Bislimoski pasi Policia Financiare ngriti kallëzim penal për keqpërdorim: Nuk do lejoj të më njolloset emri

Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski, reagoi pasi dje Policia Financiare paraqiti kallëzim penal kundër tij për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, transmeton Portalb.mk.

Ai dyshohet se, si drejtues i KRRE-së, i ka lejuar kompanisë “Triterol Petrol” të shesë naftë, edhe pse ajo, sipas kallëzimit të Policisë Financiare, nuk i ka plotësuar kushtet.

“Procedurat për heqjen e licencës për çfarëdo veprimtarie dhe në çfarëdo sektori janë të përcaktuara rreptësisht në Ligjin për Energjetikë dhe e gjithë kjo është e konkretizuar në Rregulloren për Licencim. Në të njëjtën mënyrë siç i kemi zhvilluar procedurat për kompaninë e përmendur, në të njëjtën periudhë janë zhvilluar procedura identike, me afate të njëjta, edhe për kompani të tjera, jo vetëm në sektorin e derivateve të naftës, por njësoj veprojmë edhe në sektorin e energjisë elektrike”, tha Bislimoski.

Ai tha se në KRRE nuk ka ekzistuar asnjë kompani me status të privilegjuar dhe se procedurat për heqjen e licencave janë përcaktuar nga, siç tha ai, një ekip serioz i Komisionit Rregullator për Energjetikë.

Sa i përket kallëzimit penal të paraqitur, ai tha se do ta ndjekë të gjithë procesin dhe do t’i vërë në dispozicion të gjitha informacionet institucioneve kompetente, duke siguruar se nuk ka pasur shkelje të kornizës ligjore.

Sipas kallëzimit të Policisë Financiare, Bislimoski e ka keqpërdorur pozitën dhe kompetencat e tij zyrtare, në mënyrë që, në kundërshtim me Ligjin për Energjitikë dhe Rregulloren për Licencat, edhe pse ishte i detyruar të fillonte procedurën për heqjen e licencës për kryerjen e aktivitetit të energjisë, tregtimin e derivateve të naftës ndaj personit juridik TRITEROL PETROL DOOEL Shkup, për shkak të mosplotësimit të kushteve të përcaktuara ligjore, ka nxjerrë vendim të paligjshëm për ndërprerjen e procedurës.

“Në vend që licenca të hiqej më 15.01.2024, ajo u hoq vetëm më 14.04.2025, duke i mundësuar kompanisë që në mënyrë të kundërligjshme të vazhdojë aktivitetin energjetik për 15 muaj pas skadimit të kushteve ligjore dhe të marrë pjesë dhe të lidhë kontrata për prokurime publike”, tha Policia Financiare.

Siç thonë nga Policia Financiare, me veprimet e mësipërme, Bislimovski ka shkelur rregulloret që ishte i detyruar të zbatojë dhe i ka mundësuar personit juridik Triterol Petrol Shkup të realizojë një qarkullim total prej 194.520.962 denarësh dhe të përfitojë dobi të paligjshme materiale në shumën prej 14.093.576 denarë.

Pronari i “Triterol Petrol” në atë periudhë (viti 2024) ishte kontroversi Ljupço Pecov – Djalli, figurë qendrore në skandalin e ryshfetit dhe të arrestimit të avokatit Fehmi Stafa, ku më pas te gjykatësi i Apelit të Shkupit, Gjoko Ristov, u gjetën 350.000 euro të murrosura në kuzhinën e shtëpisë së prindërve të tij në Negotinë.