Begaj nga Ohri: Shqiptarët në RMV faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të eurointegrimeve

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka qëndruar për një vizitë punë në Maqedoninë e Veriut, me ftesë të presidentes Gordana Siljanovska Davkova, transmeton Portalb.mk.

Në takimin mes Begajt dhe Siljanovska Davkovas që u zhvillua në villen presidenciale “Biljana” në Ohër, dy krerët shtetëror kanë diskutuar për bashkëpunimin bilateral, rajonal dhe integrimin europian. Po ashtu, gjatë takimit ata ranë dakord se lidhja infrastrukturore rajonale është mënyra më e mirë për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se, ndër projektet kyçe në këtë fushë është Korridori 8, i cili duhet të jetë një nga prioritetet që do të mundësojë komunikim më të lehtë mes vendeve të rajonit.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë vullnetin për të bashkëpunuar në projekte me vlerë për qytetarët tanë.  Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut eshtë urë lidhësë, i rëndësishëm dhe garanci  për progresin e  vazhdueshëm të marrëdhënieve tona. Zhvilllimi i projekteve të përbashkëta  jo vetëm ekonomike dhe infrastrukturore, por edhe kulturore e sociale është i arritshëm dhe i mirëpritur”, ka shkruar Begaj në profilin e tij në Facebook pas takimit.

Ndërkaq, në kumtesën e presidencës së Maqedonisë së Veriut thuhet se, dy homologët në takim kanë folur edhe për temën e liqenit të Ohrit, për të cilën janë shprehur optimist se si vende fqinje, dy vendet mund të arrijnë sukses në mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, natyrën dhe pasurinë e përbashkët natyrore.

“Ekziston mundësia që këto aktivitete të financohen përmes fondeve evropiane, të cilat janë të disponueshme me aplikime të përbashkëta nga të dyja vendet. Siljanovska-Davkova dhe Begaj pasdite shqyrtuan një pjesë të vlerave të lashta të Ohrit, që mahnitin me autenticitetin dhe bukurinë e tyre, duke filluar nga Çinari, duke vazhduar me Xhaminë e Ali Pashës, më pas monumentin e Shën Klimentit, shtëpinë e Robevëve, muzeun e letrës dhe kishën “Shën Sofia” – secili prej tyre një simbol i qëndrueshëm i frymës, artit, traditës dhe historisë. Përmes dialogut kulturor forcohen urat e afrimit, besimit, miqësisë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë”, kanë theksuar nga kabineti i Davkovës.

Ndërkaq, në kuadër të vizitës së tij në vend, Begaj ka realizuar një takim edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës Euroatlantike të vendit, duke dëshmuar ngahera përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike”, ka shkruar Begaj pas takimit.

Ndërkaq Ahmeti ka shkruar se në takim, mes tjerash kanë biseduar për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit rajonal në funksion të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit të plotë të rajonit tonë në Bashkimin Evropian.

“Bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona është kyç për të ndërtuar ura mirëkuptimi, për të forcuar partneritetet strategjike dhe për t’i dhënë rajonit një drejtim të qartë evropian. Angazhimi ynë i përbashkët për të ardhmen evropiane nuk është vetëm objektiv politik, por vizion i përbashkët për paqe të qëndrueshme, zhvillim ekonomik dhe perspektivë për qytetarët tanë”, ka theksuar Ahmeti.