ASh: Kushëriri i Mexhitit bashkë me djalin e Ivanovit dhe bashkëshorten e organizatorit të 27 prillit, në krye te MEPSO-s

Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar VLEN-in dhe VMRO-në për nepotizëm dhe partizim të plotë të Shoqatës Aksionare “MEPSO”,  ku siç thonë “është gërshetuar vëllazëria mes VLEN, VMRO dhe organizatorëve të 27 prillit”, transmeton Portalb.mk.

Nga ASh thonë se drejtor i ndërmarrjes është emëruar kushëriri i Izet Mexhitit, ndërsa anëtarë të Këshillit Mbikqyrës, djali i ish presidentit Gjorgji Ivanov dhe bashkëshortja e Bogdan Ilievskit i njohur si Betmen. “Ky i fundit ishte organizator dhe prijës i protestave të dhunshme të 27 prillit 2017 për çka edhe është dënuar nga gjykatat, por nga Qeveria aktuale jolegjitime po shpërblehet me një pozicion kyç për bashkëshorten e tij”, shtojn nga ASh.

“Ky kombinim skandaloz, që përmban njerëz jo kompetent, familjarë dhe figura partiake, dëshmon se për interesa të ngushta partiake e familjare, partitë që hynë në Qeveri pa legjitimitet janë pajtuar edhe me terrorizmin e 27 prillit dhe përveç lirimit të disa pjesëmarrësve, tani po bëjnë edhe shpërblimin e organizatorëve të asaj ngjarje të kobshme.
Tanimë nuk bëhet fjalë për injorim të atyre partive nga VMRO dhe partnerët e tjerë, por për bashkëveprim në degradimin e shqiptarëve, sepse të gjithë emrat janë votuar bashkërisht në seancë të Qeverisë”, thonë nga ASh.

Ndryshe, drejtor i ri i ShA MEPSO u emërua Burim Latifi, ndërsa zëvendës drejtor Aleksandar Paunoski.

MEPSO ka emëruar edhe anëtarët e rinj të Bordit Mbikëqyrës të kompanisë.

Kështu, Jovan Lazarev, Zoran Todorovski, Elizabeta Giovska, Simona Domazetovska Markovsaka, Agron Rustemi, Zvonko Boshkov dhe Ali Ismaili u zgjodhën për anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike Sh.A. për transmetimin e energjisë elektrike dhe menaxhimin e sistemit shtetëror elektrik Shkup.

Bordi mbikëqyrës, ndërkaq, siç informojnë nga ministria përkatëse, në seancë zgjodhi edhe anëtarët e Bordit drejtues, në përbërje të të cilit janë: Sashko Lakinski, Vase Jovevski, Anastasia Ilieska, Ivan Ivanov dhe Martin Malinovski.