Aplikacioni „mZaednica“ e lehtëson komunikimin mes qytetarëve dhe komunave

Problemet lidhur me infrastrukturën, parqet dhe gjelbërimin, ndriçimin publik, si dhe mbeturinat dhe pastërtinë janë çështjet më të shpeshta për të cilat qytetarët janë adresuar në komunat e tyre përmes aplikacionit “mZaednica” (mKomuniteti). Përmes këtij kanali komunikimi komentet e qytetarëve arrijnë drejtpërdrejt te shërbimet kompetente komunale, gjë që paraqet një lehtësim për banorët që duan të kontaktojnë me autoritetet lokale, e shkurton kohën e komunikimit dhe e rrit mundësitë për zgjidhjen e problemeve, transmeton Portalb.mk.

mZaednica“ – një urë digjitale mes qytetarëve dhe komunave

Numri më i madh i çështjeve të këtij viti të parashtruara përmes “mZaednica”, rreth 23 përqind, kanë të bëjnë me problemet lidhur me rrugët dhe gjendjen e infrastrukturës komunale. 17 përqind e vërejtjeve të qytetarëve kanë pasur lidhje me gjendjen me gjelbërimin dhe parqet, ndërsa 13 përqind me funksionimin e ndriçimit publik. Një numër të madh të ankesave ka pasur edhe për problemet me mbeturinat dhe pastërtinë publike në komuna.

Krahas raportimit të problemeve konkrete me të cilat përballen në komunën e tyre, përmes “mZaednica” qytetarët mund të propozojnë edhe zgjidhje, të mbështesin dhe të ndajnë një ankesë nga një qytetar tjetër, të aplikojnë për subvencione ose shërbime të tjera publike, të marrin pjesë në anketa, si dhe të marrin informacion në kohë lidhur me aktivitetet e komunës së tyre.

Përvojat e komunave

“Për komunat “mZaednica” është një mjet i fuqishëm për mbledhjen e të dhënave dhe për analizë të nevojave të qytetarëve. Administratorët komunalë mund t’i ndjekin raportimet në kohë reale, të shohin se cilët sektorë janë më të prekur, sa është përqindja e problemeve të zgjidhura dhe ta përmirësojnë efikasitetin dhe transparencën e tyre. Në këtë mënyrë rritet besimi i qytetarëve dhe zvogëlohet hapësira për arbitraritet ose korrupsion “, thonë nga Blink 42-21, krijuesit e “mZaednica”.

Aplikacioni, i cili për herë të parë u aplikua në Komunën e Karposhit në vitin 2018, sot është aktiv në 11 komuna në Maqedoni, ndërsa që nga ky vit edhe në një komunë në Shqipëri.

Foto: Blink 42-21
Foto: Blink 42-21

Nga Komuna e Karposhit informojnë se qytetarët e përdorin shpesh “mZaednica”. Numri i përdoruesve të regjistruar tejkalon 7.000 ose mbi 10 përqind të numrit të përgjithshëm të banorëve të kësaj komune.

“Gjatë periudhës së kaluar numri i përdoruesve është rritur, sigurisht edhe numri i raportimeve për situata problematike. Numri i raportimeve është rreth dhjetë gjatë një jave”, thonë nga Komuna e Karposhit dhe shtojnë se aplikacioni mundëson qasje më të lehtë në shërbimet komunale, sidomos për shkak të mundësisë për përdorim në telefonat celularë.

Qytetarët e Komunës së Vallandovës e përdorin “mZaednica” për të raportuar probleme dhe për të propozuar ide, ndërsa më shpesh për të aplikuar për thirrje për subvencione, si dhe për propozime lidhur me krijimin e buxhetit vjetor të Komunës. Deri më tani janë pranuar rreth 30 aplikime, kryesisht për probleme komunale dhe infrastrukturore, rreth 20 propozime dhe mbi 150 kërkesa dhe aplikime për thirrje për subvencione.

“Ne mundohemi që t’u ofrojmë qytetarëve shërbime më të arritshme dhe transparente, ndërsa Komuna në këmbim merr informacion më të shpejtë dhe më të saktë që të mund të prioritizojë vendimet dhe politikat e saj”, thonë nga Vallandova.

Praktika tregon se komuna të ndryshme aplikacionin “mZaednica” e përdorin në mënyra të ndryshme. Disa e përdorin atë kryesisht për komunikim dhe ndjekje të raportimeve nga qytetarët. Të tjerë shkojnë një hap më tej dhe digjitalizojnë shërbime të tilla si aplikimi për subvencione, mbështetja financiare për studentët, për biçikleta, për ndihmë sociale e të ngjashme, ndërsa funksioni më i fundit është për konsultime publike digjitale.

“Nga të gjitha aplikacionet për komunikim me qytetarët që janë përdorur në Komunën e Koçanit, “mZaednica” është më e pranuara, që është për shkak të mundësive që u ofron qytetarëve për të raportuar probleme, për të ofruar zgjidhje, për tu informuar për risitë, për të aplikuar për subvencione dhe për mundësinë më të fundit, atë për konsultim publik me ndihmën e pyetësorëve, gjegjësisht anketave”, thonë autoritetet lokale, edhe pse theksojnë se grupe të caktuara qytetare ende preferojnë të trokasin në derën e kryetarit të komunës për të raportuar një problem, sepse gjithçka tjetër duket larg zgjidhjes së nevojave të tyre.

Edhe pse e thjeshtë, kjo metodë komunikimi ndonjëherë paraqet një sfidë për Komunën sepse raportimi i problemeve nuk bëhet me një numër arkivi nga institucioni, gjë që e imponon nevojën për përcaktimin e një procedure për atë se si raportet nga qytetarët të udhëtojnë nëpër departamente dhe sektorë në Komunë.

Platforma digjitale “mZaednica” këtë vit është një risi në punën e Komunës së Demir Hisarit, ndërsa 21 qytetarë kanë krijuar profile dhe kanë dorëzuar propozime dhe kërkesa që kryesisht kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe problemet komunale. Komuna po punon për rritjen e afirmimit të saj sepse, duke i pasur parasysh burimet e kufizuara njerëzore dhe teknike me të cilat përballen komunat, platforma ndihmon shumë në rritjen e kapaciteteve për transformimin digjital të vetëqeverisjes lokale.

Milla Josifovska Danillovska nga Fondacioni Metamorfozis është e mendimit se qëllimi është që qytetarët të përfshihen aktivisht në vendimmarrje në nivel lokal përmes mjeteve inovative digjitale si “mZaednica”.

“Në kuadër të projektit “(DIGILOK) Transformimi digjital në nivel lokal – Komunitet i inkuadruar për rezistencë ndaj korrupsionit”, ne e pranojmë se shfrytëzimi i përfitimeve të teknologjive digjitale mund ta përmirësojë ndjeshëm transparencën dhe ta zvogëlojë korrupsionin, të cilin qytetarët e theksojnë si problemin më emergjent. Nga kjo pikëpamje, luftimi i korrupsionit është thelbësor për rritjen e besimit në institucione, mbrojtjen e demokracisë, promovimin e drejtësisë dhe qeverisjes së mirë”, thotë Josifovska Danillovska.

“mZaednica” përdoret edhe në Komunën e Aerodromit, ku deri më tani janë pranuar mbi 2.500 propozime, aplikime dhe kërkesa konkrete, ndërsa temat më të shpeshta për të cilat drejtohen qytetarët janë çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e sipërfaqeve publike, mirëmbajtjen e gjelbërimit, ndriçimin publik, problemet infrastrukturore në komunitetet urbane, si dhe propozimet për përmirësimin e trafikut. Pushteti lokal është i mendimit se platforma përfaqëson një hap pozitiv drejt digjitalizimit dhe një mjet të rëndësishëm në komunikimin me qytetarët dhe është një instrument i vlefshëm gjatë vendimmarrjes, pasi ofron një pasqyrë të drejtpërdrejtë të nevojave reale dhe aktuale të komunitetit.

“Qytetarët shpesh na kontaktojnë edhe përmes kanaleve të tjera të komunikimit që janë të afërta dhe të njohura për ta, siç janë rrjetet sociale, sidomos Facebook-u, por edhe forma të tjera të komunikimit që nuk janë digjitale, siç janë telefonatat, takimet me kryetarin e komunës ose bisedat me përfaqësuesit e komuniteteve urbane dhe lokale. Kjo tregon edhe një herë se është e rëndësishme që pushteti lokal të mbetet fleksibil dhe i disponueshëm në platforma të ndryshme, ku qytetarët janë më aktivë”, thonë nga Komuna e Aerodromit.

Mundësitë e reja dhe sfidat e ardhshme

Projekti “Transformimi digjital në nivel lokal – Transformimi digjital në nivel lokal – Komunitet i inkuadruar për rezistencë ndaj korrupsionit (DIGILOK)” mbështetet nga Qeveria e Zvicrës përmes Civica Mobilitas. Nëpërmjet tij, këtë vit edhe qytetarët e Strugës, Demir Hisarit dhe Negotinës kanë mundësinë ta përdorin aplikacionin “mZaednica”.

Foto: mZaednica
Foto: mZaednica

Në të njëjtën kohë, në të gjitha komunat ku ky mjet është aktiv qytetarët mund ta përdorin versionin e ri, të përmirësuar, i cili është më i lehtë për përdorim nga kategori të ndryshme të qytetarëve dhe për administratën lokale.

Funksionalitetet e reja u mundësojnë qytetarëve t’i zgjedhin automatikisht temat që janë me interes për ta duke rrëshqitur majtas ose djathtas në aplikacion. Me çdo rrëshqitje djathtas ata mbështesin raportimin, duke ndikuar kështu në numrin e qytetarëve që janë të interesuar ose që e kanë të njëjtin problem. Pastaj, me funksionalitetin e ri për anketa ata tani kanë edhe një mundësi të re për pjesëmarrje online në konsultime publike. Komunat mund të planifikojnë dhe të krijojnë pyetësorë mbi tema të ndryshme me interes për komunitetin, ndërsa qytetarët mund të japin mendimin e tyre dhe t’i ndjekin rezultatet në një mënyrë të lehtë dhe të thjeshtë.

Versioni i ri i platformës u ofron komunave informacion të bazuar në të dhëna mbi trendet, nevojat dhe interesat e komunitetit dhe mundëson komunikim të rregullt dhe në kohë të dyanshëm në planifikimin strategjik.

Nga Blink 42-21 theksojnë se qëllimet që arrihen me “mZaednica” janë fuqizim i qytetarëve, të cilëve u jepet një zë në krijimin e prioriteteve lokale dhe pjesëmarrje më e lehtë në proceset vendimmarrëse, në përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës komunale përmes digjitalizimit të disa shërbimeve publike, monitorimin më të qartë të problemeve, reagimin më të shpejtë dhe administrimin më efikas, si dhe për zvogëlimin e rrezikut nga korrupsioni përmes digjitalizimit të shërbimeve dhe eliminimit të nevojës për kontakt të drejtpërdrejtë personal në çdo proces administrativ.

“Zbatimi i vërtetë i digjitalizimit në nivel lokal varet nga kapacitetet njerëzore dhe teknike të komunave, diçka që në Maqedoni është e kufizuar, por edhe nga gatishmëria e punonjësve të qeverisjes lokale për ta pranuar atë si një mjet për përmirësimin e punës së tyre, dhe jo si një ngarkesë shtesë. Prandaj, Blink 42-21 u ofron atyre mbështetje të plotë teknike në mënyrë që komunat të mund të përqendrohen vetëm në administrim përmes platformës. Ne gjithashtu organizojmë trajnime gjithëpërfshirëse mbi digjitalizimin dhe përmirësimin e edukimit digjital të administratës lokale, si dhe mbështetje në promovimin e veprimeve lokale që komunat mund t’i zbatojnë me ndihmën e “mZaednica”, thonë nga Blink 42-21.

Kujtojmë se Parlamenti më 27 qershor miratoi katër ligje për transformimin digjital nga Agjenda e reformave. U votuan Ligji për Komunikimet Elektronike, Ligji për Sigurinë e Rrjetit dhe Sistemeve të Informacionit, Ligji për Ndryshimet në Ligjin për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet Konfidenciale, dhe Ligji për Materialin Arkivor dhe Aktivitetin Arkivor.

Me miratimin e këtyre ligjeve, në përputhje me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes së Ballkanit Perëndimor, Maqedonia fiton qasje në më shumë se 19 milionë euro, nga të cilat 5.7 milionë euro janë të destinuara si mbështetje e drejtpërdrejtë buxhetore.