A është letërsia në rrezik?

Titullin e këtij shkrimi e mora nga vepra “Letërsia në rrezik” e historianit, filozofit, siciologut, kritikut letrar dhe eseistit bullgaro-francez, Cfetan Todorovit, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në shumë fusha të dijes, në veçanti në teorinë e letërsisë dhe teorinë e kulturës.

Me veprën në fjalë Todorovi sfidoi teoritë paraprake mbi shpjegimin dhe misionin e letërsisë, ndryshoi kuptimin mbi shkencën e letërsisë, mbi mendimin teorik-letrar dhe mbi raportin e veprës me autorin, me lexuesin dhe me kontekstin historik e kulturor. Në pikëpamjet e mëhershme ai gjeti shkaqet e rënies së interesimit të nxënësve dhe studentëve për letërsinë, e cila: nuk qenka gjë tjetër përveç ilustrimit të mjeteve të nevojshme për analizen e saj…

Kjo e dhënë më nxiti të shkëpus disa fragmente nga libri “Letërsia në rrezik”, që mund të ngjallë interesimin e nxënësve, studentëve dhe mësuesve të letërsisë për ta lexuar veprën interesante të Cfetan Todorovit, i cili qe kundër teorive të thata dhe shumësisë së padurueshme të temave e nocioneve teorike.

Sipas tij:

– Letërsia nuk duhet të shpjegohet e mësohet si në shtetet  komuniste, ku veprat mateshin me kutin e propagandës marksiste apo si në mesjetë, kur, nëpërmjet alegorisë, dashuria mes dy të rinjëve në “Këngën e këngëve” në Bibël, shpjegohej si dashuri mes Krishtit dhe kishës.

– Duhet ndryshuar mënyrën e shpjegimit të tillë të letërsisë, duhet eliminuar kornizat kufizuese për letërsinë, me qëllim të hapjes së udhëve që i bëjnë veprat të ndryshme me njëra-tjerën.

– Letërsia e mirë është ajo që mundëson lojë asociacionesh të nduarnduarshme, sepse lexuesi duhet ta kapë e ta ndjekë pështjellimin e perit të vet, të luajë si me format e mjegullave në qiell, duke gjetur atë që mund ta gjejë me forcën e mendjes e të intuitës.

– Lëtërsia e zgjeron universin tonë, sepse është më e dendur se jeta: ne jemi të përbërë prej përvojës që na japin prindërit, familja e shoqëria, po edhe të përvojës së pakufijshme që na japin librat. Librat e bëjnë botën reale më të ngarkuar me kuptimësi.

– Në shkolla nuk duhet të mësohet ajo për të cilën flasin kritikët, por ajo për të cilën flasin veprat letrare.

– Nuk është lehtë të kuptohet cili është qëllimi e cili mjeti në raportet letërsi – kritikë/analizë: është letërsia mjet i kritikës apo kritika mjet i letërsisë?

– Gjithashtu, nuk lehtë të kuptohet a ia vlen që të mësohen teoritë abstrakte të semiotikës e të retorikës, që nuk kanë të bëjnë me atë se çfarë përmbajnë në vete veprat letrare, ç’kuptim kanë dhe çfarë bote ngjallin?

– Profesorët kërkojnë memorizimin e thjeshtë të nocioneve, ndarjeve e nëndarjeve që filan studiuesi i ka bërë filan veprës, duke e kthyer kësisoj letërsinë në banalitet.

– Ne specialistët, kritikët e teoricienët jemi vetëm xhuxhë të strukur nën sqetullat e viganëve të letërsisë.

– Natyrisht që nxënësit dhe studentët duhet t’i njohin disa koncepte dhe disa ligje të nevojshme për të kapur më mirë veprën letrare, po assesi ato dije nuk duhet të ngrihen mbi veprat letrare dhe të përbëjnë qëllimin final.

– Risitë e qasjeve strukturaliste të dekadave të fundit janë të mirëseardhura, por ato duhet të mbeten mjete, jo qëllim final i mësimit të letërsisë.

– Programet e tipit: sot mësuam për krahasimin, nesër do të mësojmë për hiperbolën, gjithsesi nuk ngjallin dashuri për letërsinë.

– Letërsia mësohet sikur nuk ka asnjë lidhje me jetën reale, ndaj studiohen veç lidhjet mes elementeve të veprës.

– Lind pyetja: përse e studiojmë letërsinë? Për t’i mësuar metodat e analizës së saj dhe pjesët që përbëjnë strukturën e veprës?

– Më vështirë e kanë profesorët e shkollave të mesme që letërsinë e ligjërojnë para gjithë nxënësve, që nuk e studiojnë më vonë letërsinë. Atyre gjithsesi duhet ofruar letërsinë pa teori të kota, po si ta bëjë këtë arsimtari që në fakultet ka mësuar veç nocione teorike e metoda studimi?

– Arti ka të vërteta, po ato nuk janë si të vërtetat e botës reale. Nga ana tjetër bukuria është e vërteta e tekstit.

– Arti duhet të prodhojë një botë që është më e mrekullueshme se ajo realja, me jetëgjatë dhe më e vërtetë se bota  që e shohim me sy.

– Qëllimi i poezisë nuk është as imitimi as mësimi, po prodhimi i bukurisë.

– Nuk është hyjnor autori, po përsosmëria e veprës.

– Veprat e ndryshme na pëlqejnë për t’i lexuar në situata të ndryshme, në periudha të caktuara kohore, varësisht prej disponimit diçka mund të na duket e mirë ose e keqe.

– Ka të drejtë lexuesi i rëndomtë që përmes letërsisë i jep kuptim jetës së tij. Pa këtë letërsia nuk do të duhej të shkruhej më, sepse nuk do të kishte kush ta lexojë. Pra: arti nuk flet vetëm për veten.

– Veprën letrare e lexojnë të gjithë, pavarësisht vendit dhe kohës, kurse një koment filozofik vetëm profesionistët.

– Letrarët e mirë kërkojnë bashkautorë dhe janë sugjestivë më shumë se imponues bindjesh.

– Personazhet e reja e pasurojnë universin tonë.

– Romanet na japin një kapacitet të ri për të komunikuar me qenie të ndryshme nga ne.

– Ai që lexon nuk synon të bëhet specialist i analizës letrare, po njohës i historisë njerëzore.

Në veprën e tij, Todorovi bën një shëtitje nëpër konceptet teorike mbi artin e poezisë. Për Aristotelin poezia ishte imitim; Horaci thoshte se poezia duhet të pëlqehet dhe të na mësojë; iluministët donin të na e mësojnë jetën me art; realistët e lidhnin artin me format e realitetit; simbolistët e vlerësonin vetëm formën; parnasistët thonin se arti i shërben vetvetes, kurse sipas konceptit bazë: leximin më të mirë e bëjnë lexuesit e thjeshtë, që, përmes këtij akti, fitojnë nga të gjithë nga pak dhe paimponueshëm, mësojnë komunikimin me qenie më të ndryshme se vetja…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.