Blloku politik maqedonas dhe ai shqiptarë të ndarë rreth idesë për president konsensul

Partitë politike shqiptare dhe ato maqedonase kanë qëndrime të kundërta sa i përket idesë që presidenti i shtetit të zgjedhet në mënyrë konsensuale dhe në të ardhmen ai të zgjedhet në Kuvend dhe jo në zgjedhje, me votë të drejtpërdrejt të qytetarëve, shkruan Portalb.mk.

Partitë politike shqiptare synojnë që modeli i zgjedhjes së presidentit të ndryshohet në zgjedhjet e ardhshme. Sipas BDI-së, në këtë mënyrë, do të kurseheshin shumë para që dedikohen për organizimin e zgjedhjeve presidenciale.

“Thelbi i idesë së liderit Ali Ahmeti është zgjedhja e kryetarit të shtetit në Kuvend me 2/3 e votave dhe me Badinter, për të siguruar konsensus shoqëror, mbipartiak me mbi 80 vota në Kuvend si dhe me Badinter që të arrihet konsensus etnik për të parandalur mbivotimin etnik dhe imponimin e vullnetit të vetëm dy partive më të mëdha politike maqedonase. Me këtë do të kursejmë mbi 20 milionë euro në shtet, dhjetëra mijëra qytetarë do të kursehen nga procesi i mbledhjes së nënshkrimeve, të gjithë qytetarët do të kursehen edhe nga fushata dhe pjesëmarrja në zgjedhje për një funksion protokollar”, tha Arbër Ademi nga BDI.

Nga koalicioni VLEN, që përbëhet nga partitë opozitare shqiptare, kjo iniciativë është racionale dhe nuk duhet të perceptohet si monoetnike nga partitë maqedonase.

“Iniciativa për zgjedhjen e Kryetarit të RMV-së në Kuvend nuk është qasje monoetnike, por politikisht racionale. Qëndrimet e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së kundër përcaktimit të “VLEN” janë rikthim në vitin 1990, koha kur u perceptoheshte si tragjedi që shqiptarët të mbanin pozitat më të larta shtetërore”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.

Nga ky koalicion, po ashtu, kanë kritikuar BDI-në se ka nxjerrë edhe një kandidatë tjetër shqiptar për presiden, duke parashtruar pyetje publike se “cilave qarqe u shërben Ali Ahmeti me vendimin për përçarjen e elektoratit shqiptar”.

“Sa i përket partnerit të tyre BDI, ata një gjë thonë dhe tjetër gjë bëjnë. Nëse vërtet angazhohen për Kryetarin e Parë të Shqiptar, duhet t’i shpjegojnë publikut pse nuk e mbështetën kandidaturën e Arben Taravarit dhe pse po përpiqen të minojnë mundësinë që shqiptarët të kenë një kryetar shteti në vitin 2024”, thanë nga VLEN.

E nga VMRO – DPMNE nuk pajtohen që të negociojnë për një iniciativë të propozuar nga BDI.

“Qëndrimi ynë është se, VMRO – DPMNE as nuk bisedon, as nuk negocion me shantazhe, dhe më se paku pranon shantazhe. Ne vetëm do t’i bëjmë thirrje qytetarëve që të ndjekin këtë sjellje të BDI-së dhe ajo të jetë motiv shtesë për të gjithë qytetarët që në zgjedhjet e ardhshme të dëshmojnë se ky shtet nuk është peng i një partie politike”, ka thënë Brane Petrushevski nga VMRO – DPMNE.

Nga LSDM thonë se, presidenti i shtetit duhet të zgjedhet në zgjedhje të drejtpërdrejta, si e drejtë themelore e qytetarëve, duke shtuar se në këtë funksion, duhet të jetë një person që përfaqëson vullnetin e gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë partiake, etnike apo ndonjë përkatësie tjetër.

“Modeli i zgjedhjes së presidentit të shtetit nuk duhet të ndryshojë. Prsidenti i shtetit është person që është mbi përcaktimet partiake dhe etnike, i përfaqëson të gjithë qytetarët, maqedonas, shqiptar, turq, serb, romë, boshnjak, vllehë, të gjithë”, kanë shprehur qëndrimin e tyre nga LSDM.

Kujtojmë se, lideri i ASH-së, Arben Taravari, i cili edhe kandidati i opozitës shqiptare për garën për president të shtetit, deklaroi më 20 shkurt deklaroi se, platforma e tij presidenciale do të ndërtohet pikërisht rreth përforcimit të demokracisë konsensuale dhe se, do të kërkojnë që të ndryshohet kushtetuta në pjesën e modelit të zgjedhjes së presidentit të shtetit.

“Për këtë, platforma ime presidenciale do të ndërtohet pikërisht rreth përforcimit të demokracisë konsensuale, në linjë të mendimeve të Arbër Xhaferit. Partnerët e mi dhe unë synojmë që hapja e ardhshme e Kushtetutës të përfshijë tri elemente, si futjen e bullgarëve dhe minoriteteve të tjera në Kushtetutë, heqjen e 20 përqindësihit që e definon gjuhën maqedonase dhe zgjedhja e presidentit të bëhet në Kuvend, dhe jo më përmes zgjedhjeve”, deklaroi Taravari.

Por edhe përkrah thirrjes së Taravarit drejtuar BDI-së që të mos nxjerrë kandidatë tjetër shqiptar, por të përkrah vizionin dhe kandidaturën e Taravarit, BDI më 22 shkurt promovoi kandidaturën e Bujar Osmanit për president të shtetit.

Gjatë kësaj konference për media, lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se, do të kërkojë që të ndryshohet kushtetuta dhe në të ardhmen, presidenti i shtetit të zgjedhet në parlament, madje duke thënë se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie që nuk do ta bëjë këtë.

Kujtojmë se, rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill ndërsa rrethi i dytë, më 8 maj së bashku me zgjedhjet presidenciale. Përkrah Taravarit dhe Osmani, për president të shtetit pritet të garojnë edhe presidenti aktual Stevo Pendarovski, Gordana Siljanoska nga VMRO-DMPNE, Stevçe Jakimovski dhe Maksim Dimitrievski.