Aktorit Selim Ramadani i promovohet vepra “Një melodi e këputur” me rastin e 47 vjetorit të ndarjes nga jeta

Më 24 gusht në orën 16.00 në sallën e vogël të Qendrës për Kulturë të Tetovës do të mbahet dita përkujtimore në të cilën do të promovohet libri post mortum i aktorit dhe shkrimtarit Selim Ramadani “Një melodi e këputur”, njofton Portalb.mk.

Mbrëmja organizohet nga familja Ramadani në nderim të veprimtarisë së tij dhe boshllëkut që ka lënë pas. Ai u nda nga jeta i ri, gati në moshë sa Migjeni pa arritur t’i nxjerr të gjitha këngët e pakëndueme, ndaj dhe vjen titulli kreativ “Një melodi e këputur”.

Libri përmban poezi, tregime, pjesë skenike për fëmijë, drama.

Përmbledhja është botuar nga “Voka- Na” nga Tetova pikërisht në këtë vit 2024.

Afishja e promovimit
Afishja e promovimit

Selim Ramadani ka lindur në Tetovë më 19.4.1947. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje kurse studimet në Shkollën e lartë të Artit i kreu në Prishtinë.

Pas mbarimit të studimeve u punësua në Teatrin e Prishtinës ku ka luajtur bashkë me shokë e shoqe të kohës si, Adem Mikullovci, Safete Rugova, Hazir Miftari, Ajshe Ramadani, Ikballe Gjurkaj, Çun Lajçi etj.

Krijimtaria e tij ka qenë ushqimi i tij shpirtëror duke kërkuar hapësirë botimi në revistat dhe gazetat e asaj kohe ku ka qenë produktiv për aq sa ka shkruar duke u marrë me disa zhanre njëkohësisht.

Ka luajtur në drama të ndryshme, si “Kaligula” -Kamysë, “Mbreti Edip”- Sofokliu, “Tri ditët e kiametit” – Luan Qafëzezi, “Njeriu i mirë nga Seçuani” Brehti, “Përkolgjinajt” Kolë Jakova, “Ushtari i mirë Shvejk”- Hasheku, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” – Ismail Kadare, “Njerëzit me shpresa të thyera” – Shaip Grabovcit.

Ndërsa, rolet më të etabluara të tij janë Fejdo te “Miza në vesh”, Tegjeu te “Feniksi i shpejtë” i Kristofer Frejit, Brauni te “Hotel Kashta” i Ymer Shkrelit, Djaloshi në dramën “Duke pritur Godonë” të Beketit.

Vdiq i ri, ende pa dhënë krejt poetencialin e tij në profesionin e artit, vdiq në datën kur edhe do të përkujtohet me promovimin e librit dhe 47 vjetorin e ndarjes nga jeta, më 24 gusht 1977.