Antikorrupsioni hapi lëndë për akuzat se ish-ministrja e Kulturës ka shpenzuar para nga buxheti për nevoja personale

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) sot ka hapur lëndë për të vërtetuar akuzat për keqpërdorim të mjeteve buxhetore nga ish-ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e KSHPK-së Tatjana Dimitrovska tha se kërkesa për sigurimin e dokumentacionit do të dërgohet nesër.

Ky vendim vjen pasi dje deputeti dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRODPMNE-së, Mile Lefkov deklaroi për shpenzimet që i ka bërë ish-ministrja e Kulturës gjatë qëndrimit zyrtar katërditor në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër.

Sipas Lefkovit, për katër ditë në Londër, Kostadinovska-Stojçevska ka shpenzuar 714 paund nga karta zyrtare ose 51.169 denarë. Ai tregoi me detaje se çfarë, në cilat dyqane dhe sa fonde zyrtare ka shpenzuar ish-ministrja për blerje si: top futbolli, arush pelushi “Paddington”, valixhe “Samsonite”, çorape, geta dhe dhurata nga “Warner Bros. Studio Tour London: Harry Potter“.

Ish-ministrja e Kulturës dhe deputetja aktuale e LSDM-së Bisera KostadinovskaStojçevska sot në një konferencë për media tha se do të mbajë përgjegjësi nëse konstatohet parregullsi, në të kundërtën paralajmëroi padi kundër VMRO-DPMNE-së.

Sipas Kostadinovska-Stojçevska, e vërteta është se një pjesë e shpenzimeve që u paraqitën i referohen nevojës për sigurimin e kushteve elementare për funksionimin normal të një udhëtimi pune ku linja ajrore i humbi bagazhin.