BE: Me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015

Bashkimi Evropian tha se arrestimi i fundit nga Serbia i një veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është “një shkelje tjetër” e obligimeve të Serbisë të Marrëveshjes për dialogun dhe drejtësinë të vitit 2015, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia është zotuar që të mos iniciojë hetime penale apo ndjeje penale për krimet që pretendohet se janë kryer në Kosovë, përveç nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet e Kosovës. Juridiksioni mbi pretendimet për krime të luftës dhe vepra të tjera serioze bie mbi institucionet e Kosovës. I bëjmë thirrje Serbisë që të respektojë zotimet e saj”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Më 5 shkurt, autoritetet e Serbisë arrestuan Mitehat Llozhanin me të hyrë në terrorin serb nga kufiri me Kroacinë. Ai, sipas autoriteteve, në Beograd dyshohet për krime kundër popullatës civile.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë rast.

Sipas Serbisë, i arrestuari dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave”. Në njoftim thuhet po ashtu se “si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve”.

Por, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se i arrestuari ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Nënkryetari i kësaj organizate të veteranëve, Gazmend Syla, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Llozhanit iu gjet kartela e veteranit në xhep gjatë kontrollit nga autoritetet serbe.

Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.