Bakhmut është qytet ukrainas, Rusia e sulmoi, nuk e çliroi
Bakhmut është një qytet ukrainas dhe nuk mund të çlirohet nga rusët, siç pretendon postimi. Rusia sulmoi Bakhmutin dhe e shkatërroi plotësisht. Fakti që Rusia pretendon se ky qytet është i saj është në kundërshtim me realitetin. Sipas Kievit, një pjesë e Bakhmut është ende nën kontrollin e Ukrainës, shkruan Vërtetmatësi.
Një postim në Facebook shpërndau një video që tregonte ushtarët duke valëvitur një flamur rus dhe në të shkruante:
Dhe shtëpia e fundit në Bakhmut e çliruar nga rusët…
Një pretendim i tillë është manipulues dhe synon të mashtrojë ndjekësit e mediave sociale.
Bakhmut është një qytet në Ukrainë që prej muajsh është shënjestër e një sulmi të fortë rus. Nuk është hera e parë që Rusia bën luftë me Ukrainën për Bakhmut. I tillë ishte edhe gjatë luftës në Donbas 2014-2015.
Më 12 prill 2014, Bakhmut u pushtua nga separatistët pro-rusë të vetëshpallur DPR. Më 20 qershor 2014, një bazë e madhe tankesh e vendosur në Bakhmut u sulmua nga separatistët (në total, baza u sulmua pesë herë).
Më 6 korrik 2014, trupat ukrainase çliruan qytetin.
Më 13 shkurt 2015, një nga rrethet e Bakhmutit u granatua nga DPR. Nga përplasja u dëmtuan 32 objekte banimi, dy persona humbën jetën dhe gjashtë u plagosën.
Më 10 korrik 2015, në përputhje me ligjin e Ukrainës për dekomunizimin, monumenti i themeluesit të Republikës Sovjetike Donetsk – Krivoy Rog, Fyodor Andreyevich Sergeev (i njohur më mirë me pseudonimin e partisë Artyom) u çmontua në Bakhmut.
Më 23 shtator 2015, këshilli i qytetit vendosi të kthejë emrin e qytetit në Bakhmut. Verkhovna Rada e Ukrainës miratoi vendimin e riemërtimit më 4 shkurt 2016.
Bakhmut është sërish objektiv i agresionit rus pasi Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, sulmoi Ukrainën shkurtin e kaluar.
Beteja nëntë-mujore për Bakhmut shkatërroi qytetin 400-vjeçar në Ukrainën lindore dhe vrau dhjetëra mijëra njerëz.
Qyteti në rajonin verilindor të Donetskut kishte rreth 70,000 banorë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën vitin e kaluar. Që atëherë, ajo është shkatërruar, e goditur ndoshta nga luftimet më të ashpra të luftës, pasi trupat ruse dhe mercenarët nga grupi i Wagnerit, i përbërë kryesisht nga të burgosur rusë të liruar, e pushtuan bllok pas blloku.
Themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, pretendoi të shtunën se forcat e tij më në fund kishin pushtuar të gjithë qytetin dhe Kremlini lëshoi një deklaratë nga presidenti rus Vladimir Putin duke lavdëruar çlirimin e qytetit, duke e quajtur atë me emrin e tij sovjeto-rus Artyomovsk.
Ukraina hodhi poshtë pretendimet e tyre. Kievi pretendon se një pjesë e Bakhmut është ende nën kontrollin e Ukrainës.
Bakhmut është një qytet ukrainas dhe nuk mund të çlirohet nga rusët, siç thuhet në postimin që po analizojmë. Fakti që Rusia pretendon se ky qytet është i saj është në kundërshtim me realitetin. Rusia e sulmoi Bakhmutin dhe e shkatërroi plotësisht, nuk e shpëtoi nga asgjë, as Ukraina nuk e kërkoi një gjë të tillë nga Rusia.
Prandaj mund të themi se postimi që po shqyrtojmë manipulon dhe e vlerësojmë si të pavërtetë.