BDI: Mexhiti e shkeli premtimin, në Çair vazhdon ndërtimi i ndërtesave ilegale

Pavarësisht se kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti premtoi se ndërtimet e paligjshme në Çair do të ndalen, e njëjta nuk është bërë. Kështu kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, transmeton Portalb.mk.

Nga BDI thonë se në Çair, një nga plagët më të mëdha urbane ka qenë ndërtimi i paligjshëm i objekteve kolektive mbi tokë shtetërore, në koordinim me drejtues komunalë.

“Skema ka qenë e qartë: objektet ndërtohen pa leje, më pas paraqiten si të ndërtuara para vitit 2011, duke përdorur numra arkivi të rremë, për t’u futur në procesin e legalizimit dhe për të shmangur pagesën e miliona eurove në taksa dhe detyrime ndaj shtetit”, thanë nga BDI.

Ata shtojnë se pas ndërhyrjes së Prokurorisë dhe hetimeve që nisën mbi këtë fenomen, Mexhiti premtoi publikisht se ndërtimet e paligjshme në Çair do të ndaleshin një herë e përgjithmonë.

“Ky ishte një nga zotimet e tij kryesore elektorale. Sot, vetëm tre muaj pas zgjedhjeve, realiteti është krejt i kundërt. Në Çair janë duke u ndërtuar të paktën gjashtë objekte banesore të reja, ndërsa dy prej tyre po ndërtohen mbi ndërtime tashmë të paligjshme. Kjo dëshmon se premtimi për ndalimin e kaosit urban ishte vetëm një mashtrim politik”, thanë nga BDI.

Ata shtojnë se këto ndërtime nuk janë vetëm shkelje ligjore, por janë goditje direkte ndaj rendit urban, sigurisë së qytetarëve dhe barazisë para ligjit.

Ndërtimet pa leje në Çair vitin e kaluar u bënë të dukshme edhe nga një kënd tjetër, përmes daljes në terren të ish-kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Ajo doli publikisht me kopje dokumentesh që duhej të tregonin se legalizimi, i cili është problematik në vetvete, është bërë madje edhe me dokumente të falsifikuara.

Në ndërkohë, Prokuroria hapi lëndë për legalizimet problematike në Çair. Në fund të nëntorit 2025 ish-prokurori i Shtetit Ljupço Locevski tha se të njëjtat trajtohen përmes dy lëndëve, njëra, sipas informacioneve që qarkullojnë në opinion, në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit, dhe tjetra, sipas kallëzimit të ish-kryetares së Qytetit të Shkupit. Ai pati thënë se të dyja lëndët janë të ndërlidhura mes vete dhe me shumë gjasë do të bashkohen.

Megjithatë, nga Prokuroria Publike nuk bëjnë të ditur se në çfarë faze janë këto lëndë, nëse janë bashkuar dhe kur pritet të ngritet aktakuzë.