BDI kërkoi hetim për ndarjen e 16 milionë eurove nga Komuna e Çairit një personi të vetëm, Ganiu: Edhe ministritë tuaja të njëjtit i kanë ndarë miliona euro

Bashkimi Demokatik për Integrim, kërkon hetohet ndarja e 16 milionë eurove nga Komuna e Çairit dy kompanive me të njëjtin pronar. BDI madje thotë se “me shqetësim” i ka ndjekur raportimet mediatike për keqpërdorime flagrante me furnizimet publike në Komunën e Çairit”, e cila deri “dje” udhëhiqej nga ish-zyrtar i saj, përkatësisht pas dy madateve të Ganiut qëndron pikërisht BDI, transmeton Portalb.mk.

“Raportohet që nga viti 2020 deri në vitin 2023 – komuna e Çairit ka ndarë 16 milionë euro për tenderë për dy kompani “Bauer BG SHPK” dhe “EnergoInvest Trejd”, të cilat kanë të njëjtin pronar, Gordana Dimitrova. Sipas raportimeve, komuna Çair ka lidhur edhe 23 marrëveshje furnizimi në vlerë prej 4.113.165 euro me kompaninë “Bauer BG”, si dhe marrëveshje në vlerë prej 11.091.674 euro për sheshin “Skënderbeu”, që në total është 15.204.843 euro. Ftojmë institucionet përkatëse që të hulumtojne keqpërdorimin eventual të mjeteve buxhetore dhe të veprojnë në përputhje me ligjin”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nuk vonoi shumë dhe arriti reagimi i kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu në rrjetin social Facebook, i cili thotë se krimi dhe korrupsioni kanë adresë tjetër!

“Lidhur me deklaratën e BDI-së për shqetësimet e tyre për keqpërdorimet e pretenduara rreth furnizimeve publike, dua të them se është më se e pritshme që të gjithë ata që mendojnë ndryshe do të jenë targeti juaj, por kjo nuk do t’ju ndihmojë t`i fshihni të gjitha skandalet korruptive dhe mëkatet që i keni bërë kundrejt popullit shqiptar.

Poashtu, duam të njoftojmë opinionin e gjerë se kompania e apostrofuar Bauer BG, nga Qeveria RMV-së në vitin aktual 2023, ka marrë tender në vlerë prej 6.5 milionë euro. Njejtë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e njëjta kompani ka marrë tender në vlerë prej gati 2 milionë euro, ndërsa nga Ministria e Mjedisit mbi 1 milionë euro, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari prej mbi 8 milionë euro, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale prej 2 milionë euro, në total rreth 20 milionë euro”, thotë Ganiu.

Ai ftoi të gjitha institucionet relevante që ta hetojnë këtë rast, “ku do të konfirmohet se mjetet në Komunën e Çairit janë ndarë me dedikim nga Qeveria e RMV-së, e cila siç mund të konstatohet rregullisht ka lidhur kontrata me kompaninë e sipërpërmendur”.

“Në këtë frymë, ne insistojmë që hulumtimi nga institucionet kompetente të vazhdojë edhe në të gjitha institucionet tjera të menaxhuara nga BDI, veçanërisht në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Komuniteteve, e cila menaxhohet nga Artan Grubi, si dhe në Lotarinë Shtetërore të RMV-së, e cila menaxhohet nga krahu i djathtë i Artan Grubit. Mund të konstatojmë se ky nivel i panikut dëshmon vetëm një gjë, se BDI do të humbasë në zgjedhjet e ardhshme dhe të gjithë personat e përfshirë në biznesin e pistë të kazinove dhe marrëveshjet e tjera skandaloze që u zbardhën nga mediat në periudhën e kaluar, do të përgjigjen para institucioneve të drejtësisë. Ndryshimi po vjen!”, shkroi Ganiu.

Kur BDI iu referohet mediave, e ka fjalën për raportime të disa portaleve të afërta me këtë parti, të cilat dje kanë publikuar mbi çështjen në fjalë.

Kujtojmë se Visar Ganiu ishe në grupin e ashtuquajtur të zjarrit në BDI, pas çka u largua për t’iu bashkuar Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit.