Amerika ia zgjati licencën e punës NIS-it
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë zgjatur licencën për punë Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) deri më 23 janar, njoftoi ministrja e energjetikës së Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“Kjo do të thotë që rafineria në Pançevë pas 36 ditësh do të mund të vazhdojë punën”, shkroi ajo në Instagram më 31 dhjetor 2025.
Që nga fillimi i tetorit, kompania më e madhe e naftës në Serbi, NIS, ndodhet nën sanksione të Zyrës për Kontrollin e Pasurisë së Huaj (OFAC) të Departamentit amerikan të Thesarit, për shkak të pronësisë shumicë ruse.
Për shkak të pamundësisë për të importuar naftë të papërpunuar, më 2 dhjetor u mbyll Rafineria e Pançevës, e vetmja në Serbi.
JANAF: Jemi të gatshëm për furnizim të pandërprerë të rafinerisë
Për shkak të sanksioneve amerikane u ndërpre edhe transporti i naftës përmes naftësjellësit JANAF nga Omishlli deri në Pançevë, naftë e cila për në NIS dërgohet nga Kroacia me anije.
Më 31 dhjetor, JANAF njoftoi se administrata amerikane ka lëshuar licencën për vazhdimin e transportit të naftës për NIS-in, e cila do të vlejë deri më 23 janar 2026.
“JANAF në bashkëpunim me Qeverinë e Kroacisë, ka marrë licencën që lejon deri më 23 janar 2026 pjesëmarrjen në aktivitetet që janë të zakonshme dhe të nevojshme për transportin e naftës në përmbushje të marrëveshjes për transportin e naftës së papërpunuar me kompaninë NIS”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
JANAF e mirëpriti vendimin e OFAC-ut dhe theksoi se është “plotësisht i gatshëm menjëherë të sigurojë transportin e pandërprerë dhe furnizimin e rafinerisë në Pançevë me naftë të papërpunuar”.
“Gjithashtu shpresojmë në përfundimin e shpejtë të negociatave midis NIS dhe partnerëve potencialë për blerjen e pjesës ruse në këtë kompani, duke përmbushur kështu kushtet e përcaktuara nga regjimi i sanksioneve,” njoftoi JANAF.
RTS: Deri më 23 janar mund të përfundojnë negociatat me MOL-in hungarez
SHBA-ja insiston që kompanitë ruse të dalin nga pronësia e NIS-it, pjesa e të cilit aktualisht është 56.2%.
Radiotelevizioni i Serbisë (RTS), duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, ka raportuar se deri më 23 janar mund të përfundojnë negociatat e aksionarëve rusë të NIS-it me kompaninë hungareze MOL.
Qeveritarë serbë kishin bërë më parë me dije se këto negociata janë në zhvillim e sipër.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi më 19 dhjetor se Rusia “ka ide” se si dhe në çfarë drejtimi mund të zgjidhet çështja e Industrisë së Naftës së Serbisë dhe se një dialog i tillë me Serbinë është në zhvillim.
Autoritetet amerikane në fund të dhjetorit i kanë zgjatur afatin Industrisë së Naftës së Serbisë për shitjen e pronësisë ruse. Megjithatë, ky vendim nuk e autorizon NIS-in të operojë gjatë negociatave për gjetjen e një pronari të ri kryesor potencial.
Qëllimi i sanksioneve ndaj NIS-it është të pengojë Rusinë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për të financuar pushtimin e Ukrainës.