as që ka statusin formal të një organizate ndërkombëtare. Ajo është një organizatë joformale ndërkombëtare pa institucione, ku madje shumë anëtare mes veti s’kanë aspak marrëdhënie të mira. Madje disa shtete të pranishme janë tejet të armiqësuara mes tyre. Disa tjera që s’munden të luftojnë me mullinjtë me erë, vetëm se kthehen së koti kah frynë era.

Për t’u themeluar një organizatë ndërkombëtare së paku duhet një marrëveshje ndërkombëtare, një konventë apo një statut, të cilat BRICS as që i ka. S’ka as institucione, as organe, madje e as sekretariat si organ teknik-administrativ dhe operativ. Vendimet e BRICS-it nuk obligojnë askënd, pos atyre që vet duan të bëjnë diçka.

Në BRICS marrin pjesë edhe do shtete tejet të armiqësuara mes veti, madje edhe do të afërta me SHBA-të dhe Perëndimin. Kina dhe India ndeshen me incidente të shuma rreth Himalajeve. India njëherit është e lidhur për Britanisë së Madhe përmes Commonwealth-it. Arabia Saudite dhe Irani kanë marrëdhënie tejet të acaruara ngase ky i fundit financon Hutët e Jemenit që sulmojnë anijet transportuese të mallrave dhe tankerët perëndimor në ngushticën Bab-el-Mandeb. Po ashtu edhe Egjipti është i acaruar ngase Hutët sulmojnë lundrimin në Detin e Kuq dhe Kanalin e Suezit. Turqia është anëtare e NATO-s. Madje edhe shtetet më të fuqishme të BRICS-it Kina dhe India kanë këmbim marramendës tregtar me SHBA. Brazilia po ashtu.

Për vite angazhohen që dollarin amerikan ta heqin nga roli monopol në pagesat botërore, por pa asnjë sukses. Madje edhe mysafirët në Samitin e Kazanit në Rusi kishin qenë të detyruar hotelet dhe shërbimet t’i paguajnë në dollarë amerikan apo euro evropiane!

Andaj nga ky samit tejet teatral i BRICS-it ka pasur vetëm përfitime boshe. Më së shumti ka përfituar Putini, i cila më shumë se kurrë ka nevojë për lëvdata për konsumim të brendshëm, duke dashur që t’i tregojë popullatës së vet se nuk është aq i izoluar nga bota. Do shtete ishin aty në rolin e “dashnores së braktisur”, pasi që nuk marrin krejt atë që dëshirojnë nga vendet perëndimore, çojnë inatin e vet. Kurse Kina dëshiron të zgjerojë rolin e vet si patron lindor dhe njëherit t’i jep relevancë rolit të saj në tregtinë me këta vende.

Por, gjithsesi duhet potencuar se pas Kovidit, e veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë, OKB dukshëm është e dobësuar, e me te edhe vet Organizata Botërore e Tregtisë. Tani, bota është në pritje të një rendi të ri botëror me rregulla të reja, i cili domosdo do të duhet të jetë global. Përndryshe, si separate, bota do ndeshet me një luftë katastrofale botërore.