ANALIZË: Më shumë pensionistë dhe më shumë para për pensione, shpenzimet e FSPIM-së arritën në 11,1% të PBB-së

Nga shtatori, pensionistët presin pensione më të larta për 2,500 denarë, në mënyrë lineare. Ky ishte një nga premtimet e para të qeverisë së re. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, nga rebalanci i buxhetit duhet të sigurohen 80 milionë euro të nevojshme për pagesën e rregullt të pensioneve deri në fund të vitit. Nga ana tjetër, statistikat e FSPIM-së shtetërore tregojnë se numri i pensionistëve është në rritje, ndërsa shpenzimet kaluan 11% të PBB-së, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Për një vit 2.000 pensionistë të rinj, për pesë vjet transferimet buxhetore më të larta për 50 milionë euro…

Një pensionist për 1,7 punonjës, 588 pensionistë për 1.000 punonjës. “Hendeku” mes numrit të të punësuarve dhe pensionistëve po ngushtohet dalëngadalë. Edhe Raporti i ri për punën e FSPIM-së në vitin 2023 tregon se fondi shtetëror mbetet ende i varur financiarisht nga buxheti i shtetit. Edhe atë duke u rritur shpenzimet në çdo vit pasues ekonomik. Sipas të dhënave nga raporti, vitin e kaluar nga buxheti qendror në llogarinë e FSPIM-së janë transferuar 510.224.000 euro. Nga analiza krahasuese e të dhënave rezulton se për pesë vite transferimet buxhetore janë rritur për 53.400.000 euro.

 

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, në të njëjtën periudhë të analizuar, rritje ka edhe te të ardhurat burimore, në të cilat pjesëmarrje më të madhe ka kontributi i të ardhurave. Vitin e kaluar mbi këtë bazë janë mbledhur 1.030.000.000 euro. Por, me gjithë këtë trend të rritjes së të hyrave burimore të fondit, ai ende mbetet i varur nga buxheti qendror.

“Në periudhën 2010-2023 shpenzimet janë në rritje si pasojë e rritjes së numrit të përfituesve të pensionit dhe harmonizimit të pensionit. Shpenzimet për pagesën e pensioneve në vitin 2023 kanë qenë 1.268.000.000 euro dhe krahasuar me vitin 2010 janë rritur për 126,40%”, thuhet në Raportin e ri të FSPIM-së.

Gjendja problematike financiare e këtij fondi, që ka buxhetin më të madh në vend, është theksuar edhe nga ana e revizorëve, duke vënë në dukje se me këtë mënyrë të funksionimit do të vazhdojë të ketë problem me rritjen e deficitit në arkën e fondit.

“Rritja e arritur e të ardhurave në vitin 2022 ende nuk është e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për përfitimet sociale, të cilat po ashtu janë duke u rritur nga viti në vit” – theksuan revizorët.

Deri në maj të këtij viti, në vend janë regjistruar 337.078 përfitues të pensionit. Shumica e pensionistëve, pak më shumë se 30%, kanë pension prej 13.192 denarë deri në 16.909 denarë.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nëse analizohen të dhënat për shfrytëzuesit e pensioneve, madje dy të tretat, apo mbi 60% e pensionistëve kanë pasur pension më të ulët se 22,00 denarë, gjegjësisht më të ulët se 366 euro. Vetëm 12,6% kanë pasur pension më të lartë se 36,614 denarë ose 595 euro. Qeveria njoftoi se në shtator të gjithë pensionistët, në mënyrë lineare, do të kenë rritje prej 2,500 denarë, për të cilën gjë shteti duhet të sigurojë 40 milionë euro.  Sipas sqarimit të fundit nga Ministria e Financave, për korrigjimin e rregullt ligjor të pensioneve do të nevojiten 30 milionë euro, ndërsa Qeveria deri në fund të vitit siguron edhe 10 milionë euro për realizimin e premtimit të dhënë zgjedhor. Por, ndryshe nga modeli aktual i rritjes me përqindje, tani paratë do të shpërndahen në mënyrë lineare.