Analizë: Komunat shpenzojnë më së shumti për rroga, vjelja e tatimit në pronë me ritëm shumë të ngadaltë!

Shpenzimet më të mëdha për rroga, kontribute, kompensime. Zëri më i madh i të ardhurave janë transferimet. Vjelja e tatimit në pronë në gjashtëmujorin e parë me ritëm shumë të ngadaltë. Sa dhe mbi çfarë baze janë mbushur dhe shpenzuar buxhetet lokale? Portalb.mk do të publikojë detaje të llogarive buxhetore në gjashtëmujorin e parë në dy vazhdime të “Analizës javore ekonomike”.

Miliona euro për shërbime kontraktuale, shërbime komunale, punësime të përkohshme.

Në anën e të ardhurave, Komuna e Haraçinës për gjashtë muaj ka mbledhur 39.600 euro nga tatimi në pronë, që përbën 30,5% të totalit të të ardhurave të planifikuara mbi këtë bazë. Gjatë periudhës së analizuar përmes transferimeve në llogarinë e kësaj komune janë derdhur 1.147.000 euro.  Në anën e shpenzimeve, pjesa më e madhe e buxhetit komunal në vlerë prej 788.700 euro është shpenzuar për rroga, kontribute dhe kompensime. Për punësime të përkohshme për gjysmë viti janë paguar 35 mijë euro. Një nga zërat më të mëdhenj të shpenzimeve është “transferimet e ndryshme”, përmes të cilit janë shpenzuar 64.200 euro.  Në gjysmën e parë të vitit, kjo komunë ka shpenzuar 42,4% të buxhetit të planifikuar, dhe ka grumbulluar gati 43,7% të të hyrave totale të planifikuara, duke përfshirë donacionet, dotacionet dhe transferet.

Të hyrat dhe shpenzimet e buxheteve të disa komunave në RMV. Infografik nga Portalb.mk
Të hyrat dhe shpenzimet e buxheteve të disa komunave në RMV. Infografik nga Portalb.mk

Komuna e Bogovinës në gjysmën e parë të vitit ka arkëtuar 168.300 euro tatim në pronë, që paraqet 44,4% të planit për këtë vit. Përmes zërit të transferimeve në llogarinë e komunës janë derdhur 2.130.000 euro. Për rroga, kontribute dhe kompensime për gjysmë viti janë shpenzuar 1.760.000 euro. 376.000 euro janë paguar përmes zërit “objekte të tjera ndërtimore”, 40.000 euro për shërbime kontraktuale dhe gati 100.000 euro për punësime të përkohshme. Për gjashtë muaj realizimi i pjesës së të ardhurave është 40,7%, kurse i shpenzimeve 40%.

Për gjashtë muaj, Komuna e Gostivarit ka arkëtuar afro 564.000 euro nga tatimi në pronë, ose 39,6% të asaj që ishte planifikuar. Përmes transferimeve kjo komunë ka marrë 7.520.000 euro. Në anën e shpenzimeve pjesën më të madhe e zënë zërat për rroga, kontribute dhe kompensime në vlerë prej 7.000.000 euro. Për shërbime kontraktuale janë paguar afro 393.400, ndërsa për punësime të përkohshme 183.900 euro. Një nga zërat më të mëdhenj në anën e shpenzimeve është “objekte të tjera ndërtimore”, përmes të cilit janë paguar 551.530 euro. Në anën e të ardhurave, realizimi është 43,9%, kurse në anën e shpenzimeve 43,6%.

Komuna e Dibrës në gjashtëmujorin e parë ka arkëtuar 32,9% të tatimit në pronë, ose një shumë prej 66.855 euro, kurse përmes zërit “transferime” janë arkëtuar 2.227.500 euro.  Për sa i përket shpenzimeve për rroga, kontribute dhe kompensime, janë shpenzuar gati 2.107.000 euro. Për shërbime kontraktuale janë paguar afro 85.000, ndërsa për punësime të përkohshme 23.000 euro. Një nga zërat më të mëdhenj të shpenzimeve është ai i shërbimeve komunale, dhe kështu për gjysmë viti janë shpenzuar gati 312.000 euro mbi këtë bazë.  Për gjashtë muaj, komuna e Dibrës realizoi 48,2% në të të ardhurave dhe 47,3% të shpenzimeve të planfikuara.

Vjelja e tatimit në pronë (gjysmëviti i parë ekonomik)

Vjelja e tatimit në pronë të disa komunave në RMV (gjysmëviti i parë ekonomik). Infografik nga Portalb.mk
Vjelja e tatimit në pronë të disa komunave në RMV (gjysmëviti i parë ekonomik). Infografik nga Portalb.mk

Nga tatimi në pronë, Komuna e Kërçovës për gjashtë muaj ka arkëtuar 250.000 euro, që përbën 32,6% të planit. Përmes zërit të transferimeve në llogarinë e kësaj komune për gjashtë muaj janë transferuar 5.621.000 euro.  Në anën e të ardhurave, nga taksat dhe kompensimet janë arkëtuar 73.000 euro. Në anën e shpenzimeve, për rroga, kompensime dhe kontribute janë shpenzuar 4.843.000 euro, të cilat së bashku paraqesin zërin më të madh të shpenzimeve në buxhetin e kësaj komune. Përmes zërit “objekte të tjera ndërtimore” janë shpenzuar 819.500 euro, kurse gati 313.000 euro për shërbime kontraktuale. Për gjysmë viti janë shpenzuar 337.000 euro për shërbimet komunale. Në gjashtëmujorin e parë, realizimi në anën e të ardhurave është 43,5% kurse në atë të shpenzimeve 39,1%.