Biden do t’i vë veto projektligjit që parashikon dërgimin e shpejtë të armëve në Izrael

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti amerikan, Joe Biden do t’i vë veto projektligjit që parashikon “dërgimin e shpejtë të armëve në Izrael” nëse Kongresi miraton projektligjin, transmeton Anadolu.

Shtëpia e Bardhë bëri një deklaratë me shkrim lidhur me vendimin e Bidenit për projektligjin e quajtur “Ligji i Mbështetjes për Ndihmën e Sigurisë së Izraelit”, i cili u dorëzua në Dhomën e Përfaqësuesve nga Partia Republikane fundjavën e kaluar.

Deklarata vuri në dukje se qasja e administratës amerikane ndaj Izraelit ishte shtrembëruar qëllimisht dhe se “Bideni do të vë veto ndaj projektligjit nëse ai miratohet nga Kongresi”.

Në deklaratën thuhet se projektligji mund të ndikojë negativisht që Bideni të zhvillojë politikë të jashtme efektive. “Ky projektligj mund të ngre shqetësime serioze për shkeljen e kompetencave të presidentit sipas nenit të dytë të Kushtetutës, përfshirë autoritetin e tij për të qenë komandant i përgjithshëm dhe për të zhvilluar marrëdhëniet me jashtë”, thuhet në deklaratë.

Më tej në deklaratë përsëritet se “SHBA-ja është jashtëzakonisht e vendosur në mbështetjen e saj ndaj Izraelit”.

– Projektligji për Mbështetjen e Ndihmës së Sigurisë së Izraelit

Pasi Biden në një intervistë për CNN më 9 maj tha se ata do të ndalonin dërgimin e armëve nëse Izraeli fillon sulm gjithëpërfshirës tokësor në Rafah, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Partisë Republikane, Ken Calvert paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve projektligjin që parashikon vazhdimin e shpejtë të dërgesave të armëve për qeverinë izraelite.

Projektligji, i quajtur “Ligji i Mbështetjes për Ndihmën e Sigurisë së Izraelit” propozon që SHBA-ja “të kryejë dërgesën e armëve në mënyrë të shpejtë” ndaj Izraelit. Projektligji pritet të diskutohet sot në mbrëmje në Dhomën e Përfaqësuesve.