AZGj-ja e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Agjencia e Zbatimit të Gjuhës ka mbajtur konferencën shkencore “Gjuha shqipe-identitet dhe jo politikë” me rastin e 21 Shkurtit, Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, transmeton Portalb.mk.

Kjo ngjarje u shënua me një program të veçantë, që synon të promovojë dhe të theksojë rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës amtare në shoqërinë tonë.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin përfaqësues të institucioneve, akademikë, studiues të gjuhës dhe personalitete nga fusha e kulturës dhe e arsimit.

Granit Osmani drejtor i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës në fjalën e tij deklaroi se gjuha na lidhë me të kaluarën dhe na ndihmon të kuptojmë më mirë veten dhe shoqërinë tonë.

“Në një shoqëri demokratike dhe multietnike gjuha duhet të jetë një mjet bashkimi jo ndarje. Në vend që të trajtohet si qështje politike, shqipja duhet të njihet si një element i natyrshëm i jetës, ajo duhet të shikohet si një pasuri kombëtare, jo si një mjet për të krijuar ndasi mes nesh”, tha Osmani.

Afrim Gashi Kryetar i Kuevendit të Maqedonisë së Veriut, në fjalën e tij përshëndetëse tha se, gjuha shqipe është indi që na lidhë të gjithve si komb përtej kufive dhe ndarjeve të ndryshme.

“Gjuha amtare është ama mbi të cilën ndërtohet kombi, andaj si shqiptar jemi me fat, besa edhe krenarë që kemi një gjuhë të bukur dhe të pasur që nuk përbën vetëm një mjet komunikimi, por është më shumë një simbol uniteti dhe një sinapsë e fuqishme e idetitetit tonë. Siç e dini, në vendin tone, gjuha shqipe ka një nivel të avancuar të përdorimit zyrtar, por padyshim, ende ka shumë hapësirë për përmirësim dhe drejtim të respektimit të përdorimit të saj“, tha Gashi.

Zëvendëskryeministri i parë i vendit, Izet Mexhiti tha se Gjuha Amtare e paraqet identitetin tonë, historinë tonë dhe trashëgiminë që u’a përcjellim brezave të rinj.

“Gjuha amtare është një e drejtë themelore dhe parim kyq i barazisë etnike në shtetet me diveritet etnik, kulturorë e gjuhësorë, si e tillë ajo ka një rol thelbësorë në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në garantimin e pjesëmarrjes së barabart të të gjitha grupeve etnike në jetën publike dhe institutcionale. Qëllimi ynë është forcimi i themeleve të shtetit përmes një kushtetute gjithëpërfshirëse e cila ofron qartësi dhe drejtësi”, tha Izet Mexhiti.

Në vazhdim të programit u mbajt edhe Konferenca Shkencore, në të cilën me kumtesat e tyre u paraqitën referuesit Ismet Osmani, Demush Bajrami, Ajtene Qamili, Jeton Shasivari, Ahmet Selmani, Sunaj Rrahimi, Mersim Maksuti, Isamet Bakiu, dhe Nebi Bilalli.