AAK-ja dhe Nisma me koalicion parazgjedhor në Kosovë

AAK-ja dhe Nisma zyrtarizojnë koalicionin parazgjedhor, paralajmërojnë zgjerim të tij, raporton Koha.net. Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot ka vendosur për koalicionin parazgjedhor AAK-NISMA.

Në tekstin e deklaratës thuhet se AAK dhe NISMA Socialdemokrate lidhin marrëveshje koalicioni për zgjedhjet e përgjithshme të radhës 2024-2025.

“Të dyja partitë dakordohen që të krijojnë frontin e përbashkët për shtetin e Kosovës dhe përcaktohen të hapura për zgjerim të koalicionit me të gjitha ato parti politike, nisma qytetare apo shoqata që përfaqësojnë sfera të ndryshme interesi e që për synim kanë ndaljen e degradimit të shtetit, rikthimin e demokracisë si parakusht të një zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, thuhet në tekst.

Zyrtarizimin e këtij koalicioni e kanë bërë edhe në një konferencë të përbashkët për media kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Haradinaj ka thënë se diskutimet për këtë koalicion kanë zgjatur disa muaj.

Sipas tij, dy partitë kanë vlerësuar se qytetarët e Kosovës janë lënë vetëm dhe po luftohen nga ata që do duhej të kishin mbrojtje.

“Shenjat më të këqija të luftës kundër kategorive janë veprimet kundër kategorive të luftës, kundër mësimdhënësve, shërbyesve civilë dhe po ashtu projekteve kapitale të vendit. Ne nuk dëshirojmë ta lëmë  qytetarin e Kosovës vetëm. Nuk duam të shohim Kosovën duke u zbrazur. Ne që ta ndryshojmë këtë gjendje, kemi vendosur për koalicion”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky bashkim do të zgjerohet edhe me partnerë të tjerë politikë.

Ai ka thënë se nëse PDK-ja dhe LDK-ja dëshirojnë të bëjnë bashkim politik, nuk do të kërkojë asnjë kusht por do të jenë të hapur për bashkim.

Haradinaj ka thënë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë edhe me PSD-në.

E, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se vendi ka nevojë për bashkim të tillë për ta çuar vendin përpara.

Ai ka thënë se projekti i përbashkët i tyre është integrimi i Kosovës.

“Jemi dëshmitarë të gjendjes që është vendi ynë më shumë se kurrë ka nevojë për bashkimin e forcave, forca që kanë çka japin. Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për dinamikë të re opozitare, opozitë e angazhuar, që kritikon kur duhet kritikuar. Vijmë bashkë me Haradinajn me projekt të ri që ka nisur e është i hapur. Vijmë me përvojën tonë, personalitetet tona për ti dhënë shtyrje proceseve të integrimit të vendit tonë, për ta mbajtur në kursin që ka qenë ëndërr për ne, kursin euroatlantik. Ky lajm i gëzon ata që duan bashkim në front të përbashkët”, ka thënë ai.

AAK dhe NISMA Socialdemokrate garojnë në një listë të përbashkët dhe marrin përsipër që të harmonizojnë platformën politike dhe programin për zgjedhjet e përgjithshme kurdo që ato të mbahen.

Objektivat politike dhe aspektet teknike të këtij koalicioni specifikohen me një aneks të veçantë që do t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje, përfundon deklarata e përbashkët e AAK-së dhe NISMA Socialdemokrate e Kosovës.