Administrata Biden nuk i ofron ndihmë ushtarake Hamasit

SHBA dhe administrata Biden nuk financojnë Hamasin. Shtetet e Bashkuara dërgojnë ndihma humanitare për civilët në Gaza, por ato nuk japin ndihmë për organizatën terroriste, e cila ka financues të shumtë, kryesori i të cilëve është Irani. SHBA e ka cilësuar Hamasin një organizatë terroriste dhe po ndjek penalisht qytetarët e saj ose banorët e përhershëm që financojnë grupin militant, shkruan Vërtetmatësi.

Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook ku shkruhet:

Kush do të ketë guximin të pyesë administratën amerikane Biden pse i dha 23 milionë Hamasit dhe tani i jep shumë më tepër Izraelit. Kur kjo të përgjigjet, lufta në Lindjen e Mesme do të përfundojë! Imagjinoni që SHBA nuk kishte asnjë informacion për sulmin e Hamasit, gjithçka u mbajt sekret përmes bisedimeve sekrete me IRAN-in?!! Imagjinoni! Kështu deklaroi ambasadori izraelit në Sllovaki. Një muaj më parë, sllovakët u agjituan dhe qëndruan në kufi, gjoja për shkak të një fluksi të madh emigrantësh. Pas kësaj bombë botërore, nuk e di kush do ta ndalë fluksin e ardhshëm të emigrantëve!

Siç shkruajnë kontrolluesit e fakteve të FactCheck, është e vërtetë që SHBA i jep ndihmë ushtarake Izraelit, por për Palestinën, vetëm ndihma humanitare u jepet palestinezëve në Gaza, jo ndihmë ushtarake për Hamasin, siç pretendon rrejshëm postimi.

Grupi militant palestinez Hamas filloi një sulm të befasishëm ndaj civilëve dhe objektivave ushtarake në Izrael më 7 tetor të këtij viti, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz, duke përfshirë 27 amerikanë. Që atëherë, disa postime në Facebook janë shpërndarë për të akuzuar administratën e Presidentit Joe Biden për gjoja sigurimin e ndihmës financiare për popullsinë e Rripit të Gazës të kontrolluar nga Hamasi. Hamasi është cilësuar nga Shtetet e Bashkuara si një organizatë e huaj terroriste. 

Është e vërtetë që Biden shkriu 360 milionë dollarë në vitin 2021 dhe filloi t’i dërgonte në Palestinë, por paratë nuk shkuan për të financuar sulmet e Hamasit ndaj Izraelit. Departamenti i Shtetit njoftoi në maj 2021 se po shtonte 38 milionë dollarë ndihmë humanitare për Bregun Perëndimor dhe Gazën. Kjo e çoi ndihmën e SHBA-së për palestinezët në 360 milionë dollarë atë vit, një kthesë në ndihmën për Gazën që kur presidenti i mëparshëm i SHBA Donald Trump ndërpreu ndihmën për palestinezët në vitin 2018.

Departamenti i Shtetit tregoi se paratë do të përdoren për të mbështetur organizatat humanitare për të ofruar strehim të përkohshëm, ushqim, shërbime shëndetësore dhe ndihmë psikosociale për ata që i kanë mbijetuar traumave të rënda.

Në atë kohë, Sekretari i Shtetit Anthony Blinken tha se ndihma do të përdorej për ndihmë të menjëhershme humanitare për rindërtimin e Gazës, pas luftës 11-ditore midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit në maj 2021. Blinken gjithashtu tregoi se ata do të punonin me partnerët për të siguruar që Hamasi nuk do të ketë asnjë përfitim nga këto përpjekje rindërtimi.

Është e vërtetë që Amerika çdo vit dërgon ndihmë ushtarake në Izrael. Sipas një raporti të marsit të këtij viti, SHBA i ka dhënë 124 miliardë dollarë ndihmë ushtarake Izraelit që nga viti 1946.

Pothuajse e gjithë ndihma aktuale amerikane për Izraelin është ndihmë ushtarake. Ushtria amerikane po ndihmon në transformimin e forcave të armatosura të Izraelit në një nga ushtritë më të sofistikuara teknologjikisht në botë, thuhet në raport. 

Për sa i përket pjesës së postimit që po shqyrtojmë, ku thuhet se sllovakët janë vendosur në kufi për shkak të një fluksi të madh emigrantësh, bëhej fjalë për një numër në rritje të emigrantëve të paligjshëm që shkonin drejt Gjermanisë dhe Evropës Perëndimore. Ata ishin kryesisht të rinj nga Lindja e Mesme dhe Afganistani, të cilët erdhën përmes rrugës ballkanike, përmes Hungarisë dhe Serbisë, shkruan Reuters.

Kjo ngjarje nuk ka të bëjë fare me konfliktin mes Hamasit dhe Izraelit. Sipas Balkan Insight, arsyeja pse kaq shumë emigrantë nga Lindja e Mesme po shkojnë në Sllovaki është një dokument që ata gabimisht besojnë se u jep të drejtën për të qëndruar në BE.

CNN publikoi së fundmi një histori investigative duke zbuluar se Hamasi përdor një sërë metodash financimi, duke përfshirë donacionet e kriptomonedhave. Gjithashtu Hamasi eshte nje organizate terroriste dhe ne SHBA eshte e paligjshme financimi i nje organizate te tille, qe do te thote se administrata Biden jo vetem nuk i financon, por ben gjithcka te nevojshme qe Hamasi te mos i perdore donacion amerikan për civilët në Gaza.

Zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes në Uashington kanë bërë thirrje për një hetim penal për përdorimin e kriptomonedhave nga grupi militant përmes pastrimit të parave, ka mësuar CNN.

Teksti shtoi se llogaritë e kriptomonedhave të Hamasit u sekuestruan nga qeveria amerikane tre vjet më parë. Në dy llogari, siç shkruhet në tekstin e CNN, janë ngrirë 41 milionë dhe 94 milionë dollarë.

Hamasi dhe organizatat e tjera terroriste kanë postuar publikisht kuletat e tyre kripto në Facebook dhe u tregojnë njerëzve se si të dhurojnë, sipas një raporti të publikuar këtë vit nga Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare, raporton CNN.

Kishte gjithashtu një akuzë kundër një burri nga Nju Xhersi, i cili postoi në Instagram në vitin 2019 se sapo kishte dhuruar 100 dollarë për Hamasin. Burri akuzohet gjithashtu për dërgimin e 20 dollarëve në bitcoin Hamas-it dhe u deklarua fajtor. 

Një donator i madh për Hamasin është Irani, i cili siguron 100 milionë dollarë në vit për grupet terroriste palestineze, duke përfshirë Hamasin dhe Xhihadin Islamik, sipas një raporti të Departamentit të Shtetit të vitit 2021. Materialet nga Departamenti Amerikan i Thesarit tregojnë mënyrat në të cilat Hamasi merr paratë iraniane nëpërmjet financuesve në Turqi dhe Liban. Një operativ financiar në Liban, për shembull, ishte një ndërmjetës midis Forcave Revolucionare Islamike të Iranit dhe Hamasit dhe punoi me grupin libanez Hezbollah për të siguruar transferimin e parave, thuhet në raportin e Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Për të gjitha faktet e mësipërme, ne e vlerësojmë postimin që po shqyrtojmë si të pavërtetë. SHBA dhe administrata Biden nuk financojnë Hamasin. Shtetet e Bashkuara dërgojnë ndihma humanitare për civilët në Gaza, por ato nuk shkojnë për organizatën terroriste, e cila ka financues të shumtë, kryesori i të cilëve është Irani. Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar Hamasin një organizatë terroriste dhe ndjekin penalisht qytetarët e tij ose banorët e përhershëm që financojnë grupin militant.