Ansambli Muzikor-Tetovë do të sjellë koncert koral më 10 qershor me repertor shqiptar dhe botëror

Ansambli Muzikor-Tetovë vazhdon misionin e tij për promovimin e muzikës serioze dhe vlerave të mirëfillta artistike. Në këtë kuadër, më 10 qershor 2026, me fillim në ora 20:00, në Sallën e Madhe të Pallatit të Kulturës në Tetovë, do të mbahet koncerti i Korit të IN “Ansamblit Muzikor” Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Nën dirigjimin e Agona Çupit, kori do të prezantojë para publikut një program të përzgjedhur nga repertori koral shqiptar dhe botëror, duke sjellë në skenë bukurinë, emocionin dhe fuqinë shprehëse të artit koral.

Programi përfshin vepra të kompozitorëve të njohur shqiptarë si Rafet Rudi, Mendi Mengjiqi, Lorenc Antoni, Memli Kelmendi dhe autorë të tjerë, krahas krijimeve të kompozitorëve ndërkombëtarë.

Drejtori i Ansamblit, Blerim Qamili, për Portalb.mk tha se koristët janë duke zhvilluar prova intensive, me qëllim që para publikut të paraqiten në nivel sa më të lartë artistik.

“Koristët tanë, nën frymën e profesionalizmit dhe përkushtimit artistik, Fino zhvillojnë prova intensive me qëllim që para publikut të paraqiten në nivelin më të lartë interpretativ. Synimi ynë është që publiku i Tetovës dhe më pas ai i Kërçovës të ketë mundësinë të shijojë vepra përfaqësuese nga trashëgimia muzikore shqiptare dhe ajo botërore”, deklaroi Qamili.

Pas koncertit në Tetovë, i njëjti program do të prezantohet edhe në Kërçovë, si pjesë e përpjekjeve të institucionit për ta afruar artin muzikor profesional me publikun në qytete të ndryshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Qamili theksoi se vizioni i IN “Ansamblit Muzikor” Tetovë është funksionalizimi i plotë i institucionit dhe zhvillimi i një aktiviteti të rregullt koncertal në gjithë vendin, me synimin që Ansambli të shndërrohet në një institucion reprezentativ të kulturës muzikore.

Afishja e koncertit. Foto: IN. Ansambli Muzikor-Tetovë (Facebook)
Afishja e koncertit. Foto: IN. Ansambli Muzikor-Tetovë (Facebook)

Gjatë muajve të fundit, në opinion është hapur debat lidhur me Planin Strategjik të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ku është përmendur mundësia e ridefinimit ose fuzionimit të institucionit. Nga Ansambli theksojnë se një qasje e tillë është kundërshtuar në mënyrë të argumentuar përmes një reagimi zyrtar, të mbështetur në dispozitat ligjore dhe në parimet evropiane për mbrojtjen dhe zhvillimin e institucioneve kulturore profesionale.

Sipas Qamilit, ky reagim ka ndikuar në sensibilizimin e faktorëve relevantë institucionalë, të cilët kanë siguruar se IN “Ansamblit Muzikor” Tetovë do të vazhdojë rrugën drejt funksionalizimit të plotë dhe zhvillimit të mëtejshëm institucional.

Pavarësisht sfidave, institucioni gjatë vitit 2026 po realizon një aktivitet të pasur artistik me gjithsej dhjetë projekte koncertale. Këto përfshijnë koncerte kamertale me trio, kuartete dhe kuintete, koncerte korale, koncerte me solistë dhe orkestër harqesh, si dhe projektet tradicionale, ndër të cilat Koncerti i Muzikës Moderne dhe Gala Koncerti i Festave të Nëntorit.

Ndërkohë, IN “Ansamblit Muzikor” Tetovë ka nisur analizën dhe planifikimin e programit artistik për vitin 2027. Ambicia e institucionit është që vitin e ardhshëm të realizojë një nga projektet më të rëndësishme në historinë e tij: sjelljen e një opere në skenën e Tetovës, me qëllim ngritjen e mëtejshme të standardit artistik dhe kulturor të qytetit.

Koncerti i 10 qershorit pritet të jetë një mbrëmje e mbushur me muzikë, emocion dhe përjetime artistike për publikun tetovar.